Sociale
Drejt Punës

Historia e xha Thanasit në 'Një nga ne', agronomi nga Vlora që nuk i ndahet luleve as në pleqëri: Më shtojnë jetën!

18 Qershor, 21:29| Përditesimi: 18 Qershor, 21:37

  • Share

Në Vlorë, në një vilë thuajse të harruar të viteve ’30, gjejmë xha Thanasin. I ka dhënë jetë kësaj hapësire, me lulet shumëngjyrëshe që mbjell çdo ditë. As mosha dhe as vapa përvëluese nuk janë pengesë për Thanas Zharrën, agronomin me eksperincë 62 vjeçare që gjeti kënaqësinë dhe qetësinë tek puna në natyrë. 

“Të punosh me bimët dhe në natyrë është gjëja më e kënaqshme. Unë këtu shpenzoj jo më pak se 8 orë, por nuk ka kufi. Puna të thërret në çdo moment. Lulja është si fëmija. Do i japësh ujë, se ndryshe thahet”, thotë 81 vjeçari ndërsa thekson se kjo punë i ka shtuar jetën.

“Arritjen e moshës, që kam arritur në këtë fazë, ia dedikoj pikërisht kësaj lloj pune që të jep vetëm kënaqësi. Pavarësisht nga hallet që mund të ketë njeriu, lulja të normalizon, të heq vëmendjen dhe të jep kurajo”, thotë agronomi.

Nuk e fsheh zhgënjimin për pensionin e ulët, ndonëse ishte ndër të parët që kontribuoi për lulet.

“Kur të gjithë kërkonin të bënin luftë, unë jepja mesazhin që duhet paqe. Për këtë hapa dyqanin e parë në Vlorë me qëllim për t'iu thënë njerëzve të merremi me lule, mos të merremi me armë. Unë them që ia kam dalë. Në Vlorë janë hapur shumë dyqane të tilla. Kjo tregon që vlonjatët e dashurojnë të bukurën.
Lulja të krijon stabilitet dhe të jep një të ardhur. Unë marr një pension prej 170 mijë lekësh dhe më duket shumë i ulët. 62 vjet eksperiencë pune dhe të marrësh një pension të tillë është shumë qesharake.”, shprehet xha Thanasi i keqardhur.

Në një ditë të zakonshme kontrollon gjendjen e bimëve, nëse ka mungesë uji ose nevojë për plehërim. Merret me krasitje, përgatit fidanët e rinj ose shet lule.
Përveç tyre, ruan dhe varietetet autoktone si dardha dhe fiqtë. Mes të tjerash tregon se po synon të marrë prodhim nga fara e avokados, banania dhe lime, të treja shumë të kërkuara në Vlorë.

“Të them të drejtën, nuk do heq dorë deri në momentin e fundit të jetës. Nuk do lë ditë pa ardhur në punë dhe pa iu shërbyer luleve. E njoh tipologjinë e bimëve, cila është rezistente dhe cila jo. Duke i njohur, manovron dhe i ruan. Mua kjo punë më ka shtuar jetën!”, përfundon agronomi. Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e “Report Tv”.

H.K/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?