Olsian Çela dhe Altin Dumani

Politikë

Hetimi i krimeve zgjedhore/ Përgjimet, monitorimi në terren dhe i votës së diasporës! Çfarë parashikon SPAK e Prokuroria për zgjedhjet e 11 majit?

21 Shkurt, 09:18| Përditesimi: 21 Shkurt, 10:14

  • Share

TIRANE-  Organizatat vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE/ODIHR, Komisioni Evropian dhe Misioni Amerikan pranë OSBE-së, kanë shprehur shqetësime të vazhdueshme lidhur me krimet elektorale në kuadër të zgjedhjeve në Shqipëri.

Në këtë kuadër SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme angazhohen të kenë një bashkëpunim të dedikuar dhe efektiv si dhe hartuan strategjinë për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.

Qëllimi është hetimi i autorëve që prekin zgjedhjet, të goditet krimi zgjedhor, të ndalohet manipulimi i votës dhe hetohet ai që tenton të deformojë vullnetin e qytetarëve.

Për të unifikuar praktikën e hetimit të krimeve elektorale prokuroria e Përgjithshme hartoi një udhëzim i cili u shpërnda për median më 19 shkurt, ndër të cilat hetimet proaktive parashikonin dhe metodat e vëzhgimit e përgjimit. Ndërkohë SPAK objekt hetimi ka identifikimin dhe parandalimin e ndikimit të krimit të organizuar, korrupsionit të funksionarëve të shtetërorë në zgjedhje dhe rezultatin e 11 majit. Monitoron përdorimin e buxhetit të shtetit dhe gjurmon verifikimin e fondeve të përdorura për blerjen e votave.

Këto dy strategji nxitën kryeministrin të reagonte paraditen e 20 shkurtit duke e quajtur lajthitje, dhe kërkoi të ndalet survejimi i partive. Pak orë pas kësaj deklarate SPAK bëri transparente dhe publikoi strategjinë ku parashikonte monitorim në kohë reale të të gjithë territorit. Në vëmendje të SPAK do të ishte votimin i shqiptarëve të diasporës

Çfarë deklaroi Rama?
Kryeministri Rama kërkoi të tërhiqen nga strategjia për monitorimin në terren pasi nuk mund të cënohen të drejtat e pushtetit ekzekutiv, të survejohen partitë politike në fushatë.

“Respektimi i standardeve demokratike i një drejtësie europiane që nuk mund të justifikojë qasje dhe metoda të sigurimit të shtetit është një tjetër betejë për t’u bërë, por ama në mënyrë konstruktive.  Si aleatë dhe partnere të drejtësisë, pushtete të ndara. Dhe patjetër dhe në mënyrë shumë të vendosur sepse nuk mund dot të cenohen të drejtat e pushtetit ekzekutiv, nuk mund dot të cenohen te drejta për të marrë vendime, nuk mund dot të trysnohet administrata e shtetit, punonjësit e shtetit. Nuk mund dot të paragjykohen.

Nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet.

Përpjekja e përbashkët për të luftuar dhe për krimet elektorale bëhet secili në pozicionin e vet kushtetues dhe në llogoren e vet. Dalja nga këto pozicione është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptareve dhe të përfaqësuesve të tyre. Kështu që të gjitha këto janë me rëndësi për t’u diskutuar…

Ata kanë të drejtë të marrin vendimet e tyre, ndërkohë që ne vendosim në punën tonë, kemi të drejtë të marrim vendimet tona dhe nuk duhet të interferojmë tek njeri tjetri" deklaroi dje Rama. 

Kush është objektivi i Strategjisë së SPAK?
Strategjia e SPAK udhëhiqet nga qasja proaktive e hetimit dhe provueshmëria në kohë reale e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve, duke synuar efekte konkrete për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe pacenueshmërinë e të drejtës së qytetarëve për të votuar në zgjedhjet për Kuvendin 2025. Kjo Strategji synon të parandalojë ndikimin e krimit të organizuar në integritetin e procesit zgjedhor, përmes masave konkrete dhe përdorimit sa më efektiv të teknikave të posaçme hetimore.

Strategjia rendit 7 pika kyçe
1-Identifikimi sa më i shpejtë i indicieve mbi mundësitë e kryerjes së veprave penale dhe shkeljeve ligjore në kuadër të zgjedhjeve që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor.
2- Identifikimi dhe parandalimi i ndikimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të funksionarëve shtetërorë dhe subjekteve private në procesin zgjedhor për të siguruar një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor për Kuvendin 2025.
3- Përmirësimi i kapaciteteve hetimore të Prokurorisë së Posaçme për të hetuar dhe ndjekur rastet e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve në mënyrë efektive.
4- Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut mbi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet hetimore dhe rolin e tyre ndërveprues në parandalimin e krimit zgjedhor.
5- Rritja e efektivitetit të bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet publike, shoqërinë civile, median dhe çdo subjekt privat për të parandaluar veprat penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025.
6- Parandalimi i ndikimit të jashtëm dhe manipulimit të procesit zgjedhor përmes monitorimit në kohë reale dhe ndërhyrjes së shpejtë në rastet e dyshimta të shkeljes së ligjit.
7- Kryerja e hetimeve profesionale dhe të shpejta për subjektet që kryejnë shkelje zgjedhore, duke dërguar një mesazh të qartë se krimi zgjedhor do të ndiqet dhe ndëshkohet.

Çfarë parashikon strategjia e SPAK?
Strategjia parashikon ngritjen e grupeve hetimore në terren që do të monitorojnë në kohë reale dhe hetim dinamik për identifikim e individëve të përfshirë në krim dhe të grupeve të strukturuara kriminale të cilat dyshohen se ndikojnë në zgjedhje.

-Përfshirja e grupeve hetimore në terren për të monitoruar në kohë reale situatat për të cilat mund të ketë indicie për kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025.
-Identifikimi jo vetëm i subjekteve të posaçme apo individëve të përfshirë në korrupsionin aktiv dhe pasiv në zgjedhje, por dhe i grupeve të strukturuara kriminale të cilat dyshohen se ndikojnë në zgjedhje.
-Monitorimi i përdorimit të buxhetit, investimeve dhe infrastrukturës publike, të cilat nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme.
-Strategjia i vendos theks të veçantë masave parandaluese për të siguruar një bashkëpunim në kohë reale me publikun, gazetarët/median dhe shoqërinë civile në lidhje me sensibilizimin por dhe denoncimin e rasteve të dyshuara.

Si do parandalohet blerja e votës së diasporës?
Në monitorim të SPAK do të jetë dhe vota e diasporës, megjithëse Prokuroria e Posaçme pranon se do të jetë e ndërlikuar por se do të bashkëpunojë me autoritetet e shteteve të tjera.

"Votimi i shqiptarëve të diasporës përbën një sfidë të re dhe të ndërlikuar për hetimin e mundshëm të shkeljeve zgjedhore. Identifikimi i autorëve të manipulimeve të mundshme apo blerjes së votave në një kontekst ndërkombëtar do të kërkojë bashkëpunim më intensiv me autoritetet ligjzbatuese të vendeve të tjera. Kjo mund të shtojë kompleksitetin procedural dhe të vonojë hetimet, për shkak të vështirësive në shkëmbimin e informacionit dhe ekzekutimin e kërkesave për ndihmë të ndërsjelltë juridike" shkruhet në strategjinë e SPAK

Ku do të përqëndrohet SPAK?
SPAK do përqëndrojë burimet hetimore në ato zona ku janë shfaqur më parë raste të krimeve zgjedhore. Ndërsa do të punojë për të siguruar një bashkëpunim  në kohë reale me publikun, gazetarët/median dhe shoqërinë civile në lidhje me sensibilizimin por dhe denoncimin e rasteve të dyshuara.
-Do të përdoren teknika të posaçme të hetimit, përfshirë hetimet financiare dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, për të siguruar një hetim të shpejtë dhe efektiv të rasteve.
-Në faqen zyrtare online të SPAK do të ngrihet një platformë e dedikuar për denoncimin e rasteve.
-Do të ketë komunikim në kohë reale me publikun dhe KQZ.
-Gjatë periudhës zgjedhore do të ketë një bashkëpunim të dedikuar me Prokurorinë e Përgjithshme, zyrat e prokurorive pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, KQZ, Policinë e Shtetit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare (AIF), Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH)  organizmat ndërkombëtar, organizata të shoqërisë civile për të rritur efektivitetin e hetimeve për veprat penale në kuadër të zgjedhjeve.

Çfarë do të verifikohet nga marsi deri në 30 maj 2025?
-Verifikimi në terren i indicieve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.
-Verifikim i raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike, gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme.
-Monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale për indiciet e mundshme për kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve.
-Intensifikimi i bashkëpunimit të ngushtë me agjencitë ligjzbatuese, AIF, sektorin bankar dhe atë financiar.

Kush janë sfidat e SPAK dhe çfarë thotë për presionin politik? 
Një nga sfidat kryesore në zbatimin e kësaj Strategjisë është numri i kufizuar i burimeve njerëzore. Me vetëm 20 prokurorë, 60 hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe 12 hetues financiarë, SPAK do të duhet të mbulojë të gjithë territorin e Shqipërisë, duke garantuar një ndjekje efektive të të gjitha rasteve të dyshuara.

SPAK është i vetëdijshëm për presionet politike dhe presionet nga jashtë

“Hetimi i veprave penale në kuadër të zgjedhjeve shpesh mund të jetë subjekt i presioneve politike dhe ndërhyrjeve të ndryshme të jashtëligjshme, të cilat mund të synojnë devijimin ose vonesën e hetimeve. Këto ndërhyrje mund të ndikojnë tek dëshmitarët, tek të hetuarit apo edhe tek institucionet përgjegjëse për hetimin dhe gjykimin e rasteve. Garantimi i pavarësisë së SPAK nga të gjithë aktorët dhe sigurimi i mbështetjes institucionale do të jenë thelbësorë për të përballuar këtë sfidë” nënvizon strategjia.

Kush është plani i prokurorisë së Përgjithshme?
Cdo prokurori do të krijojë seksione të posacme kundër krimit zgjedhor me përbërje prokurorë oficerë gjyqësorë

Udhëzimi i Prokurorisë parashikon hetime proaktive, duke përdorur mjetet e posaçme të hetimit.  Ndërkohë Prokuroria ka firmosur dhe një marrëveshje bashkëpunimi me policinë e shtetit ku saktësohet dhe metodat e punës për të hetuar krimin zgjedhor mes tyre dhe “veprime të posaçme si kontrolle, sekuestrime, vëzhgime, përgjime, dhe ndalime/arrestime në raste të nevojshme”.

“Prokurori, në respektim të procedurës ligjore, autorizon ose, mbi kërkesën e tij, me vendim gjyqësor autorizohet përdorimi i mjeteve të posaçme të hetimit. Përmes dhënies së detyrave oficerëve të policisë gjyqësore dhe kontrollit apo mbikëqyrjes së zbatimit të tyre, mundësohet si parandalimi dhe/ose ndërprerja e mëtejshme e veprimtarisë kriminale, ashtu edhe goditja dhe finalizimi i procedimeve me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e personave të përfshirë në kryerjen e veprave penale në këtë fushë’ thuhet në udhëzimin e prokurorisë.

Në marrëveshjen e bashkëpunimit firmosur mes dy institucioneve policia ndërmerr masa për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe denoncuesve të veprave penale zgjedhore.

Po kështu  pas regjistrimit të procedimit penal, do të përcaktohen afate kohore të përshpejtuara dhe mbikqyrje të vazhdueshme të zbatimit të urdhrave të tyre deri në përfundimin e hetimeve paraprake.

Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet ruajtjes së provave që mund të ndryshojnë ose të humbasin me kalimin e kohës, si dhe marrjes në kohë të dëshmive nga kallëzuesit dhe personat që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes’thuhet në udhëzim.

Si do shmanget zgjedhja e kandidatëve me precedentë?

Në udhëzimin e prokurorisë saktësohet se sektori i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjitshme trajton me prioritet kërkesat e KQZ-së për verifikimin e integritetit të personave kandidatë për t'u zgjedhur, kërkesa të shoqëruara me formularët e vetëdeklarimit dhe relacionin/dokumentacionin përkatës, për verifikimin e thelluar në bashkërendim me prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm dhe me agjencitë e zbatimit të ligjit, si brenda vendit, ashtu dhe ato ndërkombëtare, për të shmangur zgjedhjen e atyre kandidatëve që i ndalohet të ushtrojnë funksione publike.

Si do bashkëpunojë SPAK me Prokurorinë e Përgjithshme?
Në këto zgjedhje Prokuroria e Përgjithshme e SPAK angazhohen të kenë një bashkëpunim të dedikuar, takime të përbashkëta e shkëmbim informacioni të plotë, në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt për veprat penale në fushën e zgjedhjeve dhe autorët e tyre”

Sigurojnë kalimin dhe/ose tërheqjen e akteve drejt ose nga SPAK në një kohë sa më të shpejtë, duke garantuar efektivitetin dhe vazhdimësinë e hetimeve proaktive. Kjo zbatohet në rastet kur, gjatë hetimit, evidentohen subjekte ose vepra penale për të cilat prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm nuk kanë kompetencë lëndore’ thuhet në udhëzimin e prokurorisë së përgjithshme të firmosur më 18 shkurt 2025.

Po policia çfarë garanton?
Në marrëveshjen e firmosur me prokurorinë policia angazhohet

-Të caktojë pranë çdo seksioni të posaçëm një numër të nevojshëm oficerësh të policisë gjyqësore nga shërbimet e Policisë së Shtetit, sipas kërkesës së drejtuesit të prokurorisë së shkallës së parë, si dhe dhe garantojë palëvizshmërinë e tyre.
-Të sigurojë palëvizshmërinë e oficerëve të caktuar sipas pikës 1 të këtij neni.
-Të caktojë oficerë të policisë gjyqësore të specializuar
-Të vendosë në dispozicion të seksioneve të posaçëm, ekspertizë, pajisje logjistike dhe grupe operacionale.
-Në kuadër të parandalimit dhe hetimit të krimeve zgjedhore: 
angazhohet të forcojë masat e sigurisë pranë qendrave të votimit dhe institucioneve të përfshira në procesin zgjedhor, me qëllim garantim e integritetit të procesit zgjedhor;
-Të monitorojë dhe raportojë në kohë reale veprime të dyshimta që mund të përbëjnë vepra penale në fushën e zgjedhjeve;
-Të bashkëpunojë ngushtë me Prokurorinë për mbledhjen dhe administrimin e provave me qëllim dokumentimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, duke informuar në kohë atë;
-Të reagojë shpejt ndaj informacioneve dhe denoncimeve që lidhen me krimet zgjedhore, duke kryer verifikimet paraprake e procedurale dhe referuar çështjet në Prokurori;
-Të ruajë paanshmërinë, të veprojë në përputhje me Kodin zgjedhorë dhe aktet e tjera nënligjore, pa ndikuar në procesin zgjedhor.

Cilat janë krimet zgjedhore?
Kodi Penal aktual përmban tetë nene ku parashikohen vepra apo kundravajtje penale që cenojnë proceset zgjedhore.

Tetë nenet e Kodit Penal për krime zgjedhore
Vepra penale dhe kundravajte penale përbëjnë veprimet e parashikuara në nenet si vijon të ligjit penal
Neni 325 Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese;
Neni 326 Falsifikimi i dokumenteve dhe i rezultateve të zgjedhjeve;
Neni 327 Shkelja e fshehtësisë së votimit;
Neni 328 Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve;
Neni 329 Kanosja e zgjedhësit;
Neni 330 Kanosja e kandidatëve;
Neni 331 Shkelja e së drejtës së zgjedhjes;
Neni 332 Shpërdorimi i autoritetit ushtarak.

Procedimet penale iniciohen edhe me bazë Kodin Zgjedhor për veprime si votimi më shumë se një herë apo braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve.

Strategjia e Hetimit dhe Parandalimit te Krimit Zgjedhor per Zgjedhjet per Kuvendin

Kliko ketu per te lexuar udhezimin e Prokurorit te Pergjithshem per zgjedhjet

Marrëveshja e bashkëpunimit

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • drejtesia e munguar: 21/02/2025 13:51

    Ne vite kush e ka ndaluar prokurorine te hetoj krimet zgjedhore?Vec pa aftesise se tyre dhe berja pale me politiken.Por dicka duhet saktesuar:prokuroria nuk eshte ,polici sekrete apo polici ne dore te prokuroreve.Cilat jane detyrat e SHIK-ut,po te policise shteterore?Nga sa degjojme,pa aftesin e tyre per te bere punen e mbulojne me keto menyra.Shteti nuk eshte vetem prokuroria,qofte kjo edhe speciale.A kryen hetime per krime elektorale ne bote?Zhurma me duket e tepruar dhe do te dale pa sukses.Kontestime nga humbesi do te kete, se ndryshe nuk mund te qendrojne ne karigen e pushtetit a te partise me humbje te pranuar.

    Përgjigju
  • lali: 21/02/2025 13:17

    shikoni ato punonjesit e bashkise durrs i keni neper qytete italiane duke be propagande rrogen e marin dhe andej mire jane pse keq

    Përgjigju
  • erano: 21/02/2025 13:17

    Dy fjal kam per zotrinjt .. ose nuk areatihet sali berisha ...

    Përgjigju
  • kafe e hidhur: 21/02/2025 10:16

    problem do jete vota e diaspores.si do mbrohet?si do vërtetohet qe zarfi qe eshte nis ne emer te atyre qe jane regjistruar eshte vertet postuar nga votuesi dhe jo nga persona te tjere??do monitorohet posta shqiptare??se ne shqiperi te pakten kane nje balance mes paleve qe ruajne njeri tjetrin.po ne rastin e diaspores ke te besh vetem me institucionet shqiptare qe funksionojn duke bere mbjedhje ne sheshin skenderbe dhe jo ne zyrat institucionale ..

    Përgjigju
  • Zjarr: 21/02/2025 09:59

    Apa-paa, do shikojmë gallatë këto zgjedhje, do mbushen fugonat e policisë plot me këto lyrashët që blejnë vota. Do përfundoj mren edhe ndonjë komandar zgjedhor. Do dali Ramaliu tu bërtit me të modhe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se në primaret e PD do të fitojnë kandidatët më të mirë?