Himarë- Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë për vjedhje në të paktën 4 raste në Borsh.
Xhuljano Mërkuri në bashkëpunim me një person tjetër dyshohet se ka vjedhur shuma të konsiderueshme parash në banesa dhe markete në zonën e Borshit.
Episodet e vjedhjes kanë ndodhur gjatë muajve qershor dhe gusht, dhe në total sipas bluve i riu ka vjedhur 380 mijë lekë cash, dhe 180 mijë lekë mallra në markete.
Si provë materiale të riut iu sekuestrua një makinë tip “Volkswagen”, dhe 1 aparat celular.
Njoftimi i policisë:
Vodhi shuma të konsiderueshme parash në banesa dhe markete në zonën e Borshit, kapet dhe ndalohet 30-vjeçari, autor i dyshuar i këtyre vjedhjeve.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Himarë, në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pronës dhe pasurisë, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e disa rasteve të vjedhjeve në Borsh, si rezultat i të cilave u ndalua shtetasi:
Xh. M., 30 vjeç, banues në Borsh.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, në bashkëpunim me një tjetër shtetas për të cilin vijon puna për kapjen e tij, ka kryer disa vjedhje në zonën e Borshit, konkretisht:
Më datë 28.06.2025, ka vjedhur produkte të ndryshme në një market, me vlerë 180 000 lekë;
Më datë 18.08.2025, ka vjedhur një shumë parash prej 150 000 lekësh dhe sende personale në banesën e një shtetasi;
Më datë 22.08.2025, ka vjedhur një shumë parash prej 100 000 lekësh dhe disa dokumente në banesën e një shtetasi;
Më datë 27.08.2025, ka vjedhur një shumë parash prej 130 000 lekësh në banesën e një shtetasi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 automjet tip “Volkswagen”, që dyshohet se përdorej për kryerjen e vjedhjeve dhe 1 aparat celular.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.
Komente
