Politikë

Hasani për Report Tv: Të ndalet Irani! Raportet me Greqinë duhen kuruar, çështjet t’i zgjidhim pa kushte, duke parë njëri-tjetrin në sy (VIDEO)

17 Qershor, 14:02| Përditesimi: 17 Qershor, 20:40

  • Share

TIRANË- Për Shqipërinë konflitkti mes Izraelit dhe Iranit duhet të përfundojë menjëherë, dhe është Irani ai që duhet të ndalet. Në një intervistë për Report tv, Ministri i Jashtëm Igli Hasani tha se ky qëndrim u reflektua edhe në deklaratën e përbashkët të Samitit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore që u mbajt një ditë më parë në Tiranë, por nuk u pranua nga Serbia e Bosnje-Hercegovina, të cilat nuk pranuan të njohin as rolin e NATO-s si faktor stabiliteti.

“Samiti nuk mund të fliste i shkëputur nga realiteti dhe patëm hartuar në një deklaratë, për të cilin kishim miratimin e vendeve anëtare në raport me qëndrimin sa i përket agresionit rus në Ukrainë dhe sfidave që kanë të bëjnë me situatën aktuale në Izrael. Në minutë të fundit, megjithëse stafet kishin rënë dakord, disa vende nuk pranuan që të njihej roli i NATOS- si faktor stabiliteti në rajon, të dënohej agresioni rus në Ukrainë dhe të dënohej sulmet e Iranit ndaj Izraelit”, thotë Hasani.

Nuk mund të linte pas komentet për raportet me Greqinë, pas vizitës së tij zyrtare dhe takimit me Gerapetritis. “Një marrëdhënie që duhet kuruar mirë, por që s’duhet të jetë e bazuar në emra apo individë me axhenda personale dhe probleme konkrete”, kështu i përshkruan Hasani marrëdhëniet mes dy vendeve, ku duket se i referohet krisjes që kaluam për çështjen Beleri, por tashmë e lënë pas.

Hasani thotë për gazetaren Raziela Myslimaj se mes dy vendeve ka nisur një proces bashkëpunimi për të gjitha çështjet, nga deti, pensionet e ligji i luftës.

“Marrëdhëniet me Greqinë janë marrëdhënie mes dy popujve që kanë jetuar prej shekujsh krah për krah njëri tjetrit. Është marrëdhënie që duhet kuruar mirë, por s’duhet të jetë e bazuar në emra dhe individë me axhenda personale dhe probleme konkrete. Kjo ka qenë arsyeja pse vendosa ta vizitoja Athinën pas zgjedhjeve në Tiranë dhe te nisja një proces bashkëpunimi, nuk është vetëm ai takim, por një seri angazhimesh që do ndërmarrim në mënyrë që ta shohim e ta projektojmë të ardhmen tonë si dy vende fqinje, anëtare të BE pas pak vitesh. Kemi nevojë të dyja palët për të pasur histori të mira dhe suksesi. Jam i bindur që historitë e mira dhe të suksesit  të shqiptarëve të Greqi dhe të grekëve në Shqipëri, janë të shumta. Shembuj të mirë të një bashkekzistence që vetëm duhet të forcohet”, tha Hasani për Report Tv.

E rëndësishme është, thotë Hasani, që të palët të ulen në tryszat e diskutimeve pa kushte dhe zgjidhjen ta gjejnë duke parë njëri-tjetrin në sy, si dy vende partnere e aleate.

“U diskutuan shumë gjëra për çështje që nuk janë konkrete, nuk i vëmë kushte njëri-tjetrit. Ishim të qartë dhe të bindur që duke filluar një proces të gjerë bisedimesh do jemi në gjendje të shtyjmë para një axhendë tepër pozitive. Është bazë e mirë e një angazhimi që vetëm duhet të forcohet dhe duhet të jetë sa më i qartë në muajt në vazhdim.

Kemi shumë e shumë çështje që kemi nevojë ta shohim njëri tjetrin në sy, të ulemi të flasim e të gjejmë zgjedhje, që nuk janë vetëm teknike, burokratike, por duhet ta shohin perspektivën e dy vendeve tona, si dy vende partner, aleate”, thekson Hasani.

Për ligjin e luftës, Hasani thotë se “ka një traktat miqësie para 30 vitesh që suprimon çdo angazhim tjetër, por është e rëndësishme që të gjitha këto nuanca të jemi në gjendje t’i diskutojmë pa kushte, pa parakushte dhe duke e parë njëri tjetrin në sy.”

Hasani dha lajmin se Shqipëria do të çelë një tjetër grupkapitull me BE-në brenda muajt qershor ose në ditët e para të korrikut. Ministri theksoi se projektligji për shërbimin e jashtëm, i depozituar në parlament, reflekton nevojën për riformatim që ka ky sektor, ndërsa testimi i diplomatëve thotë se është I njëjtë me atë që u bëhet periodikisht mësuesëve dhe mjekëve.

Ora 14:50
Integrimi/ Hasani për Report Tv: Konferenca e 5-të ndërqeveritare me BE çështje ditësh, pala shqiptare gati

 

Brenda pak ditësh Shqipëria do të hapë negociatat edhe për grupkapitullin e “Agjendës së Gjelbër dhe Ndërlidhjes së Qëndrueshme”. Datat për konferencën e pestë ndërqeveritare pritet të vendoset, ndërsa Hasani theksoi në një intervistë për Report Tv se pala shqiptare është gati.

“Pala shqiptare është gati, vendet anëtare janë gati, thjeshtë duhet të identifikohet data kur të gjithë janë të mundur që të kenë një sallë në Bruksel dhe të jenë të pranishëm për shkak të kalendarit shumë të ngjeshur, shpresoj të ndodhë gjatë presidencës polake, është çështje ditësh, nëse nuk ndodh deri më 30 qershor, do të ndodhë ditët e para të korrikut dhe na ngel vetëm grupkapitulli i pestë që është edhe i fundit.

Kemi një plan të detajuar dhe të dakordësuar me KE për të mbyllur gjithë grupkapitujt deri në fund të 2027. Kjo që po bëjmë nuk është diçka eksperimentale. 2027 është moment i dakordësuar me Komisionin në mënyrë që në 2028 të nisim negociatën politike me vendet anëtarë për ratifikimin e aderimit të Shqipërisë në BE”, tha Hasani.  

Ora 14:43
‘Ultimatumi’ i Trump ndaj vendeve të NATO-s, Hasani për Report TV: Do arrijmë buxhetin 5% për mbrojtjen

 

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani u pyet edhe për kërkesën e SHBA ndaj vendeve anëtare të NATO-s për të rritur buxhetin e mbrojtjes në 5%. Në intervistën për Report TV, ministri Hasani theksoi se kanë një plan të qartë për të arritur këtë iniciativë,  duke shtuar se do ta plotësojnë në shtrirjen e viteve që do të kërkohet.

“Ne jo vetëm e kemi tejkaluar 2%, por ministri i Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe kolegët që merren me FA janë të qartë dhe ka një plan të mirë për mënyrën e realizimit të një mundësie të pasjes së një buxheti që do të shkojë 3.5% të çështjes së mbrojtjes dhe 1.5% tjetër do të shkojë për çështje më te gjera sigurie.

Kjo do të bëjë 5% që është dakordësuar në ministerialin e ministrave të Mbrojtjes pak ditë më parë. Ne i marrim nismat me seriozitet dhe do të jemi në gjendje që edhe këtë iniciativë nga administrata Trump, jo vetëm që e kemi vlerësuar, por do ta plotësojmë gradualisht bazuar edhe në shtrirjen e viteve që do të kërkohet.

Pasi nuk është një gjë që do të ndodhë nesër por për të paktën 5-7 vitet e ardhshme. Është e planifikuar që ka një shtrirje në kohë.”, theksoi Hasani.

Ora 14:39
‘Test’ për trupën diplomatike, Hasani për Report TV: E riformatojmë, akademia do t’i ndihmojë të përparojnë në karrierë

 

Ministri i Jashtëm Igli Hasani, në intervistën për Report TV, foli edhe për projektligjin për shërbimin e jashtëm të Shqipërisë. Ministri theksoi se bëhet fjalë për një paketë të mirë që do të mundësojë “riformatimin” e përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë jashtë vendit, duke shtuar që shpresojnë ta miratojnë në sesionin e ri parlamentar.

“Është paketë mundësish të mira për të riformatuar në kuptimin më të mirë të fjalës përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë jashtë. Flasim për vitin 2025, realitete që pretendojmë dhe shpresojmë që ta sjellin shërbimin e jashtëm në shekullin e 21-të ku të kemi përfaqësim jo vetëm gjeografik, por edhe tematik, ku të drejtat dhe mundësitë e diplomatëve të shtohen elementë që kanë qenë të nevojshëm të përshtaten në këto vite, të përafrohen me realitetin ku jemi dhe shpresojmë që me sesionin e ri të shtatorit të miratohet ligji me ndryshime të mira të punës së këtij shërbimi.”, u shpreh Hasani. 

I pyetur për testimin e diplomatëve, ministri u shpreh se ka pasur vlerësim pune të përgjithshëm ndërsa tani ata do t’i nënshtrohen një testi sikurse çdo punonjës tjetër i administratës qoftë mësues, mjekë, ushtarake etj. Sipas ministrit, krijimi i akademisë për diplomatët do t'i ndihmojë ata në përparimin e karrierës së tyre. 

“Nuk është kryer asnjëherë një vlerësim. Flasim për testim të përgjithshëm që shumë elementë të administratës e kalojnë, mësuesit, mjekët, ushtarakët e policët, të cilët kalojnë filtra të ndryshëm testimesh dhe marrjesh në angazhim të punës së tyre. Ka vetëm një vlerësim pune periodik si për gjithë nëpunësit civilë, ndërkohë që pjesa e trajnimit dhe angazhimit të diplomatëve tanë mungon prandaj është pikë e rëndësishme që është krijimi i akademisë diplomatike që të ndihmojmë kolegët diplomatë në përparimin e karrierës së tyre”, shtoi ministri.

Ora 14:18
Samiti i SEECP, Hasani për Report TV: Ja pse Serbia e Bosnje-Hercegovina refuzuan nënshkrimin e deklaratës! Abstenimi i rezolutës për Gazën? Nuk dënohej Hamasi

 

Ministri i Jashtëm Igli Hasani, në një intervistë për Report TV, foli për samitin e djeshëm të SEECP që u mbajt në Tiranë, ku nënshkrimi i deklaratës së përbashkët u refuzua të nënshkruhej nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ministri theksoi se në momentin e fundit, disa vende, megjithëse kishin rënë dakord më parë, “nuk pranuan që të njihej roli i NATO-s si faktor stabiliteti në rajon, të dënohej agresioni rus në Ukrainë dhe të dënohej sulmet e Iranit ndaj Izraelit.”

“Samiti i djeshëm dhe procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore është një nga mekanizmat e rëndësishëm që Shqipëria pati mundësinë dhe nderin të drejtonte për 12 muajt e fundit, platformë e rëndësishme për të thelluar bashkëpunimin në një rajon që është një pjesë anëtare e BE dhe një pjesë kandidate, për të vënë në të njëjtën tavolinë vende me interesa dhe lidhje të përbashkëta me praninë në të njëjtin rajon dhe mundësi të forta bashkëpunimi që kanë të bëjnë me korridore, transportin, të drejtat e njeriut dhe procedura të cilat ne na ofrojnë sa më shumë me BE. Samiti nuk mund të fliste i shkëputur nga realiteti dhe patëm hartuar në një deklaratë, për të cilin kishim miratimin e vendeve anëtare në raport me qëndrimin sa i përket agresionit rus në Ukrainë dhe sfidave që kanë të bëjnë me situatën aktuale në Izrael. Në minutë të fundit, megjithëse stafet kishin rënë dakord, disa vende nuk pranuan që të njihej roli i NATOS- si faktor stabiliteti në rajon, të dënohej agresioni rus në Ukrainë dhe të dënohej sulmet e Iranit ndaj Izraelit. Ne vazhdojmë të jemi dhe të forcojmë edhe më shumë jo vetëm angazhimin por edhe raportet me vendet anëtare që mendojnë në të njëjtën mënyrë me ne dhe padyshim që kjo do të jetë edhe e reflektuar në ditët në vazhdim. “, u shpreh Hasani.

I pyetur për rezolutën e pak ditëve më parë të OKB, e cila u abstenua nga Shqipëria, ministri sqaroi se në të nuk dënohej Hamasi, i cili po keqpërdor situatën dhe humbjet njerëzore për interesa të tij. Ministri ripërsëriti se Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë zgjidhjen me dy shtete.

“Shqipëria ka qenë gjithmonë e qartë sa i përket situatës në Palestinë. Ne jemi një nga vendet që e njohim shtetin e Palestinës. Ne kemi qenë të zëshëm për formatin e njohjes së dy shteteve dhe padyshim që këtë qëndrim e kemi shprehur fuqimisht. Situatën humanitare e kemi theksuar. Për ne paqja dhe prosperiteti i njerëzve aty është e rëndësishme. Ajo që na ka shtyrë drejt abstenimit është që rezoluta e propozuar nuk dënonte Hamasin, një organizatë terroriste, e cila po keqpërdor situatën dhe jetët njerëzore dhe kjo për ne është situatë që ka nevojë për më shumë vëmendje. “, tha Hasani.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?