Duke u kërkuar deputetëve të mos i heqin minutat e tij të famës, mjeku Genc Byrazeri nisi dëshminë përpara Komisionit Hetimor të Shëndetësisë.
Ai u dha shpjegime opozitarëve se pse kish pranuar të ishte pjesë e koncesionit të sterilizimit, teksa është edhe kushëri i parë me ministrin e kohës, Ilir Beqaj.
“Në vitin 2014 ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja më emëroi si një nga anëtarët e Komisionit të Koncesionit. S’kam qenë pjesë organike apo hierarki administrative. Jam dorëhequr më 5 Maj 2015, dorëheqje për arsye personale, pak pasi mbaroi studimi i Fizibilitetit për koncesionin, pasi kjo ishte detyra ime dhe për këtë përgjigjem. Jam gati të flas e përgjigjem për çfarë përmban pozicioni im për studim fizibiliteti dhe kur mbaroi jam larguar”, tha Byrazeri.
Byrazeri, i cili është edhe nën hetim nga SPAK për këtë çështje, tha se vetë nuk e kishte ndjekur zbatimin e kontratës, por se bazuar në studimet për infeksionet spitalore, kishte mbështetur këtë reformë të udhëhequr nga Beqaj.
“Një pjesë janë marrë parasysh nga konstatimet e bëra dhe një pjesë jo. Ky është vetëm një studim fizibiliteti dhe vendimet i marrin të tjerët. Një pjesë u morën parasysh dhe shumë mirë u bë, por detyra ime kjo ishte. Ndaj edhe kam firmosur, sepse profesioni im është mjek epedimiolog, të kontrolloj gjendjen, gjithmonë për pjesën time. Unë kam firmosur për pjesën time”, tha Byrazeri.
Mjeku hodhi poshtë raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për abuzime financiare me këtë procedurë.
"KLSH nuk merr vesh nga gjetjet shëndetësore", tha ai.
Mes socialistëve, pati nga ata që pas 4 orësh dëshmi, u pozicionuan përkrah mjekut i cili është nën masë sigurie nga SPAK.
"E padrejtë të jeni në masë sigurie", tha deputeti Ilir Pendavinji.
Listës së dëshmitarëve pritet t’u shtohet nga burgu në Kuvend edhe ish-ministri Ilir Beqaj dhe biznesmeni përfitues, Ilir Rrapaj.
Pjesa e fundit e mbledhjes së Komisionit të Shëndetësisë për Koncesionet e Sterilizimit dhe Check-Up u përqendrua tek pyetjet që deputetët anëtarë të forcave politike i drejtuan mjekut dëshmitar, ish-anëtarit të komisionit, Genc Byrazeri.
I pyetur nëse do e bënte dhe firmoste përsëri tani një studim fizibiliteti të tillë, duke iu referuar statistikave dhe shifrave zyrtare, ai e pohoi, por ndau aspektin personal nga ai profesional. Byrazeri theksoi “periudhën shkatërruese” që të shkakton kjo lloj dinamike dhe ekspertizë, e që ndikon në familje, por profesionalisht këmbënguli se do e bënte përsëri.
“Nuk do t’i hiqja asnjë presje atij studimi Fizibiliteti. Po do e bëja përsëri, pa mëdyshje. Sepse ishte dhe është i nevojshëm. Do ishte kriminale të mos bëhej. Ndërhyrja duhej bërë se s’bën, shifrat dhe situata ishin alarmante dhe tani tregon se kanë ndryshuar”, tha ai. Ndërsa këmbënguli se tani gjendja në spitale përsa i përket pjesës së infeksioneve dhe kontaminimit është përmirësuar ndjeshëm dhe ka siguri gati maksimale, duke këshilluar shqiptarët që “të mjekohen dhe operohen në shtet”.
I pyetur për mendimin e tij nëse ky standard shërbimi duhet të vazhdojë, Byrazeri dha mendimin e tij si specialist pohues, pasi theksoi se “shpëtohen jetë”.
“Duhet të vazhdojë, sepse një dite e munguar e këtij shërbimi, është katastrofike. Mjekësia nuk është matematikë, investimet duhen bërë, nuk mund të parashikosh në fund rezultatet. Por sikur një jetë të shpëtosh, është shumë e vlefshme dhe tregon se ia vlen. Jeta nuk ka çmim”, tha ai.
Në fund bëri edhe një propozim se këto shërbime mund të mos vijonin siç janë bërë, por më afatshkurtra dhe të monitoruara.
“Mund ta marrë edhe vetë shteti, por në disa procedura do ishte e vështirë, edhe pse profesionalizimi nuk mungon, por në të 6 shërbimet do ishte e vështirë dhe sfiduese për shtetin. Por në disa shërbime mund të realizohet, ta marrë shteti. Këto koncesione apo tenderime mund të bëhen me periudha më të shkurtra dhe kontroll më të rreptë, me raportime mujore apo gjashtëmujore. Edhe një jetë të shpëtojë, diskutimet tona të mëtejshme janë pa moral”, tha mjeku.
Byrazeri shkaktoi edhe ilaritet tek disa nga deputetët me një prej deklaratave të tij, kur shpjegoi aspektin personal të kësaj pune dhe impaktin që kishte te familja (duke përfshirë edhe lakimin e emrit të tij apo hetimin parlamentar), teksa kujtoi se në vendin tonë ka “shoqëri të prapambetur”, e cila ndikon te gjithkush.
Një pikë interesante gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, Sterilizimi dhe Check-Up, ishte pyetja që kryetarja demokrate Albana Vokshi i bëri dëshmitarit, mjekut epedimiolog Genc Byrazeri, duke i kujtuar konfliktin e interesit me ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, si kushëri i tij.
“A keni pasur konflikt interesi në detyrën që ushtruar pasi u caktuat si ekspert i jashtëm për Komisionin e Koncesionit, duke qenë se ju jeni edhe kushëri i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj?”, e pyeti Vokshi.
Kurse Byrazeri iu përgjigj duke e mohuar në këtë rast konfliktin e interesit.
“Faleminderit zonja kryetare, e prisja këtë pyetje në këtë mbledhje. Por ju kujtoj se puna ime në këtë detyrë si ekspert i jashtëm daton shumë hershëm, e thashë që në kohën kur ministër ishte deputeti Petrit Vasili si ministër. Që nga viti 2011 dhe deri në 2019. Siç e thashë, puna ime kishte të bënte vetëm me hartimin dhe studimin e Fizibilitetit dhe jo me marrje vendimesh, si ekspert i jashtëm dhe më pas jam larguar. Nuk ka ndikuar aspak lidhja ime e miqësisë. Kur unë ushtroja këtë detyrë, zoti Beqaj nuk njihej fare”, u shpreh mjeku.
Gjithashtu ai bëri krahasimet e studimit të kryer duke krahasuar shifrat zyrtare të vetë spitaleve. Byrazeri theksoi se infeksionet apo kontaminimet dhe ndotjet në spitale shkonin deri në 65% dhe në shumë raste përfundonin me fatalitete.
“Ka pasur edhe 45% shkallë kontaminimi, janë shifra zyrtare, unë i kam mbledhur nga spitalet. Ka pasur shifër të lartë vdekjesh si pasojë e kontaminimeve në spitale. Pas koncesionit shifrat e grumbulluara po zyrtarisht tregojnë se janë ulur deri në 45%. Janë shifra të 2015 dhe më pas. Kontaminimet shkojnë me 5 apo 6,5%, me ulje të ndjeshme”, tha ai.
Në fund theksoi se “situata ka qenë alarmante”.
Mbledhja e Komisionit Hetimor për Koncesionet e Sterilizimit dhe Check-Up në Shëndetësi është shoqëruar me debate të forta mes dy kampeve politike.
Teksa ish-anëtari i Komisionit, Genc Byrazeri po u përgjigjej pyetjeve, ka qenë nënkryetari, deputeti socialist Plarent Ndreca, që i tërhoqi vëmendjen kryetares, deputetes së PD-së, Albana Vokshi, se po bënte pyetje duke shkelur ligjin dhe intimiduar dëshmitarin.
Kjo ndërhyrje solli edhe debate të forta për disa minuta, duke bllokuar dëshminë.
Pjesë nga debati:
Ndreca- Po bën pyetje intimiduese ndaj dëshmitarit Byrazeri. Pyetjet e tua janë intimiduese, orientuese, sugjestionuese dhe që kërkojnë përgjigje te caktuara. S’mund të bëhet sipas qejfit...
Vokshi- Ju punoni me mesazhe!
Ndreca- Me mesazhe punoni ju, unë s’punoj me mesazhe. Ke bërë 3 herë të njëjtën pyetje, nuk lejoj të bëhen këto pyetje që e drejtojnë dëshmitarin në përgjigje të caktuara, se e kufizoni.
Vokshi- Unë lexova ligjin, po pyes Byrazerin për marrëveshjen e bërë për firmosje të procesverbaleve, informim për publikun.
Ndreca- Ke 20 minuta që flet, s’ke të drejtë të pakufizuar fjale, janë të drejta të kufizuara dhe po përmend ligjin.
Vokshi- A mund të mbarosh?
Ndreca- A do bësh mbledhje? Kur mbaroj e di unë, nuk më thua dot mua të mbaroj. Lëri këto sjellje, se s’janë të hijshme, mbaroj kur e gjykoj unë. Dua dinjitet për dëshmitarin dhe ne e përdhosim se është turp!
Vokshi- Mos ma ngri zërin!
Ndreca- E ngre qe ç’ke me të, s’të marr leje ty, këtë instrument kam, zëri e qytetarëve shqiptarë!
Vokshi- Po bërtet, mos ma ngri zërin mua...!
Ndreca- Mos ndërhyni! Çdo dëshmi është e pavlefshme, e thotë ligji, po orientoni dhe intimidoni.
Vokshi- Ëhë...
Ndreca- Ëhë, uhu, nuk është argument dhe s’i shkojnë kryetares se Komisionit!
Vokshi- Po s’po e lë, po boll pra...
Ilir beqja dhurata uruci dhe kirurgu dajti ne shkoder kryekorrupsion madhor me sterilizimin
PërgjigjuSikur e ke djale teze Ilir Beqen apo ce deshe? Ti ishe i vetmi epidemiolog ne planet qe te zgjodhi ty Beqja? Ik o Genci se mjafton te te shikojne te ardhurat dhe te del dobiçi ne shesh. Ju nuk keni lavdi por vetem turpe.
Përgjigju