Një pikë interesante gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, Sterilizimi dhe Check-Up, ishte pyetja që kryetarja demokrate Albana Vokshi i bëri dëshmitarit, mjekut epedimiolog Genc Byrazeri, duke i kujtuar konfliktin e interesit me ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, si kushëri i tij.
“A keni pasur konflikt interesi në detyrën që ushtruar pasi u caktuat si ekspert i jashtëm për Komisionin e Koncesionit, duke qenë se ju jeni edhe kushëri i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj?”, e pyeti Vokshi.
Kurse Byrazeri iu përgjigj duke e mohuar në këtë rast konfliktin e interesit.
“Faleminderit zonja kryetare, e prisja këtë pyetje në këtë mbledhje. Por ju kujtoj se puna ime në këtë detyrë si ekspert i jashtëm daton shumë hershëm, e thashë që në kohën kur ministër ishte deputeti Petrit Vasili si ministër. Që nga viti 2011 dhe deri në 2019. Siç e thashë, puna ime kishte të bënte vetëm me hartimin dhe studimin e Fizibilitetit dhe jo me marrje vendimesh, si ekspert i jashtëm dhe më pas jam larguar. Nuk ka ndikuar aspak lidhja ime e miqësisë. Kur unë ushtroja këtë detyrë, zoti Beqaj nuk njihej fare”, u shpreh mjeku.
Gjithashtu ai bëri krahasimet e studimit të kryer duke krahasuar shifrat zyrtare të vetë spitaleve. Byrazeri theksoi se infeksionet apo kontaminimet dhe ndotjet në spitale shkonin deri në 65% dhe në shumë raste përfundonin me fatalitete.
“Ka pasur edhe 45% shkallë kontaminimi, janë shifra zyrtare, unë i kam mbledhur nga spitalet. Ka pasur shifër të lartë vdekjesh si pasojë e kontaminimeve në spitale. Pas koncesionit shifrat e grumbulluara po zyrtarisht tregojnë se janë ulur deri në 45%. Janë shifra të 2015 dhe më pas. Kontaminimet shkojnë me 5 apo 6,5%, me ulje të ndjeshme”, tha ai.
Në fund theksoi se “situata ka qenë alarmante”.
Lajmi kryesor:
Sterizilimi/ Kushëriri i Beqajt dëshmon në Komision Hetimor, mjeku Genc Byrazeri: Firmosa vetëm studimin e fizibilitetit! KLSH s’merr vesh nga termat mjekësorë
A.Q//ReportTv.al