Himarë- U bllokuan në zonën e ‘Plazhit të Akuariumit’ në Himarë, Policia shpëton 3 turistët e huaj që kërkuan ndihmë.
Aksioni u mbyll mbrëmjen e sotme, pak pasi patrulla e rendit me shërbim në zonën e Jalës, mori njoftim se tre turistë të huaj kishin mbetur të bllokuar në një zonë të thepisur shkëmbore.
Forcat ndërhynë menjëherë dhe pas kërkimeve në terren, u bë e mundur lokalizimi i tre turistëve të huaj, të cilët u nxorën prej shkëmbinjve ku kishin mbetur të bllokuar.
“Aktualisht, të tre ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Turistët falënderuan shërbimet e Policisë për ndihmën e menjëhershme dhe profesionalizmin e treguar”, bëri me dije policia vendore në mbyllje të aksionit.
Gjithashtu u konfirmua se ‘të gjitha strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë vijojnë të jenë të pranishme 24/7, për garantimin e sigurisë së pushuesve dhe për ndërhyrjen në çdo situatë emergjente’.
Komente
