Kronikë

Himarë/ Parkoi gabim ‘BMW’ dhe i zuri rrugën Zjarrfikëses që po shkonte për një emergjencë, nën akuzë 22-vjeçari nga kryeqyteti! Merr dhe 20 mijë lekë gjobë (VIDEO)

31 Korrik, 10:38| Përditesimi: 31 Korrik, 10:52

  • Share

Himarë- Parkoi automjetin në mënyrë të gabuar, duke bllokuar rrugën dhe penguar kalimin e mjetit zjarrfikës, procedohet penalisht 22-vjeçari.

Policia Rrugore ka ndërhyrë menjëherë pas njoftimit për një automjet të parkuar gabim, në rrugën “25 Marsi”, në qytetin e Himarës.

Gjatë verifikimeve u konstatua se mjeti tip “BMW” ishte parkuar në mënyrë të gabuar, duke bllokuar rrugëkalimin dhe penguar kalimin e një mjeti zjarrfikës, që ndodhej në një situatë emergjente.

“Drejtuesi A. Sh., 22 vjeç, banues në Tiranë, u shoqërua së bashku me automjetin në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë, ku, pas veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve, u procedua penalisht për veprën penale “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal”, njoftoi policia vendore.

Ndaj tij Qarkullimi Rrugor vendosi gjithashtu edhe masë administrative 20 mijë lekë gjobë, për shkelje të nenit 159 të Kodit Rrugor.

“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të ngjashëm që pengon lëvizjen e lirë, veçanërisht të mjeteve të emergjencës”, rikujtoi policia vendore për drejtuesit.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?