Ardjan Çapja hodhi akuza duke thënë se vrasja e vëllait të tij, Agron Capja në 2016 nuk u zbardh për shkak se në përgjime doli edh enjë politikan i lartë me emrin Taulant. Ai flet për një sërë ngjarjes që pasuan. Kjo deklaratë e tij kthen sytë nga historiku i së shkuarës së fisit Çapja dhe ngjarjet kriminale që kanë pasuar njëra pas tjetrës në shenjë hakmarrjeje.
Agron Çapja, me të afërmit e tij ndodhej jashtë një lokali atë 3 shkurt të 2016-ës në Elbasan. Nuk po ruheshin por po bisedonin në rehati, kur persona të armatosur zbritën nga disa mjete dhe shtinë me breshëri plmbash. Në pak minuta shkatërruan lokalin, vranë Agron Çapjan, Ardit Sinakolin dhe Eno Bedallin, ndërsa 8 të tjerë u plagosën, duke shënuar masakrën më të rëndë të ndodhur ndonjëherë në Elbasan.
Kjo ngjarje u bë epiqendra e rrëfimit të vëllait të tij, Ardian Çapja, në Gjykatën e Posaçme, përmes së cilës hedh akuza të përfshirjes së një politikani me emrin Taulant, i cili sipas tij ka dalë në përgjime, por janë fshirë. Gjashtë vite më vonë, ngjarja nuk është zbardhur, përtej dyshimeve dhe thashethemve në kafene, në të cilat flitet edhe me emra.
Por masakra e 3 shkurtit 2016 nuk është më e vjetra në kohë, në konfliktin e dhunshëm midis dy fiseve në qytet, Çapja dhe Çela. Prej vitit 2005, kur u regjistrua vrasja e parë midis tyre deri më sot ka 12 viktima.
E gjitha nisi në vitin 2005. Mes Dritan Shemes dhe Sokol Çapjas ishte lidhur një kontratë vdekje, me qëllim eliminimin e Rezart Çelës, i cili shtrëngonte Sokolin për çështje bixhozi. Sheme ekzekutoi Çelën, por Sokol Çapja nuk i dha 50% të shumës së premtuar, 15 mijë euro. Por, pa kaluar dy muaj do të vinte momenti I hakmarrjes. Në 26 dhjetor 2005, në lokalin e tij në Elbasan, Sokol Çapja do të vritej nga tre persona, Armand Hasani, Dritan Sheme, dhe Gentian Beqirin. Ky i fundit do të dilte më vonë sërish në skenë.
Ardian Ibrahimi, po pinte një gotë dhallë në lokal mbrëmjen e 28 majit 2006, kur në drejtim të tij u qëlluan breshëri plumbash nga dy persona që zbritën nga një motor. Mëkati i tij ishte fakti se në 20 janar të atij viti ishte bërë dëshmitar i plagosjes më 11 plumba të kunatit të tij, Fadil Mema. Florenc Çapja, nip i Ardian Çapjas ishte autori dhe Ibrahimi e kishte qëlluar me gur atë natë.
Pa kaluar as një muaj, në 19 qershor 2006, eliminohet Dritan Sheme në Tiranë, pak kohë pasi u kthye nga Italia. Sot e kësaj dite, për krimin, askush nuk është i dyshuar zyrtarisht.
Në korrik 2009 mbeti i vrarë ish-efektivi i antidrogës Roland Rexhepi, i cili njihej me nofkën ‘Doda’. Ekzekutorë ishin Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, të dy të dënuar me 24 dhe 23 vite burg dhe bashkëpunëtor Florind Shabani, i ekstraduar në fillim të janarit 2022 nga Gjermania.
Më 30 dhjetor të vitit 2011, saga e vrasjeve nuk do të kursente as vëllain e Roland Rexhepit, Ilirin. Ai ishte pranë makinës së tij kur një person iu afrua dhe e qëlloi me 11 plumba. Rexhepi mundi të nxirrte nga kroskoti i makinës pistoletën dhe qëlloi vetëm një herë në drejtim të ekzekutorit, e cila shërbeu të zbardhte ngjarjen më vonë. Geni alias Mihal Toshi, dhjetë vite më vonë, u provua si autor i eksekutimit.
Kishin kaluar vetëm dy muaj dhe arma kërciti sërish. Këtë radhë ishte në drejtim të babë e bir, Gentian e Nezir Beqirit. Ky i fundit, i njohur për miqësinë më Fadil Memën. Agresorët hynë në shtëpi dhe i qëlluan për vdekje, edhe pse Gentiani ishte i paralizuar në krevat. Për këtë ngjarje, sot në Gjykatën e Posaçme zhvillohet gjyqi me të pandehur Klajdi Dokolin, Etjen Canin, Ervis Bardhin dhe si porositës të vrasjes, Ardian Çapjes. Për ngjarjen, në kërkim është edhe Floren Çapja, i cili ndodhet në Dubai, çfarë e bënë të pamundur ekstradimin e tij.
Nëse 11 plumba në janar 2006 nuk mjaftuan për ta eliminuar, kësaj here atentatorët nuk do të gabonin. Fadil Mema u vra në 13 mars 2015 në Torino. Ai u qëllua në mbrëmje me armë zjarri me 6 plumba, poshtë shtëpisë. Djali i tij Eltoni, në atë kohë, pohoi për mediar italiane se i dinte autorët e vrasjes së babait.
Një vit më vonë, në 3 shkurt 2016 u regjistrua masakra më e rëndë e përplasjes midis bandave të Elbasanit. Përveç 3 viktimave jashtë lokalit, mes të cilave Agron Çapja, u plagosën Fejzulla Çapja, Ferit Muça, Luan Muça, Bledar Muça, Bujar Reshka, Florenc Çapja, Ardian Zharri dhe Arnold Çapja.
Konflikti i dhunshëm dhe i pandëshkuar nga drejtësia, do të prekte edhe të konsideruarit si të paprekshëm, avokatët. Atë pasdite të vonë të 22 marsit 2019, avokati i Çapjave, Ravik Gurra, po pinte kafe në lokal kur u qëllua pa mëshirë për vdekje. 50-vjeçari ishte nën shoqërinë e një eksperti të Avokatit të Popullit kur një person u afrua dhe e qëlloi. Ngjarja ka mbetur e pazbardhur. Sipas Ardian Çapjas, bashkë me Ravik Gurrës kishin materialin hetimor të masakrës së 3 shkurtit 2016, në të cilën dilte në përgjime një politikan, përgjime që janë zhdukur. Çapja insistoi për zbardhjen e vrasjes së avokatit, të cilën e konsideroi zbulim të një thesari. Në 17 vite, konflikte te përgjakshme në Elbasan me 12 viktima, shumë nga ngjarjet nuk janë zbardhur
Lajmi kryesor:
Ardian Çapja në GJKKO: Nëse zbuloni vrasjen e avokatit Ravik Gurra do gjeni thesare! S'u zbardh vrasja në 2016 se u fshinë përgjimet ku dilte politikani
B.K./ReportTv.al