Ky 12 shtator shënoi 26 vjet nga vrasja e liderit të lëvizjes studentore, Azem Hajdarit.
Familjarët dhe përfaqësues të Partisë Demokratike ashtu sikurse bëjnë prej vitesh, vendosën kurora me lule në memorialin pranë ish selisë së Partisë Demokratike, në vendin ku u vra.
Ajo që ra në sy, ishte mungesa e së bijës, Rudina Hajdarit.
Kjo e fundit, sqarimin përse mungoi në homazhet e përvitshme të të atit, me përfaqësuesit e Partisë Demokratike, e dha mes disa rreshtave të ndjerë në rrjetet sociale.
“Për 26 vite kjo ditë më ka pritur me të njëjtën rutinë. Duke shkuar te memoriali, varrezat dhe duke takuar të afërmit dhe miqtë e tu. Sot, në vend të kësaj, vendosa të përcjell mbesën tënde në shkollë. Dhe mu kujtua se ti nuk do të kesh mundësi ti prekësh dorën mbesës tënde, për të cilën shpesh më thonë se ngjan me gjyshin e saj. Sa shumë do ta doje, e imagjinoj. Më ka marrë malli shumë babi. Uroj të na shohësh nga lart dhe të jesh krenar për ne”, shkroi Hajdari.
Në rrjetet sociale, lideri i lëvizjes studentore të vitit 1990 u përkujtua edhe nga drejtues e ish drejtues të tjerë të Partisë Demokratike e politikës.
Ish kreu i PD Lulzim Basha shkroi se figura e Azem Hajdarit ndezi shpirtin e një kombi të tërë ndërsa Presidenti i PL Ilir Meta shkroi se Lidershipi, vepra dhe guximi i Azemit mbeten frymëzim për të gjithë ata që besojnë në vlerat e demokracisë.