Ka vite që flitet për problemet me delimitimin e kufirit detar me Greqinë, por nuk flitet që Shqipëria ka problem me ndarjen e kufirit detar edhe me Malin e Zi.
E pikërisht dokumentari me titull ‘Deti pa zot me Malin e Zi’, episodi i dytë i serialit të dokumentarëve ‘History’ në Report Tv, me autor Ferdinand Dervishin që u transmetua mbrëmjen e 14 shkurtit 2025 sjell të detajuar problemet që ka Shqipëria për ndarjen e kufirit detar me Malin e Zi.
Një problem i ngrirë që nga 30 korrikut 1926 kur u firmos protokolli i Firences, pra gati 100 vite. Në studio me moderatorin Denis Minga ishin të ftuar dhe autori i dokumentarit Ferdinand Dervishi, dhe Artur Meçollari, kapiteni i rangut të parë, Ish komamdant i forces detare një nga njohësit më të mirë të çështjes së kufirit detar me Malin e Zi.
‘Deti pa zot me Malin e Zi’
Më 15 dhjetor të vitit 1975, dy katera silurues të armatosur, dolën me shpejtësi nga baza ushtarake-detare e Shëngjinit dhe u nisën me urgjencë në drejtim të veriut. Ekuipazhi i dy mjeteve kishte marrë urdhër ti vinte në ndihmë peshkatores “Islam Mustafa”, të sulmuar me armë nga një anije ushtarake jugosllave.
Katerat silurues fluturojnë. Anija e huaj futet në shënjestër kur ende gjendej në ujërat tona territoriale, por urdhëri për të qëlluar nuk mbërrin asnjëherë. Pasojat e ngjarjes ishin të rënda. Kapiteni i peshkatores, Fran Ivanaj, ishte vrarë, i qëlluar drejtpërdrejt me top, ndërsa anija ishte bërë shoshë nga predhat.
Kohë më pas, hetimet dypalëshe, shqiptare-jugosllave, do të vërtetonin se incidenti ishte zhvilluar në brendësi të ujërave tona territoriale, por shoqëria shqiptare e kohës u mbajt larg të vërtetave të kësaj ngjarjeje.
Dhuna e pajustifikueshme e palës jugosllave nuk kishte qenë e rastësishme. Ajo nuk kishte lidhje me peshkimin dhe as me ndonjë shkak tjetër më pak të rëndësishëm. Ngjarja e vitit 1975, kishte lidhje vetëm me situatën e paqartë të vijës ndarëse të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Sulmi dhe përgjakja e ujërave territoriale shqiptare, kishin për qëllim diktimin nga jugosllavët të respektimit të linjës së vjetër të ndarjes së kufirit detar, përcaktuar qysh në vitin 1926 sipas Protokollit të Firences.
Sipas vendimit të një shekulli më parë, vija kufitare - detare mes Shqipërisë dhe ish - Mbretërisë Serbo – Kroato - Sllovene, orientohej nga dy piramida të vendosura në bregun shqiptar të lumit të Bunës.
Vija e drejtë, që bashkonte dy piramidat dhe zgjatej në drejtim të detit të hapur, përcaktonte kufirin detar mes dy shteteve.
Por përcaktimi i kufirit detar sipas Protokollit të Firencës nuk do të ishte përfundimtar. Me kalimin e kohërave metodologjia e ndarjes së hapësirave detare do të ndryshonte.
Në vitin 1958, Konventa për të Drejtën e Detit e mbajtur në Gjenevë të Zvicrës do të kodifikonte shtrirjen e detit territorial në 12 milje, duke duke dhënë një dritë jeshile për të drejtën e rindarjes së hapësirave detare mes dy shteteve.
Por edhe pse edhe konventat e detit të viteve 1958 dhe 1960 diktonin një tjetër metodologji ndarjeje, përcaktimi i kufirit detar mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë sipas Protokollit të Firencës do të mbetej në fuqi deri në vitin 1967.
Në këtë kohë, shkak për uljen në tryezën e bisedimeve të përfaqësuesve të dy vendeve bëhet ndryshimi i morfologjisë së tokës në grykëderdhjen e Bunës për shkak të formimit të ishujve.
Dokumentet që gjenden në arkivat shqiptare vërtetojnë se në marrëveshjen e vitit 1967 dy palët, ajo shqiptare dhe ajo jugosllave kanë rënë dakord për ndarjen e detit deri në 6 milje detare duke zgjatur në vijë të drejtë linjën e përcaktuar me anë të dy reperave nga Protokolli i Firencës.
“Në vitin 1967, Komisioni i përbashkët Shqiptaro-jugoslav i piramidave kufitare, pasi shqyrtoi çështjen e përkatësisë të një ishulli të krijuar rishtazi në derdhjen e Bunës (ishulli pa emër), përcaktoi se “vija e kufirit në detin Adriatik fillon nga limiti i ujërave territoriale (të cilat për të duja palët janë 12 milje detare) duke u shtrirë në 6 milje detare në vijë të drejtë normale mbi drejtimin e përgjithshëm të bregut që tregohet në reperat 1 dhe 2 të vendosur në bregun e majtë të lumit Buna dhe prej këtu kthehet në vijë të drejtë deri te pika ku takohet me detin mezi i rrjedhjes kryesore të degës së lumit Buna ndërmjet ishullit pa emër dhe ishullit Franc Jozef”.
Sa duket, jugosllavët e kuptuan përparësinë që ju dha ndarja e kufirit detar me Shqipërinë e vitit 1967. Gjithçka ishte në favor të tyre, por sa duket realiteti i ri duhej çimentuar. Në këtë situatë vjen edhe incidenti i vitit 1975 me anijen e peshkimit “Islam Mustafa”, që solli për pasojë vrasjen e kapitenit Fran Ivanaj.
Incidenti me anijën “Islam Mustafa” i zgjon shqiptarët nga gjumi. Ata i kuptojnë gabimet e bëra në marrëveshjen e vitit 1967.
Me zgjatjen e vijës kufitare detare me Jugosllavinë në 6 milje sipas linjës së vjetër të përcaktuar nga Protokolli i Firences, gjiri i Drinit pothuaj mbyllej dhe trafikut detar i zihej fryma.
Shqetësimi pasqyrohet edhe në një dokument orientues për takimin e radhës mes dy palëve.
“1-Me shtrirjen e vijës kufitare në 12 milje apo më tepër në drejtimin që japin dy reperët (këndi 203 gradë), për vetë konfiguracionin e terrenit ngushtohet hyrja në gjiun e Shëngjinit, kështu që gjerësia enga kepi i Rodonit deri tek vija e kufirit vjen deri në 9 milje detare dhe jo 15 që shtrihen ujërat territoriale në drejtimet e tjera.
Nëqoftëse edhe jugosllavët do ti shtrijnë ujërat territoriale mbi 12 milje detare (që i kanë sot) cënohen ujërat tona territoriale dhe ngushtohet më tepër hyrja në Shëngjin.
2-Në qoftë se arrihet marrëveshja më Italinë dhe me jugosllavinë për shfrytëzimin e shelfit kontinental dhe vija e ndarjes së shelfit midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të shtrihet mbi vijën e kufirit që është tani, shelfi ynë kontinental do të jetë më i vogël.
Për këto arsye mendojmë që problemi ti ngrihet palës jugosllave në Mbledhjen e Komisionit të Piramidave që do të bëhet në muajin prill 1977..”
Pala shqiptare përgatitet të shkojë në takimin e vitit 1977 me dy projekt-versione të gatshme për ndarjen e kufirit detar, që do i propozoheshin palës jugoslllave.
Versioni i parë - më i sakti dhe më i ndershmi për të dy palët - merrte në konsideratë mbylljen, nga Shqipëria, në vitin 1976, të gjiut të Drinit sipas përcaktimit të konventave të të drejtës së detit, të viteve 1958 dhe 1960.
Versioni i dytë, që pala shqiptare e komisionit të vitit 1977 e kishte rezervë, respektonte ndarjen e vjetër, deri në 3 milje detare, sipas Protokollit të Firencës.
Dokumentet e arkivave shqiptare vërtetojnë se jugosllavët nuk kanë rënë dakord me asnjë nga versionet e paraqitura nga pala shqiptare në takimet e vitit 1977.
Për këto arsye, marrveshjet e vitit 1967 mbeten pezull, apo më saktë të Pazbatueshme nga pala shqiptare. Për më tepër, Parlamenti Shqiptar i kohës refuzoi ti miratonte vendimiet e komisionit dypalësh të vitit 1967.
Në vitin 1977 ky koncept është formuluar në formën: “Por në rast se pala Jugosllave do të refuzojë ndryshimin e shtrirjes së vijë së kufirit në det, pala jonë do të duhet të deklarojë se kjo është një gjendje e pakënaqshme për ne, të cilën do ta kondisderojmë pezull derisa të gjejmë zgjidhjen e arsyeshme...”
Formulimi nuk ndryshon as në vitin 1982.
“Çështjet e mësipërme, palës jugosllave ti ngrihen në mbledhjen e Komisionit të Përbashkët. Aty pala jonë të theksojë se që në vitin 1977 e ka konsideruar çështjen e rregullimit kufitar detar si një çështje të lënë pezull”.
Për habi, mosnjohja nga pala shqiptare e zgjerimit deri në 6 milje detare të linjës së të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, nuk është vetëm një realitet diplomatik – ajo është edhe një realitet gjeografik. Kjo sepse, të paktën lundërtarët shqiptarë, sidomos flota e peshkimit, e njohin mirë zonën e kontestuar dhe të rrezikshme për gjueti, të cilin e quajnë TREKËNDËSHI.
Të vërtetën e pohon Gjergj Luca, pronari i kompanisë së peshkimit dhe përpunimit të prodhimeve të detit “Rozafa”, anijet e të cilit, pikërisht në këtë trekëndësh të kontestuar, të paktën në tre raste janë përballur me rojen bregdetare të Malit të Zi.
Incidenti më i rëndë me anijet e flotës Rozafa, që fatmirsisht nuk përfundon me lëndime, u regjistrua në datën 10 qershor 2019 me anijen “Rozafa 13”.
Vazhdimi i incidenteve detare në linjën kufitare detare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi vërteton vijimësinë e një problemi të vjetër të pazgjidhur. Të një problemi që cënon lirshmërinë e lëvizjeve të mjeteve lundruese me flamur shqiptar dhe që në në çdo kohë mund të gjenerojë ndonjë incident të rëndë mes dy vendeve.
Por si do të ishte një ndarje e ndershme dhe e kënaqshme për të dy palët?
Pala shqiptare ka shfaqur interes për për ndarjen përfundimtare të kufirit detar me Malin e Zi, për herë të fundit, në vitin 2007.
Ajo i ka dërguar Malit të Zi një propozim “Për delimitimin e shelfit kontinantal” në bazë të konventës së detit të vitit 1982. Projekti i është përcjellë palës malazeze në fillim të vitit 2009.
Shumë interes përbën fakti se pala malazeze është shprehur e gatshme që delimitimi të bëhej sipas Konventës së Montego Bay-t të vitit 1982.
Por sa duket, përfundimi i negociatave dhe nënshkrimi i marrëveshjes së delimitimit detar me Greqinë në prill 2009, më tej shpërthimi i skandalit që detyroi Gjykatën Kushtetuese ta ndërhynte duke e zhbërë këtë marrëveshje, bënë që çështja e ndarjes së kufirit detar me Malin e Zi të mbetej në hije.
Por çfarë ka humbur dhe është duke humbur Shqipëria nga mungesa e një marrëveshjeje për ndarjen e detit me Malin e Zi?
Shqipëria ka humbur, nisur nga viti 1958, një sipërfaqe të madhe detare prej 132 kilometër katror.
Ka vuajtur mbylljen e gjiut të Drinit, që kufizon dhe vështirëson lëvizjen e anijeve.
I është dëmtuar gjuetia komerciale e peshkut dhe, mbi të gjitha, është detyruar të përballojë incidente të përgjakshme dhe të shëmtuara me rojën bregdetare të shtetit fqinj.
Për të gjitha këto arsye, fakti që malazezët, në vitin 2007, ishin të gatshëm të ndanin detin më Shqipërinë sipas Konventës së fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, asaj të vitit 1982, duhet konsideruar si një oportunitet që të na shtyjë drejt një marrveshjeje përfundimtare.
Është koha që historia të korrigjohet dhe gjithsecili të marrë atë që i takon.
Ka vite që flitet për problemet me delimitimin e kufirit detar me Greqinë, por nuk është përmendur problemi i ndarjes së kufirit detar me Malin e Zi që u trajtua në episodin e dytë të serialit të dokumentarëve “HiStory’ të gazetarit Ferdinand Dervishi.
Është çështje fati që kemi problem me Malin e Zi apo faji i autoriteteve shqiptare?
Përgjigje
Artur Meçollari, kapiteni i rangut të parë, Ish komamdant i forces detare një nga njohësit më të mirë të çështjes së kufirit detar me Malin e Zi shpjegon: Kufiri detar me Malin e Zi ka ngrirë që nga protokolli i 30 korrikut 1926, pra vitin tjetër bëhet 100 vite nga data e firmosjes së protokollit të Firences. Ky protokoll është për kufijtë tokësorë por në paragrafin e fundit ai hedh dritë dhe mbi kufirin detar. Kjo ka ngelur. Gjatë kohës së komunizmit ka pasur dy tentativa për delimitimin, ose ndarjen e kufirit sipas normave. Një në 1967 dhe një në 1975.
Në 1967 ne dështuam. Në fakt bëmë një draft marrëveshje që nuk ishte në interesin tonë. Ndërsa në 1977 pas incidentit të vitit 1975 me anijen e peshkimit “Islam Mustafa”, që solli për pasojë vrasjen e kapitenit Fran Ivanaj, - tentativa ishte më serioze por nuk u arrit pasi nuk ishte në interest të Malit të Zi (Ish Jugosllavisë në atë kohë)
Pra në 1967 situata ishte në disfavorin tonë, ndërsa në 1977 ishte në disfavor të ish Jugosllavisë e situata ngriu në këtë lloj momenti dhe nuk ka pasur zhvillime. Por dhe gjeografia nuk na ka favorizuar.
Sot mund të themi që nuk kemi një kufi detar me Malin e Zi?
Gazetari Ferdinand Dervishi: Kemi kufirin e 1926-tës që është në dëmin tonë
Artur Meçollari: Problemi qëndron se në 1926 kur është bërë protokolli i Firences nuk ka pasur të kodifikuar shtetet nuk kanë deterritorial, gjerësi, atëherë pranohej 3 milje nga e drejta ndërkombëtare. Filluan të shpallin gjerësinë e detit territorial rreth viteve 30. Ne e kemi shpallur për herë të parë në 1946, në fillim 6 milje, më pas 10 milje, më pas 12. Pra jemi në kushtet kur ka nevojë për një marrëveshje të re.
Gjergj Luca, pronar i flotës së peshkimit “Rozafa”, rrëfen se si një nga anijet e kompanisë së tij u përfshi në një incident të rëndë në vitin 2019.
Aksidenti më i rëndë që na ka ndodhur neve si Rozafë, na ka ndodhur me Rozafën 13. Rozafa 13 ka qenë në një pikë, në cep fare që ne i themi trekëndëshi, ku ka qenë 12 milje nga Shëngjini dhe ka qenë drejt brenda ujërave tona. Këta kanë dalë nga Ulqini dhe kanë ndaluar barkën 100% në territor shqiptar. Ishin ushtarë me gomone. I shtinë sipër kokave, u futën brenda dhe i vunë kallashat në kokë: do vini me ne, s’do vini me ne.
Rojet tona bregdetare na thanë ju lutem mos lëvizni nga vendi sepse ne jemi nisur në drejtimin tuaj. Ishte nisur roja bregdetare e Durrësit, Për hir të së vërtetës nuk e di emrin e atij gjeneralit, por një burrë i jashtëzakonshëm, u shqetësua jashtë mase, ngriti problemin në qeveri. U nis anija prej andej me shpetësi të madhe. Unë pata dhe ngacmime nga Mali i ZI, nga miqtë e mij, se unë kam shumë miq atje, duke thënë më thenë mos të vijnë deri këtu, mos na krijo përplasje se po erdhi roja bregdetare mund të shkojnë gjërat më keq.
Atëherë unë u detyrova me mendjen time, për të mos krijuar këto gjëra sepse ne jemi non-stop në punë dhe non-stop me Malin e Zi, i thashë që ju lutem shkoni mbrapa gomones deri në portin e Barit për ta zgjidhur këtë problem dhe anija u nis prej këtej. Ishte bajagi skandal ajo që ndodhi në bordin e anijes.
U nis prej këtej për të shkuar në Bari, autoritet pastaj të qeverisë të Malit të Zi, ju thanë ju lutem mos e bini deri në Bari, po bjerini në Ulqin. Pra e zbutën problemin, zbriti anija në Ulqin, I vunë gjobën me qenë në rregull me ligjet e veta, paravësisht se ishte gabim. Për hir të së vërtetës mua më kërkuan falje dhe ambasadorit shqiptar I kërkuan falje që ishte agravuar problem. Janë sjellë shumë xhentilë, me përjashtim të atij momentit ballkanik, që ishte bajagi incident i rëndë.
Komente

Bovat e kufirit me Malin e Zi i shiti për themele pallati ish drejtori i kufirit në Shkodër Marshall Fatmir Amuli
PërgjigjuCdo te thote bajagi...? Turqisht...ah Luc o Lluc
PërgjigjuGjergji me pak fjale po thote qe :ne ceshtje interesi ekonomik, dinjiteti i njeriut nuk ka vend.Si mund te perdhunohesh ne ate menyre dhe te mbahesh per njeri me integritet?. Ndoshta nuk kishe asnje mundesi mbrojtje, por ama nuk duhet dakordesuar me dhunuesin.
Përgjigju