Erling Moe dhe Jasir Asani

Historia e pabesueshme e Jasir Asanit, FSHF-ja s'e kishte në optikë! Në Kombëtare e solli 'një mik' norvegjez i Zabaletës

18 Nëntor 2023, 11:26| Përditesimi: 18 Nëntor 2023, 16:26

  • Share

Tre supergola në tetë ndeshjet e tij me Kombëtaren, këto janë shifrat momentale që Jasir Asani ka arritur të regjistrojë me fanellën kuqezi. Historia e 28-vjeçarit nga Shkupi me ekipin kombëtar është nga ato që të motivon, teksa u desh mosha gati 28-vjeçare që ai të merrte për herë të parë një ftesë në ekipin A të Shqipërisë.

Kontakti i parë mes Jasirit dhe Kombëtares ishte në janarin e 2016, kur ai mori një ftesë nga Shpresa U-21, teksa edhe luaji më 22 janarin e atij viti. Prej asaj kohe, asokohe djalosh, mëngjarashi u la në hije, për mos thënë që emri i tij ishte jashtë optikës së FSHF-së.

Në 2019 sulmuesi anësor ishte protagonisti absolut që Partizani fitoi titullin kampion me Skënder Gegën në krye, ndërsa edhe pas një sezoni me "Demat e Kuq" la Shqipërinë për t'u aktivizuar në huazim te AIK në Suedi, ku provoi se për gjashtë muaj futbollin skandinav dhe u rikthye sërish në bazë.

Sezoni 2020-21 ishte për Jasirin i duhuri për kapërcimin e madh. Fundi i korrikut 2021 bëri që Partizani ta linte të lirë Asanin për te Kisvarda në Hungari. Dy sezonet në kampionatin hungarez bënë që Asani të shkëlqente, edhe pse nisja nuk ishte e mirë dhe problemet me aktivizimin i ulën moralin sulmuesit.

Ylli i fatit për të do shndrrinte me fitimin e Kupës së Hungarisë, me Kisvardën që mori të drejtën për në fazën eliminatore të Conference League. Në Europë, Kisvarda u përball në dy takime me Molden e Norvegjisë, duke fituar 2-1 dhe 2-0, për të kaluar më tej.

Do ishte trajneri i Molde, Erling Moe që do dashurohej me Asanin, lojën e tij dhe të majtën e hidhur. Ish-lojtari i Norvegjisë do e kërkonte me ngulm Asanin te Molde, ndërsa Kisvarda donte një shumë më të madh, ofertë që erdhi në janarin e 2023 nga Guangju në Korenë e Jugut, për 700 mijë euro.

Tanimë në Kore dhe me kontratë deri në fundin e 2024, por me opsion rinovimi, u duk se ëndrra e Jasirit për në Kombëtare ishte shuar. Por jo, këtu fillon gjithçka. Emërimi i Sylvinhos në janarin e 2023 në stolin e Kombëtares, bëri që ish-mbrojtësi kampion të merrte në sfaf edhe Pablo Zabaletën, ish-lojtari i njohur i City.

Mes urimeve për emërimin në stafin e kuqezinjve, Zabaleta merr edhe një sms nga një prej miqve të ngushtë të tij, Erling Moe, trajneri i Molde. Veç komplimenteve, Moe e udhëzon që të shohë Jasir Asanin. "Keni një lojtar shumë të mirë, Jasir Asani. Nuk e mora dot te Molde", i shkruante ai.

Menjëherë Zabaleta njofton Sylvinhon se mund të kishin gjetur mëngjarashin që iu duhej në ekip. Udhëtimi për në Korenë e Jugut ishte i duhuri për të parë Asanin, që kishte refuzuar disa herë ftesën e Maqedonisë së Veriut për këtë ditë.

Prej 27 marsit të 2023 Asani është pjesë e kuqezinjve, i pandarë nga formacioni dhe një lojtar që ka bërë mijëra tifozë pas vetes. Veç durimit dhe besimit, ndonjëherë duhet të marrësh edhe asist nga aty ku nuk e pret për të bërë ëndrrën realitet dhe në fund supergolat e tu të jenë më të vlerësuarit nga UEFA.

Pas ndeshjes së djeshme, shkupjani premtoi se do shënojë supergola edhe në Gjermani. "Jam shumë i lumtur sepse kemi gëzuar tifozët kudo që janë, pa ndihmën e tifozëve do të ishte e vështirë. Kemi sakrifikuar dhe kemi dhënë shpirtin. As që bëhet fjalë që do të shënoj supergola edhe në Evropian", tha Jasiri.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • ÷=/_: 18/11/2023 16:38

    Me pelqeu ky shkrim dhe kuptova nese mos te kishte sugjeru trajneri Moldes ndimsin e Sylvinjos Jasir Asani per federaten tone do ta kishte mbylle karrieren futbollistike pa lujt asnje dite me komtaren.Ky lojtar superyll qe gjun nga larg ne pozicion 45°(qe i ven ne veshtiresi portierat)me te majten e tij te fuqishme dhe qe ka nxit edhe lojtaret e tjere po gjujn nga larg gja qe ma perpara nodhte shum rralle!

    Përgjigju
  • Scutari: 18/11/2023 15:43

    Ftesë e merituar!! Suksese kombëtares!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?