Kronikë

Mbi 600 të helmuar në Krujë! Pas 4 ditësh,nis furnizimi me ujë, por jo për ta pirë e gatim! ISHP: Uji ka bakterin Enterokokus! Përgjegjësia e ujësjellësit, të kishin reaguar më shpejt

28 Tetor 2021, 09:20| Përditesimi: 28 Tetor 2021, 21:21

  • Share

KRUJË- Pas katër ditësh, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë me dije se në ujë është gjetur bakteri " Enterokokus" që ka shkaktuar mbi 600 të helmuar. Ky bakter është gjetur në vetëm një depo uji, kjo sepse Ujësjellësi ka pastruar dhe ka hedhur klor në depot e tjera të qytetit, pa u marrë mostrat nga ISHP-ja. Për helmimin e mbi 600 persona nëndrejtori i ISHP-së, Dritan Ulqinaku ka bërë përgjegjës Ujësjellësin e që sipas tij duhet të kishte reaguar më shpejt, teksa nuk hezitoi që ta quante këtë situatë një epidemi hidrike. Kjo epidemi është shkaktuar si rezultat i ndotjes sipërfaqësore të shirave të rëna para pak ditësh që kanë sjellë përzierje me ujërat e pijshëm të ujësjellësit të Krujës. Ulqinaku tha se situata do të vijojë të monitorohet për të paktën një muaj deri sa të jenë të sigurt që çdo gjë të jetë në rregull.

"Nga analizat e para nga ISHP në një pikë të Ujësjellësin e Krujës dhe ka rezultuar se ka pasur prezencë të bakterit enterokok. Situata sot që ne flasim është shumë e qetë, pothuajse ka mbaruar çdo shqetësim në urgjencën dhe në spitalin e Krujës. Mendojmë se është një epidemi e shkaktuar nga uji, pas ndotjes së ujërave sipërfaqësor. Është një epidemi hidrike dhe besoj se përgjegjësia bie mbi ujësjellësin e Krujës, duhet të kishte reaguar në kohë që me trubullirën e parë që është shkaktuar", tha ndër të tjera Ulqinaku.

Pas daljes së rezultatit të analizave, sot në orën 20:00 nisi edhe furnizimi me ujë, por jo për të pirë apo për gatim, vetëm për nevojat sanitare.

"Në orën 20:00 rinis furnizimi me ujë për banorët e qytetit Krujë! Deri në një njoftim të dytë, uji do të përdoret për arsye sanitare, dhe jo për t'u pirë", thuhet në njoftimin e Ujësjellësit. 

Kur kanë kaluar 4 ditë që nga shfaqja e rasteve të para të pacientëve të helmuar nga uji, qytetarët në Krujë ende vijojnë që të paraqiten për të marrë trajtim shëndetësor, megjithatë situata është më e qetë këtë mbrëmje, ku aktualisht nuk ka asnjë pacientë të shtruar. Siç bëhet me dije depozita kryesore është dezinfektuar, pasi është mbushur edhe është shkarkuar dy herë.

Për herë të parë në lidhje me situatën reagoi edhe kryeministri i vendit Edi Rama, i cili tha se ndërmarrja e Ujësjellësit, ka përgjegjësinë e sigurimit që uji është në parametrat e duhura. Ndërkohë ditën e djeshme prokuroria ka zbarkuar tek ndërmarrja e ujësjellës-kanalizime Krujë, ku janë marrë disa dokumente si dhe janë marrë në pyetje drejtues të këtij institucioni. Ende nuk ka një përgjegjës për këtë situatë.

Disa firma të prodhimit të ujit, por edhe biznese lokale janë sensibilizuar ditën e djeshme dhe kanë dërguar në Krujë rreth 100 ton ujë paketuar. Bizneset lokale kanë shpërndare ujë nëpër kopshtet e çerdhet e qytetit, ndërsa firmat e kanë dorëzuar sasinë e ujit në bashki, e cila mbrëmjen e kaluar ka filluar shpërndarjen e tij tek familjet në nevojë si dhe ato me ndihmë ekonomike, pensionistë, invalidë. Dy autobote kanë shpërndarë ujë për nevoja personale mbrëmë në disa pika të qytetit.

 

Ora 18:40
Mbi 600 të helmuar në Krujë, ISHP: Epidemi hidrike, përgjegjësia e ujësjellësit, të kishin reaguar më shpejtë

ISHP ka konstatuar se helmimi i mbi 600 qytetarëve në Krujë ka ardhur si pasojë e ujit duke e cilësuar si epidemi hidrikë nga ndotja sipërfaqësor e ujërave nga shiu. Për këtë ISHP bëri përgjegjës ujësjellësin se ka vepruar me vonesë për rastin dhe se ka kapur çrregullimet që i kanë ndodhur në depon kryesor.

“Kemi konstatuar në një pikë, por rezultate kanë ardhur pa ndërhyrjes që ka bërë vetë ujësjellësi i Krujës pas pastrimit dhe klorinimit. Kam bindjen se në ditët në vijim nuk do këtë probleme. Për aq kohë epidemi hidrike, përgjegjësia i bie ujësjellësit të Krujës, duhet të kishin qenë më të kujdesshëm që me turbullirën e parë të këtij shqetësimi. Autoritetet duhet të kishin vepruar më shpejtë. Ndotja ka qenë sipërfaqësore si rezultat i shirave, ka pasur çrregullime nga ujësjellësi”, tha Ulqinaku.

Ora 18:27
Helmimi në Krujë/ Del përgjigja e ISHP: Uji ka prezencë të bakterit Enterokokus në vetëm një pikë të ujësjellësit

 

Del përgjigja e ISHP-së.

"Nga analizat e marra nga ISHP ka rezultuar që në një pikë të vetme të ujësjellësit ka rezultuar bakteri Enterokokus, shkak i këtyre shqetësimeve, situata që sot flasim është shumë e qetë, ka mbaruar pothujashe shqetësim, do e ndjekim me rigorozitet, epidemi e shkaktuar nga uji", njofton ISHP.

Ora 18:16
Mbi 600 të helmuar, Ujësjellësi i Krujës: Në orën 20:00 nis furnizimi me ujë, por jo për ta pirë apo për gatim

1635320358_KRUJESPITALI.jpg

Në orën 20:00 rinis furnizimi me ujë të për banorët e qytetit Krujë!Deri në një njoftim të dytë, uji do të përdoret për arsye sanitare, dhe jo për t'u pirë!

"Në vijim të njoftimeve mbi situatën e ndodhur në qytetin e Krujës me ujin e pijshëm dhe mbi furnizimin në ditët në vazhdim të banorëve, ju informojmë si më poshtë :Pas përfundimit të procesit të klorikifikimit të depove të ujësjellësit në qytetin e Krujës dhe referuar përgjigjeve të analizave fizio – kimike dhe baktereologjike të bëra në datën 26/10/2021 nga laboratorët e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë dhe të ISHP Tirane nga ku rezulton se cilësia e ujit është brenda parametrave të lejuara për përdorim sanitar, ISHSH Durrës me anë të vendimit Nr. ISHSH-DR-2021-001617-4, datë 27/10 /2021, autorizon Shoqërinë Ujësjellës Kanalizime Krujë sha për rifillimin e furnizimit me ujë me kushtin vetëm për përdorim sanitar.

Pësa më sipër njoftojmë se, furnizimi me ujë do të rifillojë ditën e Enjte, datë 28.10.2021 ora 20:00 për banorët e qytetit, me kapacitet të reduktuar në mënyrë që të kryhen analiza të tjera në vijim për furnizimin e radhës.

Lutemi për mirëkuptimin Tuaj në zbatim të protokolleve të Higjenës dhe Sigurisë së Shëndetit Publik, që uji i rrjedhshëm nga rrjeti si dhe uji në depozitat familjare të përdoret vetëm për nevoja sanitare shtëpiake dhe jo për konsum për pirje dhe gatim, deri në një njoftim të dytë nga ana e Ujësjellës Kanalizime Krujë", thuhet në njoftim. 

 

Ora 13:28
Helmimi nga uji i pijshëm në Krujë, drejtoresha e spitalit: Personeli në shërbim 24 orë, të gjitha ambientet në dispozicion

 

Drejtoresha e spitalit të Krujës, Yllka Sheta, në një deklaratë në lidhje me situatën për shkak të helmimit masiv të qytetarëve nga uji i pijshëm, bën me dije se fatmirësisht nuk ka patur raste të rënda.

"Simptomat janë dhimbje barku, diarre, të vjella, dhimbje koke dhe raste të rralla me temperaturë. Nuk kemi pasur raste të rënda, kanë marrë shërbimin dhe janë larguar. Aktualisht janë tre pacientë në urgjencë. Nga fillimi deri më sot (e diel- e enjte) janë rreth 500 persona, prej tyre 150 fëmijë dhe 350 të rritur. Këtu s'ka pasur fluks here tjetër", tha ajo.

E pyetur se përse të hënën pasdite nuk pranoi që rasti ishte helmim masiv, ajo u shpreh se kjo nuk ishte hera e parë që njerëzit paraqiten me intoksikim, për të dyshuar se është i përhapur.

"Numri 30 ka qenë i mëngjesit të ditës së hënë në momentin që kemi marrë informacion në mbledhjen e mëngjesit kemi komunikuar për 30 raste të dyshuar sepse nuk është hera e parë që njerëzit paraqiten me intoksikim, që të mendosh se është i përhapur. Ditën e hënë në mëngjes kemi komunikuar me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për të informuar për këto raste", theksoi Sheta.

Drejtoresha shtoi mes të tjerave se në spital është ofruar i gjithë shërbimi i nevojshëm për qytetarët dhe se stafi ka qenë 24 orë në gatishmëri.

"Spitali edhe pse i dëmtuar nga tërmeti nuk është i padisponueshëm, spitali i ka të gjitha shtretërit në dispozicion të kësaj gjëje që ndodhi. Të gjitha ambientet janë në dispozicion.  Desha të shtoj se shërbimi nuk i ka munguar askujt. Gjej rastin të falenderoj personelin që kanë ndenjur në këmbë 24 orë, pretendimet se spitali i Krujës nuk ka dhënë shërbim nuk qëndron sepse ata që e thonë, thjesht nuk e dinë si funksion urgjenca", u shpreh Sheta.

 

Ora 13:11
Helmimi masiv në Krujë, Prefekti i Durrësit: 5 autobote në dispozicion të banorëve për furnizimin me ujë

Prefekti i Durrësit Roland Nasto, në një bisede telefonike me Report Tv tha se "përgjigjet e analizave do të dalin sot në mesditë nga ISHP-ja". Pikërisht këto përgjigje do të përcaktojnë nivelin e ndotjes dhe shkaktarin. Sipas tij, uji i shirave të rrëmbyer kanë marrë me vete mbeturinat e jashqitjeve shtazore të cilat kanë përfunduar në depo dhe në depozitat dhe tubacionet e çezmave të banorëve. Këtë e vërteton prezenca e amoniakut në ujë.

"Edhe pse bashkia njoftoi banorët për ndotjen e ujit sapo u shfaqën të sëmurët në spitalin e qytetit,sërish një pjesë e banorëve vijuan të përdorin ujët e depozitave familjare çka shkaktoi edhe 104 të sëmurë të tjerë. Kjo ndodhi pasi u ndërpre furnizimi me ujë i banorëve nga ujësjellësi i Krujës".

Nasto sqaron se "analizat e mostrave të ujit duhet të kryhen çdo 24 orë nga laboratori vendor dhe ky është detyrim ligjor. Për të parë nëse ky detyrim është respektuar, prokuroria e Krujës ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin përkatës të cilin po e heton".

Sipas tij, gjatë këtyre ditëve janë boshatisur të 6 depot e ujit me të cilat furnizohen banorët e zonës. Janë 2 depo kryesore dhe 4 depo të vogla. Ato janë dezinfektuar dhe pritet përgjigja e ISHP për rimbushjen e tyre.

Ndërkohë janë vënë 5 autobote në dispozicion të banorëve për furnizimin me ujë të tyre. Autobotet furnizohen me ujë nga burimet e Fushë Kuqes pasi uji i burimit që furnizon Krujën mbetet ende i bllokuar deri në marrjen e përgjigjeve të analizave nga ISHP. Sipas Nastos, rezulton që deri tashti nuk ka pasur raste serioze nga banorët e helmuar.

Ora 10:30
Helmimi i krutanëve nga uji, Bakiu: Artur Bushi të japë dorëheqjen, Alibeaj: Mbi 1200 të helmuar

Nënkryetari i PD Enkelejd Alibeaj, dhe deputetja e Krujës Merita Bakiu, në një prononcim për mediat në oborrin e Kuvendit deklaruan se qeveria duhet të reagojë e të veprojë sa më parë në lidhje me helmimin e qytetarëve të Krujës nga uji i pijshëm.

Deputetja Bakiu tha se kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, duhet të japë dorëheqjen sa më parë. Më tej, ajo theksoi se shumë qytetarë po trajtohen në shtëpi pasi në spital mungon insfrastruktura.

“Ka shumë banorë që po trajtohen në shtëpi. Ajo që është shqetësuese për krujën, është mos furnizimi me ujë. Kjo i ka cuar familjet në një krizë tjetër përvec sëmundjes. Është e tmerrshme që qeveria nuk ka reagyar në kohë, vetëm pas 3 ditësh kur filluan mediat. At5herë erdhi ministrja e shëndetësisë, në të njëjtën kohë kur spitali nuk ka as infrastrukturë.Ska ndodhur më parë në Krujë. Artur Bushi të japë dorëheqjen. Mendohet në përgjigjet që kanë ardhur jo zyrtare, se uji është kontaminuar” - tha Bakiu.

Alibeaj tha se Rama duhet të reagojë pasi e ka përgjegjësi njerëzore, politike e ligjore. Më tej, ai theksoi se qytetarët po vuajnë dhe askush s'po ju gjendet pranë.

“1200 qytetarë të Krujës, vogëlushë, familjarë e të moshuar janë të shtruar në spitale, pa përmendur ata që janë në shtëpia. Kush e shkaktoi, pse e shkaktoi, e patë përgjigjen e djeshme të kryerministrit. E ka detyrë politike kryeministri, deyrë njerëzore në radhë të parë e më pas ligjore. Askush nuk ju ndodhet afër. Dikush duhet ta ngrejë si problem. Skemi një projektligj, kjo çështje duhet politizuar se parlamenti për këto çështje është. S’kemi si ta kërkojmë si interpelancë, që të kujtohemi pas dy javësh. Njerëzit sot po vuajnë.”-tha Alibeaj.

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ahmet Meshi: 29/10/2021 09:52

    Helmimi i 1200, qytetarve shqiptare ne Kruje, ështe krim i rende,(qe munde te klasifikohet si akt terrorist apo krime kunder njerzimit), e cila duhet te hetohet fort nga c'do organ ligjzbatues, pasi i ka marre "frika e pa siguirse" njerzit pasi neser munde te vije ne tiran dhe helmoje mbi 1 miljon vete. Pase kesaj situate Kryetari i Bashkise, Drejtori i shendetit publik dhe ministi i shendetsise duhet te kishin dhën menjehere dorheqjen duke i hapur rrugen hetimit.

    Përgjigju
  • Ada: 28/10/2021 18:55

    Nuk na duhet uji i pijshem. Lideri suprem( rrofte sa malet) do na coje satelite ne orbite.

    Përgjigju
  • Law: 28/10/2021 12:48

    Nderkohe prokuria e Llalles vazhdon hetimin derisa te fajsoje ndonje roje. Apo nuk eshte me Llalla K/prokuror??? Dini gje juve? Skandal dhe Krim i qellimte nga prokuroria.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?