Tetë ditë pas helmimit masiv në kopshtin publik të Gramshit, prindërit ende nuk kanë një përgjigje nga institucionet për shkakun e infektimit të të vegjëlve të tyre ndaj refuzojnë t’I dërgojnë në kopsht. Njësia vendore e Kujdesit Shëndetësor konfirmon se nga analiza bakterologjike rezultojnë 17 fëmijë të prekur nga salmonella, ndërsa vete prindërit ngrenë dyshime se fëmijët u helmuan nga supa e pulës që konsumuan në kopsht javën e kaluar. Të pasigurt për shëndetin e fëmijëve, prindërit protestuan sot në Gramsh, duke kërkuar hetimin e personave përgjegjes dhe marrjen e masave për sigurinë ushqimore.
“Përgjigjen e kam marrë dje pas disa sherreve në kopsht, nuk na jepnin përgjigje. Përderisa është një sëmundje ngjitëse, mbase duhej një person mbase nga infektivi të na orientonte për masat që duhet të merren. I kam marr fëmijës vetëm një mjekim që i kam marrë me lekët e mia. Nuk ka përkushtim nga shteti, nuk është gjëkundi. Pjesëmarrja në protestë është e ulët sepse ne i njohim dhe kanë frikë se mos ikin nga vendet e punës. Por mua përpara fëmijës tim nuk më intereson asgjë. Duam të zbardhet e drejta. Mesa shohim është një tender që i është dhënë një biznesi jashtë qytetit tonë”.
“Fëmija ka ndejtur më shumë se 72 orë në serum. Te fëmija im ka qenë rasti i pari. Pasi dolën analizat, e kemi trajtuar në shtëpi fëmijën. Fëmija kishte të vjella e diarre çdo 10 minuta. 72 orëshi ishte një tmerr. Kam binjakë dhe shyqyr që fëmija tjetër nuk u sëmur. Jemi të bindur se fëmijët janë helmuar në kopsht. Nusja thotë se kanë konsumuar supën e pulës, nga informacione jozyrtare. Kam frikë se mos përhapet sëmundja dhe fëmijën po e mbaj në banesë”-shprehet prindi tjetër.
“Është i konfirmuar me salmonelë. Njoftimin e mora nga edukatorja te henen që djali është me temperauturë. Sot po bëhen 8 ditë qe vazhdon me dhimbje barku, diarre. Për dezinfektime janë bërë në kopsht dhe spital. Doktoresha na ka qëndruar korrekte.
“Sot ne bëjmë 8 ditë qe jemi trembur dhe gjendje ankthi e shoku. Kërkojmë siguri për ushqimin që konsumojnë fëmijët”-thotë një prind tjetër.
“Fëmija im ka që të martën i infektuar. Falë mjekes që na dha ilaçin dhe është mjekur, është disi më mirë. Ka rënë temperatura, por dhimbjet e barkut vazhdojnë. Nuk jam i sigurt për ta çuar fëmijën prapë në atë kopsht”-thotë një tjetër prind.
Kryetari i bashkisë së Gramshit, Besjan Ajazi mohoi akuzat për intimidim dhe fshehje të ngjarjes, teksa theksoi se kompania “Nelsa SHPK” që ka fituar tenderin për furnizimin me ushqime të kopshtit ka kryer të gjitha analizat e nevojshme higjeno-sanitare.
“Në momentin që bëhet furnizimi me produktet ushqimore, kërkojmë fletën e analizave për çdo ushqim, dhe nuk është pranuar ndonjë produkt ushqimor pa fletë analize. Më intereson gjendja shëndetësore e vogëlushëve, gjendja edhe shpirtërore e prindërve të tyre, por asgjë tjetër veç kësaj që nuk lidhet me këtë rast, por me protagonizmin lokal provincial të ndonjë palaçoje politik. Nuk mundet që kryetari i bashkisë të dijë vlerën e tenderit, di që procedura është e rregullt. Askush nuk ka bërë presion, asnjë lloj intimidimi”, tha Ajazi.
Njësia vendore e Kujdesit Shëndetësor në Gramsh ka konfirmuar se nga analizat e kryera ndaj 79 fëmijëve dhe anëtareve të stafit në kopshtin nr.1 të Gramshit, 17 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me ‘Salmonella Enteritidis’. Ndërkohë për 6 fëmijë të tjerë pritet të dalin përgjigjet por edhe ata kanë rezultuar me rritje të ngarkesës bakteriale. Salmonella është një bakter që gjendet zakonisht te mishi i pulës dhe vezët ndaj dyshimet e para janë tek kompania private “Nelsa shpk”, e cila ka fituar tenderin për furnizimin e kopshtit me ushqime. Gjithsesi, kjo pritet të konfirmohet nga AKU-ja e cila një ditë më parë tha se ka marrë mostra të ushqimeve në kopsht dhe pritet përgjigja nga laboratori i ISUV. Kontaktuar nga Report TV AKU, tha se zakonisht analizimi merr 5-10 ditë kohë.
Mjekja pediatre në spitalin e Gramshit që ka ndjekur rastin e fëmijëve të kopshtit të helmuar nga ushqimi i kontaminuar me salmonelë ka folur rreth shëndetit të pacientëve. Rasti i parë, sipas mjekes, është paraqitur në datën 20, i cili ka qenë në gjendje të rënduar.
Nga ana tjetër, mjekja bëri me dije se janë marrë 79 mostra, ku 17 raste kanë rezultuar pozitivë.
“Rasti i parë që ka arritur ka qenë në datën 20, me temperaturë, me të vjella, temperaturë të lartë. Rasti është shtruar në pediatri. E shtruam ditën e dytë sepse patëm merak, ngaqë kishte diare me gjak. Kemi pasur dhe tre raste të tjera që janë paraqitur në spital, kurse në urgjencë janë paraqitur dhjetë raste dhe nga këta kanë dalë të gjithë pozitivë. Gjendja e përgjithshme në fillim e fëmijëve nuk ka qenë e mirë. Janë denoncuar rastet në njësinë vendore të qytetit tonë dhe kemi vazhduar mjekimin. Për dy ditë, maksimumi tre ditë, fëmijët janë qetësuar,” - tha për Report Tv, mjekja pediatre në Gramsh, Bajrame Çarçiu.
Kryetari i bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi ka dhënë një deklaratë për mediat lidhur me rastin e helmimit të fëmijëve nga ushqimi me salmonelë në kopshtin nr.1. Ai thotë se nuk bëhet fjalë për raste masive. Sipas kryebashkiakut, ngjarja nuk është tentuar që të fshihet, ndërsa adreson edhe akuzat nga disa prindër për presion dhe intimidim.
Ajazi theksoi se kompania “Nelsa SHPK” që ka fituar tenderin për furnizimin me ushqime të kopshtit ka kryer të gjitha analizat e nevojshme higjeno-sanitare.
“A mbulohet dielli me shoshë, jo? Nuk ka tentativë të tillë. Bashkia ka përgjegjësitë e veta, përgjegjësia jonë nëpërmjet inspektorit tonë është në momentin që bëhet furnizimi me produktet ushqimore, kërkojmë fletën e analizave për çdo ushqim, dhe nuk është pranuar ndonjë produkt ushqimor pa fletë analize. Unë, më intereson gjendja shëndetësore e vogëlushëve, gjendja edhe shpirtërore e prindërve të tyre, por asgjë tjetër veç kësaj që nuk lidhet me këtë rast, por me protagonizmin lokal provincial të ndonjë palaçoje politik. Nuk mundet që kryetari i bashkisë të dijë vlerën e tenderit, di që procedura është e rregullt. Numri është diku te 60 e pak fëmijë në atë kopsht, fatmirësisht kemi vetëm atë numër të të prekurve, s’kemi përhapje. Besoj se s’do të kemi raste të tjera. Të dalë një që të thotë se kush ka bërë presion. Po shfrytëzon rastin e fëmijës së vet për të bërë politikë, s’do të doja të ndodhesha në atë situatë dhe të bëja politikë me rastin tim. Askush nuk ka bërë presion, asnjë lloj intimidimi. Është kopsht që i përmbledh të gjithë, punonjësit në shtet e privat, nuk ka asnjë pretendim të tillë të vërtetuar dhe të faktuar.”, tha Ajazi.
Komente
