Himarë- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në plazhin e Filikurit, në zonën e Potamit në Himarë, ku një turiste holandeze, 23-vjeçare, ka humbur jetën pas një rrëzimi nga lartësia dhe një tjetër, 18-vjeçare franceze, u plagos rëndë.
Disa turistë të huaj, adhurues të sporteve aventuriere si alpinizmi dhe hiking-u, kanë zgjedhur të zbresin drejt plazhit përmes terrenit të thepisur shkëmbor, duke shmangur rrugën e zakonshme detare me mjete lundruese apo këmbësorë.
Sipas të dhënave paraprake, 23-vjeçarja me shtetësi holandeze, e cila ndodhej në shoqërinë e miqve të saj, ka rrëshqitur aksidentalisht ndërsa shoku i saj e mbante me dorë, por nuk ka mundur dhe i ka shkarë, duke u rrëzuar nga një lartësi prej rreth 30 metrash.
Policia vendore tha se ajo po zbriste me litar nga kjo lartësi kur u rrëzua.
"Dyshohet që gjatë zbritjes nga shkëmbi me litar, turistja M. B., 23 vjeçe, është rrëzuar aksidentalisht dhe ka marrë dëmtime serioze. Turistes iu dha ndihma e parë mjekësore dhe u transportua me ndihmën e Policisë Kufitare, por për shkak të dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë. Gjithashtu, si pasojë e rrëshqitjes së disa gurëve në momentin e ngjarjes, është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në spital, turistja tjetër franceze J. L., 18 vjeçe, e cila ndodhej në afërsi", tha policia vendore.
Menjëherë janë njoftuar shërbimet e emergjencës. Në vendngjarje kanë ndërhyrë strukturat e Policisë së Himarës, policia kufitare Forcat Zjarrfikësit dhe një ambulancë, të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë nga zona e vështirë shkëmbore.
Fatkeqësisht, e reja nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra, po ashtu dhe një 18-vjeçare franceze ka marrë plagë nga rënia e gurëve, por jashtë rrezikut për jetën, teksa është nisur për mjekim të specializuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Turistët e pranishëm në zonë janë ndihmuar për t’u larguar në mënyrë të sigurt, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Ky është një rast tjetër që tregon rrezikshmërinë e aventurave në terrene të papërshtatshme dhe nevojën për kujdes të shtuar nga të gjithë ata që eksplorojnë natyrën jashtë rrugëve të sigurta.
Komente
