Drejtoresha e spitalit të Krujës, Yllka Sheta, në një deklaratë në lidhje me situatën për shkak të helmimit masiv të qytetarëve nga uji i pijshëm, bën me dije se fatmirësisht nuk ka patur raste të rënda.
"Simptomat janë dhimbje barku, diarre, të vjella, dhimbje koke dhe raste të rralla me temperaturë. Nuk kemi pasur raste të rënda, kanë marrë shërbimin dhe janë larguar. Aktualisht janë tre pacientë në urgjencë. Nga fillimi deri më sot (e diel- e enjte) janë rreth 500 persona, prej tyre 150 fëmijë dhe 350 të rritur. Këtu s'ka pasur fluks here tjetër", tha ajo.
E pyetur se përse të hënën pasdite nuk pranoi që rasti ishte helmim masiv, ajo u shpreh se kjo nuk ishte hera e parë që njerëzit paraqiten me intoksikim, për të dyshuar se është i përhapur.
"Numri 30 ka qenë i mëngjesit të ditës së hënë në momentin që kemi marrë informacion në mbledhjen e mëngjesit kemi komunikuar për 30 raste të dyshuar sepse nuk është hera e parë që njerëzit paraqiten me intoksikim, që të mendosh se është i përhapur. Ditën e hënë në mëngjes kemi komunikuar me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për të informuar për këto raste", theksoi Sheta.
Drejtoresha shtoi mes të tjerave se në spital është ofruar i gjithë shërbimi i nevojshëm për qytetarët dhe se stafi ka qenë 24 orë në gatishmëri.
"Spitali edhe pse i dëmtuar nga tërmeti nuk është i padisponueshëm, spitali i ka të gjitha shtretërit në dispozicion të kësaj gjëje që ndodhi. Të gjitha ambientet janë në dispozicion. Desha të shtoj se shërbimi nuk i ka munguar askujt. Gjej rastin të falenderoj personelin që kanë ndenjur në këmbë 24 orë, pretendimet se spitali i Krujës nuk ka dhënë shërbim nuk qëndron sepse ata që e thonë, thjesht nuk e dinë si funksion urgjenca", u shpreh Sheta.
Lajmi kryesor:
Mbi 600 të helmuar në Krujë! Pas 4 ditësh,nis furnizimi me ujë, por jo për ta pirë e gatim! ISHP: Uji ka bakterin Enterokokus! Përgjegjësia e ujësjellësit, të kishin reaguar më shpejt
//ReportTv.al