Harta e re gjyqësore, përfaqësuesit e Dhomës së Avokatisë: Do të ketë rritje shpenzimesh për qytetarët dhe shtetin, duhet të paguajnë rrugën e avokatëve

13 Qershor 2022, 14:36| Përditesimi: 13 Qershor 2022, 15:36

  • Share

Miratimi i hartës së re gjyqësore nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nxitur reagime dhe nga dita e nesërme deri të premten. Avokatët do të bojkotojnë proceset në të gjithë shkallët e gjyqësorit, përveç çështjeve për masa sigurie.

Anton Kosteri, përfaqësues nga Dhoma e Avokatisë në Shkodër dhe Erjon Gjoni, sekretar i Dhomës së Avokatisë Lezhë folën për Report Tv në emisionin 'Sot Live në Shqipëri' nga Andi Kapxhiu duke treguar problematikat që sjell mbyllja e 18 gjykatave për qytetarët.

Kosteri tha se nga vendimi preken rreth 600-700 mijë banorë që duhet të udhëtojnë drejt Tiranës për çdo proces gjyqësor ndërsa nga harta e re gjyqësore preken edhe të burgosurit. Edhe për ata do të ketë rritje të kostos për të shkuar nga qyteti ku vuajnë dënimin për në Tiranë, shpenzim që do e paguajë shteti. 

"Shkodra do të dëmtohet më rëndë se i hiqen dy gjykata, administrative e shkallës së parë që mbulon rrethet Shkodër, Pukë, Lezhë, Kukës, Tropojë dhe gjykata e apelit që mbulon gjykatat e rretheve gjyqësore të atyre më sipër. Preken minimalisht 600-700 mijë banorë. Të gjithë do të duhet të zhvillojnë proceset gjyqësore në Tiranë, edhe për leje drejtimi, edhe për urdhër mbrojtje apo zgjidhje martese.

Preken një numër i konsiderueshëm burgjesh, të cilët do të detyrohen që të gjithë të burgosurit t'i marrin dhe t'i cojnë në mes të Tiranës, shpenzimet do rriten dhe të mos harrojmë trafikun. Të vijë furgoni me të burgosur nga Reci duhet të vijë në 1-2 të drekës në Tiranë. Asnjë furgon nuk niset për Tiranë para orës 8. Imagjinoni kur do të kthehen. Dëmet janë të jashtëzakonshme", tha Kosteri.

Ndër të tjera thotë se qytetarët do të kenë kosto të mëdha për të trajtuar çështjet e tyre, qofshin edhe tepër të vogla si urdhër mbrojtje apo akt për heqjen e patentës pasi duhet të udhëtojnë me kilometra të tëra dhe të paguajnë edhe shpenzimet e rrugës për avokatin.

"Çfarë interesi ka një qytetar nga Korça, Kukësi apo Tropoja që të shkojë në gjykatën administrative të Tiranës për të kundërshtuar një akt administrativ për heqjen e patentës për 3-6 muaj, cështje që gjen zgjidhje brenda 1 muaji. Ai thotë më mirë të rri patentë se të shkoj atje, të marr dhe një avokat e t'i paguaj edhe rrugën. Këto shpenzime janë për publikun. Nesër kur bëj tarifat si avokat, do të them kaq është tarifa ime për shërbimet juridike dhe kaq për shpenzimet e rrugës. Këto do i paguajë zotëria apo zonja që ka çështjen, jo unë. Imagjinoni një grua që kërkon urdhër mbrojtje, si të ketë para ajo", tha Kosteri.

Ndërsa Erjon Gjoni, sekretar i Dhomës së Avokatisë Lezhë u shpreh se do bojkoti është për interesat e qytetarëve ndërsa theksoi se Lezha nuk do të përballojë dot fluksin e madh të cështjeve.

"Jo vetëm dëmtimi apo interesat e qytetarëve të qarkut të Lezhës për shkrirjen e gjykatës në Kurbin që ka ngarkesë tej normave, e cila do t'i bashkohet Lezhës që me kapacitetet që ka nuk po e përballon dot fluksin e çështjeve në gjykim për shkak edhe të reformës në Drejtësi. Bojkoti nuk është për interesat e avokatëve, por për qytetarët. Nuk preken më vetëm nga shkurtimi i gjykatës Kurbin por edhe largim i gjykatës së Apelit Shkodër dhe gjykatës administrative të shkallës së parë Shkodër. E vetmja ka mbetur bojkoti dhe protesta që të mos implementohen këto ndryshime", tha Gjoni.

Edhe kryetari i dhomës së Avokatëve Korçë, Arben Lena foli për 'Sot Live në Shqipëri' ngriti edhe çështjen e viktimave të dhunës. Sipas tij, viktimat e dhunës, nga pamundësia ekonomike nuk do të mund të kërkojnë drejtësi për shkak të distancës.

"Problemet do të kenë shtresat në nevojë. Viktimat e dhunës në familje nuk do të kenë akses.  Drejtësia duhet të jetë pranë qytetarëve. Nëse njerëzit shohin se nuk ka gjykatë, atëherë problemet do të vijojnë pak nga pak. Nëse ne flasim se duhet të japim drejtësi, drejtësia duhet të jetë afër njerëzve. Distancat do të krijojnë pamundësinë e aksesit.

Avokatët do të gjejnë zgjidhje për njerëzit që janë në sistemin e drejtësisë do të ketë zgjidhje. Do të ketë shpenzime për transportin e të burgosurve. Çdo i burgosur do një makinë më vete", tha Lena.

13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky ishte përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është shtimi i një gjykate të shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr.

KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Goni: 14/06/2022 03:28

    Jemi nuk jemi dakord kete pune e di Rama. Si dhe "grupi sorrist i punes". Mire eshte ta mbyllin shpejt, sipas planit, qe ti kene gati per zgjedhjet! Qe ti keni te gjitha "armet" gati. Kukdes nga i "vdekuri" Berisha se ben na nje te pabere dhe ndryshon mendjen popullit....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?