Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën, se në Kosovë nuk do të ketë asnjëherë Asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.
"Nuk diskutohet dhe nuk hapet marrëveshja e arritur me herët për Asociacionin", tha Hoti gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, për dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Të enjten në Bruksel do të zhvillohen bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të ekspertëve. Më herët është paralajmëruar se pritet të diskutohet çështja e Asociacionit dhe ajo për pretendimet financiare dhe pronësore.
Kryeministri Hoti, megjithatë tha se të enjten në Bruksel nuk do të diskutohet për Asociacionin.
"Nesër nuk diskutohet për Asociacionin dhe nesër nuk është ditë e rrezikshme për Kosovën. Nesër është një ditë e zakonshme ku kryeministri i vendit raporton para deputetëve të Kuvendit të Kosovës", tha Hoti.
Sipas tij, të enjten diskutohet për çështjen e obligimeve financiare me dy vendeve që kanë të bëjnë me çështjen e pensioneve të viteve të 90-ta, suksesioni i pasurisë së ish-Jugosllavisë, borxhi publik, dëmet e luftës, reparacionit etj.
Më herët, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.
Lajmi kryesor: