Himara voton sot për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë mes Vangjel Tavos që mbështetet nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikurias i cili kandidon nën siglën “Bashkë Fitojmë’ të partive opozitare, me në krye PD dhe PL, i propozuar dhe i mbështetur nga Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) dhe të organizata minoritare OMONIA. Vangjel Tavo votoi në Palasë. Para se të hynte në qendrën e votimit së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e vogël, përshëndeti bashkëqytetarët në greqisht dhe në shqip.
Pas votimit Tavo ftoi himariotët të votojnë alternativën më të mirë.
“Sot e kanë fjalën himariotët për të votuar. Procesi deri tani ka qenë i qetë. Uroj të vazhdoj kështu deri në moment të fundit të votimit qetësia, ashtu sikurse ka mbizotëruar gjatë fushatës elektorale. I bëj thirrje të gjithë banorëve të Himarës të dalin masivisht në votime, të votojnë projektin më të mirë, alternativën më të mirë për Himarën dhe për himariotët kudo që ndodhen”, tha Tavo.
Ndërsa Gjikuria votoi në Dhërmi.Kandidati i opozitës, u shpreh i bindur në fitoren e tij, ndonëse nuk i kurseu akuzat për trajtim të diferencuar mes qytetarëve. Nuk i pëlqeu pyetja e një gazetareje nëse do të qëndronte në Himarë apo do të kthehej në SHBA nëse nuk fitonte.
“Kjo është një ditë feste, le ta festojmë të gjithë bashkë. Është dita e demokracisë. Unë do jem kryetari i ardhshëm i bashkisë Himarë. Se çfarë do të ndodhë nesër do ta dimë të hënën, të mos fillojmë me pyetje të tilla sikur keni ngrënë limona që në mëngjes. Unë do të jem kryetar i ardhshëm i Himarës”
Një problematikë që u vu në dukje është dhe fakti që votuesit ishin me karta identiteti të skaduar. Tavo ngriti duart duke thënë se askush nuk mund të jetë mbiligjin
“Nuk është çështja ime por mbi ligjin nuk mund të dalë asnjë njeri.”
Ndërkohë Gjikuria është optimist se do të fitojë.
"Vitin e kaluar u lanë njerëzit te votojnë me karta të skaduara ndërsa këtë herë nuk u lejuan dhe ky është problem pasi socialisteve i jepnin karta për 24 orë kurse anës tjetër i thonin për dy javë. Koalicioni Bashkë Fitojmë do të fitojë këtë herë, do fitojë demokracia. Kjo nuk është punë fushate. Një javë fushatë na lanë e dini. Kam bredhur fshat më fshat. Kemi folur me qytetarët për t’i bindur se çfarë do bëjmë për Himarën. Kartat e skaduara vitin e kaluar i lanë, u ngrit si problem, këtë vit nuk i lanë, këtu i bënjë ligjet si duan vetë. Sot ata llogarisin numrat dhe i nxjerrin ligjet si të duan.