Harta e re gjyqësore, Kosteri e Lena: Nëse miratohet do ta çojmë në Kushtetuese! Gjyqtarët kanë interes, pasi u garantohet një punë në Tiranë

21 Qershor 2022, 13:51| Përditesimi: 21 Qershor 2022, 16:02

  • Share

Avokatët kanë paralajmëruar se nëse harta e re gjyqësore do të miratohet, ato do të ndjekin rrugën ligjorë, duke e vijuar betejën edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kështu deklaruan në ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv, kreu i Dhomës Vendore në Shkodër, Anton Kosteri si dhe Arben Lena, kreu i Dhomës së Avokatëve Korçë.

‘Ne jemi të vendosur për të vazhduar aktivitetin tonë për të kundërshtuar në mënyrë ligjore këtë hartë gjyqësore. Shpresojmë mos të vijë ai moment, që të miratohet kjo hartë gjyqësore, ne do i drejtohemi gjykatës Kushtetuese, ose gjykatës Administrative.’- tha Anton Kosteri.

‘Nëse miratohet do të ndërmarrim të gjitha aksionet e duhura ligjore që ta kundërshtojmë këtë hartë gjyqësore. Është një vendim që do të jetë i kundërshtueshëm. Kemi kërkuar që minimalisht të jetë një gjykatë Apeli në Korçë, Shkodër dhe Vlorë.’- u shpreh Lena.

Sipas Kosterit, gjyqtarët kanë interes që të bëhet kjo hartë pasi u garantohet një punë më e mirë dhe më pranë Tiranës, jo në rrethe.

‘Ne mendojmë ndryshe nga ministri i Drejtësisë dhe KLGJ, pasi u shesin shqiptarëve se mbyllja e gjykatave u rrit aksesin qytetarëve tek drejtësia. Ne shprehim zhgënjimin tonë nga mos reagimi i këtyre dy institucioneve. Të rimendojnë vendimin e tyre në lidhje me hartën e re gjyqësore. Do të rriten shpenzimet për çdo individ. Ne jemi dakord me Reformën në Drejtësi, por nuk jemi dakord në këtë mënyrë. Nesër në orën 18 do të protestojmë dhe ftojmë të gjithë qytetarët për të mbrojtur grabitjen që po u bëhet dy gjykatave. Gjyqtarët përfaqësohen nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve dhe jo nga një shoqatë. Gjyqtarët kanë interes të bëhet kjo hartë, pasi u garantohet një punë më e mirë dhe më pranë Tiranës. Kemi dyshime se anëtarët e KLGJ-së të cilëve pasi u mbaron mandati, do të emërohen në gjykatën e Apeli, këto persona kanë interes që të emërohen në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Këto kanë konflikt interesi. Anëtarët e KLGJ-së kanë interes që të emërohen në Tiranë.’- tha Kosteri.

Nga ana tjetër edhe Arben Lena, kryetarë i Dhomës së Avokatisë në Korçë, është i të njëjtit mendim, ndërsa shton se kjo hartë do të shkaktojë një dëm në sistemin e drejtësisë, i cili do të zgjasë për shumë kohë.

‘Aktualisht kemi një vendim të KLGJ-së që ka kaluar në MD. Jemi në një moment kur Ministria e Drejtësisë mund ta kthejë për rishqyrtim në KLGJ. Heshtja dhe mospërfillja e të gjitha kërkesave të palëve të interesit do të thotë se MD do ta lërë në fuqi këtë variant të KLGJ-së. Është një variant i dëmshëm. Avokatët janë të bindur në bojkotin e tyre. Duhet të themi se realisht situata në gjyqësor është alarmante dhe kjo hartë do ta përkeqësojë edhe më shumë. Qytetarët na kanë dhënë mbështetje maksimale. Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët duan që të shkojnë të punojnë në kryeqytet. Nuk mund të bëhemi naiv tani që ato nuk e kanë këtë ëndërr. Dhe gjyqtarët duhet të kuptojnë se këtu nuk bëhet fjalë për një lëvizje të vogël, por për një dëm që në sistemin e drejtësisë do të jetë shumë gjatë.’- tha Lena.

Në disa qytete të vendit vijon bojkoti i avokatëve kundër hartës së re gjyqësore, të cilët theksojnë se kjo hartë do të cenojë aksesin e qytetarëve tek drejtësia.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?