Haxhi Murati ka qenë dëshmitari i radhës që ka dhënë deklarime më gjykatë lidhur me atentatin e ndodhur ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja ku i vdekur mbeti shoferi Andi Maloku. I përfshirë në këtë atentat ka qenë dhe Redjan Rraja, i cili është dënuar përjetë për këtë ngjarje.
Murati ka qenë banues në Krujë dhe në atë kohë si kryeplak fshati ka bërë dhe pajtime gjaqesh. Ai tregon se është kontaktuar në telefon pasi kishte ndodhur atentati, nga babai i Redjan Rrajës, Asllan Rraja, i cili i ka kërkuar Haxhi Muratit të shkojë tek familjarët e viktimës për t’i kërkuar këtyre të mos marrin hak pa u zbardhur plotësisht ngjarja.
Takimi i parë me Asllan Rrajën, tregon Murati, ka ndodhur në Fushë-Krujë, ndërsa me babain e viktimës janë takuar disa ditë më vonë në Shijak.
Me familjen e viktimës Andi Maloku gjithsej Murati thotë janë zhvilluar dy takime ku kanë marrë pjesë 6-7 veta. Për t’i kërkuar familjarëve të tij që të mos marrin hak, Haxhi Murati thotë se i kërkoi Asllan Rrajës të kontaktonte me të birin për të marrë vesh nëse ka qenë autor në atentat apo jo. Vetë Asllan Rraja thonte se i djali nuk ishte i përfshirë.
“Më 2019 kam banuar në Krujë. Kam punuar në shtëpi dhe si kryeplak fshati njëfarë kohe. Nuk kam dijeni për ngjarjen. Asllan Rrajën e njoh, momentin që ka ndodhur ngjarja më ka ardhur tek shpia, do shkosh në Shijak me u fut për mos me u zgjeru më shumë pushka. Merrem me pajtime gjaqesh, kemi ndërhyrë është bërë ça është bërë mos bëhet më pushkë kot sa të zbardhet ngjarje. Kemi qenë 3 veta bashkë. Me Asllanin jemi takuar në Fushë Krujë. Babain e viktimës e kemi takuar pas 2-3 ditësh. Beqiri e dinte Tiranën, kemi shkuar direkt, kemi kontaktu dhe kemi lënë takim në Shijak.
Unë gjithsej kam bërë dy takime në Shijak. Herën e tretë ndodhi virusi dhe nuk kam kontaktuar më, dhe nuk u mor vesh. Në takime ishin 6-7 veta, i ati viktimës vëllazërit. Ne na ka thënë Asllani që s’ka qenë djali im. Ne i thamë merr kontakt me djalin, ne nuk futemi në punët e shtetit. Familja e viktimës na kërkoi vetëm të tregonim realitetin, po e treguam s’do zgjatet më. I kam thënë Asllanit ti nuk zbardhe asgjë, ne tërhiqemi, i kërkuam falje familjes së viktimës për shqetësimin. Djali i Asllanit kishte një biznes në Fushë-Krujë, për dhëmbët. E mësuam nga tv që u arrestua. Redjan Rrajën se njoh, fëmijët e Asllanit si njihja, vetëm deputetin kam njohur, vëllain e tyre”, tha Haxhi Murati në GJKKO.
Gjatë dëshmisë, ka ndërhyrë dhe i pandehyri Plarent Dervishaj i cili i është drejtuar Haxhi Muratit me pyetjen “Ti ke shkuar para se të kapej Redjan Rraja. Po jap fakte jo mendim, se të ishte mendimi im do isha jashtë jo këtu. Sa ditë pas atentatit ke shkuar tek familja e viktimës?”
Haxhi Murati i është përgjigjur se me familjen e Andi Malokut është takuar 3 ditë pas telefonatës nga Asllan Rraja.
“Kam shkuar 3 ditë pasi më kontaktoi Asllan Rraja, ngjarja mund të kishte ndodhur dhe muaj më parë. Asllan Rraja më ka marrë me shku te familja e viktimës me iu thënë se derisa të zbardhet ngjarja mos me bërë asnjë lloj veprimi. Asnjë dijeni skam për ngjarjen, veç ça di e gjithë shqipëria përmes tv. Asllan Rraja më ka thënë djali im nuk është fajtor, thuj familjes që deri ditën që ta zbuloj se djali im e ka bërë apo jo këtë krim, të ndalohen vrasjet. Dhe këtë kam bërë", tha ai.
Dervishi: Emra konkret ka përmendur familja për atentatin?
Murati: Jo.
Prokurori Adnan Xholi: A mbani mend periudhën se kur ka ndodhur ngjarja e vrasjes së personit që vajtët si pleq ju?
Murati: Mund të ketë qenë punë 10-15 ditësh maksimumi që më ka kontaktuar Asllani.
Lajmi kryesor:
‘Më kërcënuan me fëmijët!’/Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, dëshmitarët në GJKKO: Asllan Rraja kërkoi nga familja e Andi Malokut të mos merrnin hak pa u zbardhur vrasja
K.B/ReportTv.al
