Sociale
Speciale

SPECIALE/ Historia 5 mijë vjeçare që ‘strehon’ shpella e Lepenicës! Piktogramet tregojnë adhurimet e banorëve të hershëm

22 Prill, 07:56| Përditesimi: 22 Prill, 08:30

  • Share

Harta turistike e Vlorës përmban edhe një destinacion interesant për të pasionuarit pas natyrës e veçanërisht pas historisë. Rruga për të shkuar është e vështirë por jo e pamundur.

Nisemi nga qyteti i Vlorës dhe për 45 minuta mbërrijmë në qendër të fshatit Lepenicë, duke ndjekur rrugën e Lumit të Vlorës, tëresisht e asfaltuar. Ndërsa nga qendra e fshatit deri tek guroret rruga është e paasfaltuar dhe përshkohet për 30 minuta. E mandej ngjitemi për afro 30 minuta të tjera, në këmbë, në terren malor.

Këtu jo vetëm mund të shihni pikturën e rrallë shkëmbore e vetmja ne Jug të vendit, por mund të shijoni dhe një panoramë të mrekullueshme të gjithë luginës së lumit Shushica, ndryshe Lumi i Vlorës.

Shpella e Lepenicës gjendet në perëndim të fshatit Lepenicë, Komuna Brataj e rrethit të Vlorës. Përfaqëson një shpellë karstike të formuar në shkëmbinj gëlqerorë. E ndodhur në një lartësi rreth 800 m mbi nivelin e detit kjo shpellë nga vendasit njihet si “Shpella e shkruar”. Shpella ka më shumë formën e guvës, por në muret e saj ka vizatime të hershme me vlera të mëdha arkeologjike.

“Piktura është kompozuar në pjesën e brendshme shkëmbore me një kompozim prej 19 figurash antropomorfe dhe 8 figura gjeometrike të çrregullta, të cilat kishin në qendër të tyre figurat antropomorfe. Katër prej figurave janë vendosur vertikalisht, ndërsa të tjerat horizontalisht”, tregon arkeologu Krediljan Çipa.

Pikturat e Lepenicës, përbëjnë një nga veprat më të rralla të arkeologjisë prehistorike.

Arkeologu Myzafer Korkuti gjatë studimit të kësaj pikture shkruan për karaketristikat e monumenti arkeologjik.

“Ajo është realizuar në tavanin e strehës së shkëmbit, e lartë 3,5 metra, mbi një sipërfaqe të sheshtë të ndarë në dy plane. Në planin përballë (vertikal) janë vizatuar katër figura antopomorfe, të cilat janë realizuar grafikisht shumë mirë. Format e figurave njerëzore janë të bëra me vija të trasha dhe ndryshojnë nga njëra-tjetra nga pozicioni i trupit e mënyra e paraqitjes grafike të gjymtyrëve. Trupi është paraqitur me një vijë të trashë e të shkurtër. Edhe qafa me kokën janë dhënë si një vazhdim i linjës së trupit. Në hapësirën që krijohet midis katër gjymtyrëve është vizatuar nga një pikë. Gjatësia e figurave është 15-18 cm.

Në planin horizontal (tavanin e strehës) janë vizatuar 15 figura antropomorfe me të njëjtën paraqitje grafike, të shpërndara pa ndonjë rregull, në të gjithë sipërfaqen prej 2,4m x 1,4m. Në katër anët e figurave antropomorfe janë vizatuar 9 figura të çrregullta gjeometrike, të ndara secila në kuadrate të vegjël me një pike në mes të çdo ndarjeje. Të gjitha figurat janë bërë me vija të trashë, me bojë minerale në ngjyrë kafe të çelët, të ruajtura mirë. Në pikëpamje të paraqitjes grafike figurat antropomorfe të Lepenicës kanë ngjashmëri të madhe me figurat antropomorfe të pikturës shkëmbore të Zhlijebit (në Bosnjën Lindore), si dhe me ato të artit shkëmbor perëndimor, e para së gjithash me ato të Valcamonica-s në krahinën e Brescia-s (Itali)”, shkruan Korkuti.

Sipas Korkutit piktura e Lepenicës pasqyron stadin e zhvillimit shoqëror të kohës, shprehjen e koncepteve të krijuesve të saj. Në të gjitha tiparet që e karakterizojnë, ajo bën pjesë në grupin e pikturave shkëmbore post paleolitike. Me shumë gjasa piktura e Lepenicës është një krijim i banorëve të kësaj lugine gjatë mijëvjeçarit të katërt e të tretë para erës së re.

Pavarësisht të dhënave të rëndësishme mbi këtë vendbanim të hershëm, marrja në mbrojtje nga institucionet duhet të përshkonte një rrugë të vështirë. Shkak ishin njerëzit e periudhës së tranzicionit që kaploi Shqipërinë.

“Pas viteve ’90 ka pësuar dëmtime të shumta nga aktet vandale dhe mbishkrimet e njerëzve, të cilat kanë dëmtuar sipërfaqen ku është kompozuar piktura shkëmbore. Përveç kësaj, zjarret e ndezura nga blegtorët e zonës kanë shkaktuar rënien e korës së tavanit, duke sjellë shkëputjen e disa figurave të vizatuara”, u shpreh arkeologu Krediljan Çipa për Report TV.

Pluhurin e harresës e hoqën në vitin 2019, Instituti i Arkeologjisë së Tiranës, Shkolla e Lartë e konservimit e Galicias ne Spanjë dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës të cilët nisën të zbatojnë projektin kërkimor shkencor: ”Lepenica, 2019″.

Pjesë e ekipit të punës ishte edhe Fernando Carrera, profesor në shkollën e lartë të konservimit Galicia në Spanjë i cili nënvizoi rëndësinë e zbërthimit të hieroglifeve të gjendura në shpellë për të kuptuar edhe mënyrën e jetesës së banorëve të asaj periudhe.

"Jemi këtu për të bërë shumë gjëra. E dimë që vendi ku jemi këtu është me një rëndësi të veçantë, nga më të rëndësishmit, është e një rëndësie të madhe jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Është shumë e dëmtuar, e abuzuar dhe ne po përpiqemi të rikthejmë këtë shpellë. Ka nevojë për një dokumentim të ri, sepse këto që kemi janë të vjetra dhe duhet të provohen.

Ne duhet të bëjmë disa testime që duan disa kohë. Koleksionusit tanë arkeologë po bëjnë gjithashtu mbledhjen e kronologjisë së kohës, se cilës kohë i përkasin këto shkrime të zbuluara në këtë shpellë. Kolegët janë duke kërkuar përreth për gjurmë të tjera dhe të reja, për të kuptuar kronologjinë dhe kulturën e banorëve të atëhershëm. Shpresojmë që të ndihmojmë popullin shqiptar në dokumentimin e hieroglifeve të gjendura në shpellë" tha Fernando Carrera profesori spanjoll, në vitin 2019.

Kërkimet rezualtuan të susksseshme për të bindur instutucionet përkatëse që ta merrnin nën mbrojtje shpellën e shkruar të Lepenisës.

“Kjo formë arti është unike në territor dhe konsiderohet si piktura shkëmbore më e mirë dokumentuar dhe e datuar, krahasuar me format e tjera të artit shkëmbor të gjetura në vend. Konkluzioni ynë është se piktura shkëmbore e Lepenicës ruan integritetin e saj dhe vlerat autentike. Ajo është e rikuperueshme dhe e restaurueshme deri në një farë mase. Për më tepër, kemi arritur edhe në datime të reja mbi periudhën kur mund të jetë pikturuar, vijon arkeologu Çipa.

Drejtoria Rajonale e Monumenteve në Vlorë njoftoi se shkëmbinjtë e rrallë arkeologjikë janë marrë nën mbrojtje: "Për të eksploruar mundësinë e konservimit shkencor të sitit dhe rikuperimin e atyre pjesëve të dëmtuara në mënyrë që të rritet shikueshmëria e figurave të pikturës".

Për banorët e zonës, asfaltimi i një pjese të rrugës dhe ruajtja dhe ekspozimi i shpellës së Lepenicës është mundësi për të shtuar frekuentimin e turistëve vendas e të huaj.

Fjala e fundit në një vend të tillë u drejtohet të gjithëve. Ruajtja nuk do të shpëtojë vetëm shpellën e shkruar të Lepenicës, por edhe historinë që kanë shkruajtur paraardhësit mijrëra vite më parë.

I ri është fakti se Shpella e Shkruar e Lepenicës ka marrë vëmendjen e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe pritet së shpejti të shpallet monument kulture.  Aktualisht ka vetëm statusin 'mbrojtje paraprake'.

“Ajo është një pikturë shkëmbore, por ekzistojnë edhe hipoteza që mund të ketë qenë një lloj faltoreje e periudhës prehistorike, e lidhur me besimet e kohës. Në pjesën veriore të vendit janë gjetur piktura të ngjashme, por disa prej tyre i përkasin periudhës së Mesjetës”, tha arkeologu Krediljan Çipa.

Me marrjen e këtij statusi, do të nisë dhe restaurimi, sepse pas viteve ’90-të fatkeqësisht banorët e zonës e kanë dëmtuar pikturen duke shkruar emra e shenja të tjera që demtojnë gjurmët e historisë.

Rruga për të arritur deri këtu është e vështirë por jo e pamundur. Nisemi nga qyteti i Vlorës dhe për 45 minuta mbërrijmë në qendër të fshatit Lepenicë, duke ndjekur rrugën e Lumit të Vlorës, tëresisht e asfaltuar. Ndërsa nga qendra e fshatit deri tek guroret rruga është e paasfaltuar dhe përshkohet për 30 minuta. E mandej ngjitemi për afro 30 minuta të tjera, në këmbë, në terren malor. Këtu jo vetëm mund të shihni pikturën e rrallë shkëmbore e vetmja ne Jug të vendit, por mund të shijoni dhe një panoramë të mrekullueshme të gjithë luginës së lumit Shushica, ndryshe Lumi i Vlorës.

Mbrojtja e Shpellës së Shkruar të Lepenicës pritet të sjellë zhvillim të turizmit historik e natyror në gjithë zonën e Lumit të Vlorës.

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?