Kronikë

Përgjigjet e analizave, Kruja u helmua nga uji i pijshëm, i kontaminuar në depon kryesore! Ujë me E. Coli dhe streptokok fekal! Prokuroria nisi hetimet

27 Tetor 2021, 09:48| Përditesimi: 27 Tetor 2021, 22:07

  • Share

Uji i pijshëm në Krujë, që helmoi mbi 500 qytetarë, rezulton me ngarkesë bakteriale të esheria koli dhe streptokokut fekal. Report TV mëson se ky është rezultati i analizave mikrobiologjike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik. Po ashtu bëhet me dije se uji është ndotur në depon e qytetit të Krujës, që më pas i është shpërndarë qytetarëve nëpër çezma.

Origjina e ndotjes së ujit të pijshëm nuk dihet ende, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik pritet të dalë me një informacion zyrtar në orët në vijim.

Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e Krujës njoftoi më herët sot nisjen e hetimeve, teksa është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor. Duke qenë se pranë ujësjellësit të Krujës ndodhet edhe një stallë bagëtish, dyshohet se ndotja mund të ketë ardhur edhe nga jashtëqitjet e dhenve.

Ndotja ujërave përbën vepër penale, për të cilën Kodi Penal parashikon deri në 10 vjet kur kjo vepër, ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve

Që nga mëngjesi i së dielës, shumë qytetarë në Krujë u paraqitën në spital me simptoma helmimi si dhimbje koke, dhimbje barku, diarre e të vjella. Furnizimi i qytetit me ujë është ndërprerë që prej mesditës së të hënës.

Në një reagim zyrtar të Ujësjellësit të Krujës një ditë më parë, u tha se shkak paraprak për helmimin e banorëve, është kontaminimi i ujit të pijshëm si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të shtunën dhe të dielën, veçanërisht në vendburimin e Malësisë së Krujës ku është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë.

Megjithatë, një ditë më parë banorët u shprehën se ky është një rast i përsëritur ku uji ka ardhur i ndotur dhe më parë në çezmat e tyre. Njëri prej tyre u shpreh se të njëjtat simptoma helmimi ata kanë patur edhe 3 muaj më parë.

Esheria Koli është lloj bakteri që njihet për shkaktimin e irritimit në stomak. Simptomat përfshijnë diarrenë, dhimbjet në bark, vjelljen dhe marramendjet. Ky bakter mund të shkaktojë edhe probleme tjera, duke përfshirë cista, infeksione në trakt urinar dhe pneumoni. Streptokoku është një infeksion bakterial që shkakton inflamacion dhe dhimbje në fyt. Streptokoku mund të prekë fëmijët dhe të rriturit e të gjitha moshave. Sidoqoftë, është veçanërisht e zakonshme tek fëmijët në moshën 5 – 15 vjeç.

VIDEO/ Deklarata e mjekut

Nisja e hetimeve

 

Ora 17:34
Helmimi i qytetarëve nga uji, Avokati i Popullit viziton spitalin e Krujës, njihet me gjendjen e qytetarëve

Avokati i Popullit ka kryer sot një vizitë në Spitalin Klinik “Stefan Gjoni” në Krujë, për monitorimin e gjendjes së pacientëve që kanë marrë shërbimin atje, pasi përfunduan në spital me simptoma të dyshuara nga helmimi prej ujit të pijshëm.

Takimi paraprak është zhvilluar me drejtoreshën e spitalit Yllka Sheta, nga e cila u raportua se, të gjithë personave ju është dhënë dhe po u jepet shërbimi i duhur shëndetësor.

'Sikurse u referua prej drejtuesve të Spitalit, prej datës 24 Tetor 2021 e deri më 27 Tetor në këtë spital kishin marrë shërbimin rreth 541 pacientë sipas datave të mëposhtme:

42 pacientë më datë 24 Tetor;

206 pacientë më datë 25 Tetor; 

236 pacientë më datë 26 Tetor dhe

57 pacientë më datë 27 Tetor.

Nga informacionet e marra prej personave që ishin duke u trajtuar në mënyrë ambulatore na u bë me dije se simptomat e tyre përkonin me dhembje koke, dhembje barku, të përziera, si dhe në disa raste edhe temperaturë. Qytetarët e sëmurë janë të bindur se kjo situatë u është shkaktuar nga konsumimi i ujit.

Qytetarët kanë marrë shërbimin e nevojshëm, janë vizituar, janë konsultuar dhe gjithashtu kanë marrë shërbime sipas protokolleve të mjekimit. U konfirmua se edhe pacientë të tjerë të cilët janë duke u trajtuar pranë shërbimit të Urgjencës dhe gjithashtu në disa pavionë.

Sipas drejtuesve, spitali ka punuar me kapacitet të plotë në të tre turnet dhe po ashtu sipas tyre, medikamentet nuk kanë munguar në asnjë moment.'- njofton Avokati i Popullit.

Ora 14:53
U gjenden në ujin që pinin krutanët, çfarë janë Esheria Koli dhe Streptokoku! Shkaktojnë dhimbje dhe gjendje të rëndë shëndetësore

Nga analizat e ujit të Krujës, ku u helmuan mbi 500 persona, janë evidentuar Esheria Koli dhe Streptokoku, 2 baktere shumë të rrezikshme.

Esheria koli janë baktere që gjenden në ushqim dhe në mjedis. E. koli shkakton dhimbje të rënda dhe diarre. Këto baktere janë shkaku kryesor i diarresë të përgjakshme. Simptomat janë më të këqija tek fëmijët dhe të moshuarit, dhe sidomos tek njerëzit që kanë ndonjë sëmundje tjetër. Infeksioni E. koli është më i zakonshëm gjatë muajve të verës dhe në shtetet e veriut.

Streptokoku është një infeksion bakterial që shkakton inflamacion dhe dhimbje në fyt. Kjo gjendje e zakonshme  shkaktohet nga bakteret e grupit A Streptocoçus. Streptokoku mund të prekë fëmijët dhe të rriturit e të gjitha moshave. Sidoqoftë, është veçanërisht e zakonshme tek fëmijët në moshën 5 – 15 vjeç. Teshtima dhe kollitja mund të përhapin infeksionin nga një person në tjetrin. Simptomat e fytit të prekur nga streptokoku: Ashpërsia e fytit strep mund të ndryshojë nga personi në person. Disa njerëz përjetojnë simptoma të buta si dhimbje të fytit, ndërsa të tjerë kanë simptoma më të rënda, përfshirë ethet dhe vështirësinë në gëlltitje.

Ora 14:41
Helmimi i Krujës, prokuroria nisi hetimet! Kodi Penal parashikon dënim deri në 10 vite burg

1635320358_KRUJESPITALI.jpg

Për helmimin në Krujë Prokuroria nisi hetimet për veprën penale “ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, teksa është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve. Por çfarë parashikon Kodi Penal? Neni 201 parashikon dënimin me burg deri në 10 vjet kur kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve

Neni 201

"Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me

burgim gjer në dhjetë vjet."

Ora 14:31
Helmimi i qytetarëve në Krujë, analiza mikrobiologjike e ujit të pijshëm tregon ngarkesë bakteriale escherichia coli dhe streptokokut fekal

Analizat mikrobiologjike të ujit në Krujë kanë treguar ngarkesë bakteriale të Escherichia Coli dhe Streptokokut Fekal. Burime për Report Tv bëjnë me dije se uji është ndotur në depon e qytetit të Krujës. Uji i ndotur në Krujë ka helmuar të paktën 500 qytetarë.

Ora 14:26
Sot dita e 4 që qytetarët në Krujë vuajnë pasoja të helmimit nga uji, Ministria e Shëndetësisë: Ende në pritje të analizave bakteriologjike

 

Ministrja e Shëndetësisë ka folur sërish sot në lidhje me situatën e krijuar në Krujë, ku për të katërtën ditë me radhë, qytetarët vijojnë të paraqiten e në spital me simptoma helmimi, për shkak të ujit të pijshëm. Ministrja u shpreh se ende po pritet një përgjigje e analizave bakteriologjike.

"Jemi ende në pritje të përgjigjeve të analizave bakteriologjike që janë marrë nga pista e hetimit nga specialistët tanë. Në spitalin e Krujës gjendja është e kontrolluar. Ditën e sotme janë 14 qytetarë, mes tyre fëmijë e adoleshentë që po marrin shërbim. Sapo të marrim përgjigjet do jua komunikojmë", tha ajo.

Ora 11:07
Helmimi i banorëve, Prokuroria e Krujës: Kemi nisur hetimet, presim aktet e ekspertimit

Prokuroria e Krujës ka reaguar për herë të parë në lidhje me helmimin e rreth 500 qytetarëve nga uji i pijshëm. Burime bëjnë me dije se 130 janë paraqitur në spital vetëm mbrëmjen e djeshme.

Sipas prganit të akuzës, hetimet kanë nisur për veprën penale; “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave, e parashikuar nga neni 201 pg. 3, i Kodit Penal.

Më tej, Prokuroria bën me dije se është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve.

“Në lidhje me ngjarjen e datës 25.10.2021, ku pranë Spitalit “Stefan Gjoni” të qytetit të Krujës  janë paraqitur me shenja helmimi një numër i konsiderueshëm banorësh të këtij qyteti, duke qenë se kjo ngjarje paraqet interes për opinionin publik, bazuar në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shtetit, në lidhje me këtë ngjarje ka nisur kryesisht hetimet për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave, e parashikuar nga neni 201 pg. 3, i Kodit Penal.

Hetimet në lidhje me këtë ngjarje janë duke u kryer në drejtim të zbulimit të shkaqeve që kanë çuar në helmimin e banorëve, si dhe individualizimin e përgjegjësive penale për personat përgjegjës.

Për këtë qëllim, është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve. Janë duke u kryer hetime në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave në lidhje me këtë ngjarje.

Aktualisht jemi në pritje të përgjigjeve të akteve të ekspertimit si më sipër”

Ora 11:04
Kruja sot pa ujë, botet furnizuan qytetin vetëm mbrëmjen e djeshme në disa pika

Që prej mesditës së të hënës, furnizimi me ujë në Krujë është ndërprerë për shkak të helmimit të qytetarëve. Bashkia çoi pasditen e djeshme disa bote që shpërndanë ujë në disa pika, por ditën e sotme uji në qytet mungon. Bashkia ka deklaruar se botet do të shpërndajnë ujë edhe ditën e sotme, por megjithatë ende nuk është bërë asgjë.

Ora 10:15
Mungesa e ujit, qytetari në Krujë i revoltuar: Për të pirë po e blejmë, për t'u larë hiç! Do zëmë morra e pleshta

 

Banorët në Krujë po përjetojnë ditë jo të lehta, ku duhet të përballen jo vetëm me shqetësimet shëndetësore nga helmimi për shkak të ujit të pijshëm, por edhe me mungesën e ujit në rrjet. I revoltuar, një qytetar, pasi del nga spitali ku mori mjekimin e duhur, u shpreh se nuk kanë ujë për t'u larë.

"Erdha në spital sepse kisha dhimbje barku, dhimbje koke. Mungesa e ujit shumë problem. Qeveria duhej të na kishte sjellë ujë me bote që të hënën. Për të pirë po e blemë ujin, për t'u larë hiç. Do zëmë morra e pleshta. Pleshta mirë se nuk të bëjnë gjë, por morrat".

Bashkia e Krujës, pas shumë orësh, nisi pasditen e djeshme shpërndarjen e ujit me bote për qytetarët. Megjithatë nuk dihet nëse ky furnizim me ujë vijon edhe ditën e sotme.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 28/10/2021 01:45

    Kur pershkruat E-Coli duhet te shtonit qe ka raste qe shkakton dhe vdekje.Ketu ku jetoj une para disa vitesh ndodhi nje incident i ngjashem.Sallata ne nje ferme me prodhime organike ishte kontaminuar nga uji qe e vadisnin.Uji vete ishte ndotur nga lopet.Pati dhe vdekje.Kurse kur kam jetuar ne Tirane gjate 90'ne zonen ku jetoja,perziheshin ujerat e bardha me te zeza,nga qe kudo benin pallate ,hapnin kanale e canin tubat.Nuk ka fjale te pershkruaj ujin qe na vinte ne rubinete.Me rrenqethet mishi e me neveritet kur e kujtoj.Te tere banoret e pallatit tim e pallateve perreth perfunduan me te vjella e diarre,kurse une dhe disa te pakte kaluam Hepatitis B(verdheza).Por ne ate kohe shteti ishte inekzistent.

    Përgjigju
  • Aida: 27/10/2021 22:40

    Mjere ne ne duart e kujt kemi rene, qeveri totalisht e papergjegjshme. Ky duhet hetuar si akt terrorrist.

    Përgjigju
  • Emigrant: 27/10/2021 20:57

    Dikur ujsjellesi ish objekt i rendesis se vecant kurse tani ne ujsjelles o rezervatet e ujit te piahem hidhen bagetit e ngordhura o derdhen ujrat e zeza

    Përgjigju
  • Ligji: 27/10/2021 19:22

    Prokuroria gjoja paska nisur hetimet. Cfare turpi. Eshte helmuar nje qytet i tere dhe eshte njelloj si nje te jemi perpara nje akti terrorist. Ku jane prangat per zyrtaret pergjegjes apo ju jane mbaruar duke arestuar fukarenje??? Shpikja ishte ajo e djeshmja qe uji ishte kontaminuar nga shiu. Po bije E coli,streptokoku dhe amoniaku nga qielli o njerez, merrni cadrs speciale me vete. Turp. Burimet e ujrave grumbullohen, trajtohen dhe disinfektohen nga Ujesjellesi. Atehere ku eshte kontaminuar ky uje??? Pergjegjesia eshte e paster fare por prokuroria dhe policia nuk po e gjen dot.Qeveria hesht, opozita esjte e zene me foltoren e Sali Qametit. Shoqeria civile eshte e blere. Mediat nuk kanr guxim ti vene emrin fajtorit. Guximi qytetar eshte strukur. Specialistet heshtin. Uji eshte burimi dhe themeli i jetes more mjerane, mos prisni ta provoni neser ne kurrizin tuaj se eshte e tmerrshme. Priteni tani kur te arestojne ndonje roje qe gjojs si ka hedhur thesin me klor ujit. Cudis me e madhe tre dite zgjat. Llalla - Cela dhe Kraja i spak nuk dallojne fare nga njerj tjetri. Na rrofte reforma.

    Përgjigju
  • Loshi: 27/10/2021 17:28

    Nuk duhet nxituar per te gjet sabotatoret dhe hedhur fajin tek agjenturat e huaja... Film i pare ky per 50 vite me rradhe. Ujerat e zeza nese nuk trajtohen ka rrezik qe te filtrojne ne burimet ekzistuese dhe ndaj klorimi duhet te behet ne cdo rast. Duhet hetuar nese ujesjellesi ka prokuruar fonde per klorimim dhe nese eshte kryer sistematikisht ky proces. Lerini institucionet te thone fjalen e tyre ne baze te hetimeve

    Përgjigju
  • liku: 27/10/2021 17:19

    Ujesjellesi duhet te mbaje pergjegjesi ne qofte se nuk ka roje tek depo e ujit

    Përgjigju
  • Tata: 27/10/2021 16:31

    Ndotja e ujit esht nje nder krimet me te renda,masive,sidomos me fekalet,pasi ka pasoja afatgjata escheriacoli,qe do kurim serioz,pasi eshte gjallese qe shkaterron melcine e zorret,por me siguri kur ujerat e zeza derdhen nentoke,filtrojne direkt dhe analizat e kontrollet e tubacioneve jane thelbesore

    Përgjigju
  • Agjenti: 27/10/2021 16:06

    Pse ka prokurori Kruja?

    Përgjigju
  • LORA: 27/10/2021 15:24

    Kushdoqofshin duart qe e kane bere kete helmim te ujit te pijshem ne Kruje, duhen zbuluar dhe trajtuar si kriminele kunder njerezimit. Ne te kundert , ky eshte precedent shume kercenues per jeten e gjithe shoqerise shqiptare

    Përgjigju
  • Elona: 27/10/2021 11:38

    Besoj te jete pa dem e te kaloj shpejt e ti kene te shkuara , po keshtu eshte kur hapen dyert per Ruset si han me 7 porta.Uroj mos te kete lidhje sepo ja fus ashtu kot por ne jemi katandisur shtet pa kurrfare rregulli.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?