Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, pas takimit me presidenten e vendit Vjosa Osmani, tha se sulmet në veri kanë qenë të organizuara në mënyrë profesionale ushtarake si dhe prapa tyre qëndron dikush që i ka trajnuar dhe pajisur me armatim.
"Ende po përpiqemi të kuptojmë çfarë po ndodh. Ka disa fakte që i dimë dhe disa jo. Ka qenë një sulm shumë i rëndë dhe incident shumë i madh. ShBA po punon ngushtë me Kosovën e departamentet e tjera për të kuptuar çfarë ka ndodhur. E dimë që ka qenë sulm dhe organizuar nga një grup i trajnuar mirë, profesionistë dhe me pajisje ushtarake. E dimë se disa sulmues kanë vrarë policin e Kosovës dhe janë vrarë disa prej tyre. Ky grup nuk është i qytetarëve, individualë që kanë ardhur së bashku për të shprehur brenga por është një grup i trajtuar dhe organizuar dhe qëndron dikush, që i ka pajisur me armatim të rëndë”, thotë ai.
Diplomati amerikan, tha se ky sulm ishte kërcënim për Kosovën dhe qytetarët e saj.
””… Autoritetet serbe thanë se ata e kanë humbur forcën e se do ta përdorin këtë për sulme të tjera. Duhet t’i ruajmë energjitë, pajisjet që janë sekuestruar dhe strategjitë që po punojmë. ShBA po punon ngushtë me Kosovën. Nuk e kemi ditur dhe nuk kemi pasur informacion për këtë sulm, sepse pot ë kishim do i kishim paraprirë dhe nuk do të kishte asnjë humbje jete”- tha Hovenier.
Ambasadori amerikan para gazetarëve ka theksuar se sulmet kanë qenë kriminale, por nuk ka dhënë detaje nëse paraprakisht kanë qenë të njoftuara se do të ndodhin.
“ Nuk e di për pjesën e kriminelëve në Manastir që përpiqen të negociojnë me dikë. Jam në dijeni për raportet që ka pasur të shtëna nga Manastiri kundër forcave policore të Kosovës. Ky ishte një sulm i rëndë kriminal”, ka deklaruar përfaqësuesi i SHBA-ve.
Gjithashtu Hovenier ka çmuar koordinimin e autoriteteve policore të Kosovës me strukturat ndërkombëtare.
“Së pari kam qenë në kontakt me KFOR-in, EULEX-in dhe autoritetet policore. Ka qenë një koordinim i fortë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesve tjerë. Kemi qenë të shqetësuar për këtë sulm pa arsye ndaj Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Lajmi kryesor:
Sulmi në Veri të Kosovës, Kurti: Në Bruksel, Vuçiç na tha se Radojiçiç do bëhet 'Adem Jashari' i serbëve! Policia përfundon bastisjet në Banjskë
S.G/ReportTv.al