Deri para disa muajsh ishin rivalë, me fanella të ndryshme dhe në skuadra që prej dekadash kanë prodhuar edhe viktima mes tifozëve, për shkak të ndjeshmërisë në derbin e Romës.
Bëhet fjalë për Edoardo Boven, ish-mesfushorin e Romës dhe Danilo Cataldin, ish-mesfushorin e Lazios. Fati e deshi që këtë sezon dyshja të luajnë së bashku me fanellën e Fiorentinës dhe rrugët të kryqëzoheshin.
Fundjavën që lamë pas (të diel) Bove pësoi një kolaps kundër Interit dhe u shemb në tokë, ndërsa Cataldi ishte ndër të parët që u afrua për t'i dhënë ndihmën e parë. Me lotët dhe panikun që mbërthyen lojtarët në fushë, Cataldi u afrua dhe i "kapi gjuhën Boves, duke bërë që të merrte sërish frymë".
Një veprim i tillë ka sjellë edhe shpëtimin e jetës së Boves, që për fat të mirë ka lënë pas rrezikun dhe ndodhet në spitalin e Firenzes në gjendje të stabilizuar dhe i kthjellët, me analizat e detajuara që do vijojnë më tej.
Ndërhyrja e Cataldit s'është rastësi
Mesfushori i Fiores, Danilo Cataldi është i pajisur me një certifikatë ndërkombëtare nga Shoqata Amerikane e Zemrës ACLS për të ndihmuar në raste të tilla, gjë që e mësoi kur ishte pjesë e trajnimeve të Lazios.
"Lazio i mësoi atij ndihmën e parë, e cila është trashëgimia kulturore e të gjithë lojtarëve të klubit. Danilo ka një certifikatë ndërkombëtare nga Shoqata Amerikane e Zemrës ACLS për të ndihmuar njerëzit në çdo situatë emergjente", tha mjeku kryesor i Lazios, Ivo Pulcini, pas rastit të Bove.