Report Tv ka zbardhur detaje nga dosja e SPAK sa i takon hetimeve për fshehje të pasurisë së ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Si pasuri e fshehur e Beqajt përmendet edhe një automjet i blerë në vitin 2019, i cili rezulton i regjistruar në emrin e Ermal Kurtulaj, koordinator i projektit EUSAIR që menaxhohej nga SASPAC.
SPAK thotë se Ermal Kurtulaj kishte njohje të hershme me Beqajn, që në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+. Për ta vërtetuar këtë pretendim, SPAK thotë se makina përdorej në vazhdimësi nga shoferi i Beqajt ndërkohë që edhe për 3 gjoba figuron që i pranishëm ka qenë shoferi Arben Dani.
“Gjatë hetimeve ka rezultuar se shtetasi Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me ish- drejtuesin e Agjencisë (SASPAC) shtetasin Ilir Beqaj, të cilat datojnë që në kohën kur shtetasi Ilir Beqaj ka qenë ortak i shoqërisë Intech+ duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH. ku drejtues i Këshillit Mbikeqyrës ka qenë vetë shtetasi Ilir Beqaj dhe më pas më krijimin e kësaj agjencie, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point. Po ashtu rezulton se shtetasi Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme automjetin, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, i cili rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Ermal Kurtulaj, duke u ngritur dyshime se mjeti mund të jetë pasuri e fshehur e shtetasit Ilir Beqaj. Automjeti rezulton të jetë blerë në 06.09.2019 dhe shtetasi Ilir Beqaj në atë kohë ka qenë deputet I Republikës së Shqipërisë. Ky mjet më pare ka patur targën AAAA868 YP targe e ndryshuar në datën 27.06.2022. Po ashtu nga këqyrja e realizuar në media referuar dhe gjobave të marra, ky shtetas është paraqitur edhe në Prokurorinë e Posaçme me këtë mjet. Ai ka dale përgjatë vitit 2020 me këtë mjet jashtë territorit dhe në vazhdim normalisht me drejtues shoferin e tij shtetasin Arben Dani”- theksohet në dosje.
Vlera e mjetit rezulton të jetë mbi 1.3 milionë lekë, ndërsa gjoba e fundit i është vendosur në datën 12 dhjetor, kur Ilir Beqaj u paraqit në SPAK në respektim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga GJKKO përsa i takon hetimeve për koncesionin e Sterilizimit.
“Sipas të dhënave të marra nga sistemi online i DPSHTRR-së rezulton se sipas procesit automatik të amortizimit të vlerës së mjetit datë 01.02.2020 vlera e mjetit është 1.340.790 lekë. fakt i cili tregon se mjeti është blerë mbi këtë shumë. Nga këqyrja në sistemin E-Gjoba rezulton se ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qënë Arben Dani, si dhe gjoba e fundit me di. 12.12.2023 rezulton e vënë në momentin kur mjetin e ka patur në përdorim Ilir Beqaj. parkuar para SPAK (sipas këqyrjes nga interneti, mediat)”- thuhet më tej në dosje.
Lajmi kryesor:
Report Tv zbardh dosjen/ Lidhjet e Beqajt me Ermal Kurtulën! Nga projekti me fondet e BE, fatura fiktive drejt bizneseve! Paratë nga projekti EUSAIR shkonin te ‘Gzona’
B.V/ReportTv.al