Sulmi në Veri të Kosovës, Kurti: Në Bruksel, Vuçiç na tha se Radojiçiç do bëhet 'Adem Jashari' i serbëve! Policia përfundon bastisjet në Banjskë

26 Shtator 2023, 08:01| Përditesimi: 27 Shtator 2023, 08:56

  • Share

Ka shkuar në 8 numri i të arrestuarve në Kosovë, ndërsa është sekuestruar dhe një tjetër arsenal armësh në fshatin Banjskë të Zveçanit ku dhe të dielën e 24 shtatorit grupet e armatosura serbe qëlluan policinë duke vrarë efektivin Afrim Bunjaku dhe plagosur 3 policë. 

Dy arrestimet e fundit u bënë mbrëmë në një hotel të fshatit pasi në automjetin të cilin drejtonin iu gjet një sasi e madhe armësh të llojeve të ndryshme. Policia informoi sot se po mbrëmë kishte sekuestruar një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager), të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe armatimi.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, njofton se ka zhvilluar bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Chollet shkruan se u ka kërkuar Kurtit dhe Vuçiç që të rikthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Ndërkohë dy nga tre serbët e arrestuar për sulmin terrorist të 24 shtatorit dolën sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ndaj Dushan Maksimoviqit dhe Blagoje Spasojeviçit gjykata caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Për të arrestuarin tjetër Vlladimir Toniç, Gjykata i komunikoi mbrëmë masën e sigurisë 30 ditë burg në ambientet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK) ku ndodhet i shtruar pasi u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Po sot Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla publikoi pamjet që mbrojnë tezën se Milan Radoiçiç, nënkryetar i Listës Serbe, është udhëheqës i grupit terrorist. Ai është shpallur 'nongrata' nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier deklaroi se sulmet në veri kanë qenë të organizuara në mënyrë profesionale ushtarake si dhe prapa tyre qëndron dikush që i ka trajnuar dhe pajisur me armatim. Deklarta e tij u bë pas takimit me presidenten e vendit Vjosa Osmani.

Në Beograd Qeveria e Serbisë ka kërkuar që nesër më (27 shtator) të shpallë Ditë Zie në nderim të sulmuesve serbë të cilët u vranë nga policia e Kosovës. Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se përshkallëzimi i dhunës në Banjskë të Zveçanit është “një ngjarje tragjike” dhe se po shqyrtohen hapa të mëtejshme.

Në Bruksel ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian pritet të mblidhen më vonë sot, për situatën në Kosovë. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se shtetet anëtare të unionit janë duke diskutuar për situatën e krijuar në veri të vendit

“Shtetet anëtarë po diskutojnë për situatën, ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian do të mblidhen më vonë sot për të folur pikërisht për këtë. Hetimi është duke vazhduar, nuk ka përfunduar dhe është në duar të plota të Policisë së Kosovës, që është duke u asistuar nga EULEX-i dhe KFOR-i. Ne nuk do të bëjmë paragjykime dhe gjykime për çka ka ndodhur. Janë njerëzit që janë duke u marrë me këtë. Ne duhet të shohim faktet plotësisht, kush e organizoi?, kush e ekzekutoi këtë sulm terrorist?, përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë”, u shpreh Stano.

Hyrja në fshatin e Zveçanit, rreth 55 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim. Policia e Kosovës bastisi nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas përleshjejeve të armatosur me një grup personash, nga e cila mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën 3 të tjerë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë dhe tre sulmues. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha se ky fshat do të vazhdojë të jetë i bllokuar deri të paktën në orën 09:00 të 27 shtatorit, kur pritet që autoritetet të vendosin se si do të veprojnë në vazhdim. Ai tregoi se aksioni i bastisjeve ka përfunduar në orët e pasdites të ditës së martë, duke mos dhënë më shumë detaje.

Ora 22:37
Sulmi në Veri të Kosovës, policia përfundon bastisjet në Banjskë

1695760903_vvvvvvvvvvvvvvvvvvvvvvvvvvvv.JPG

Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjet nëpër shtëpitë dhe objektet në dhe përreth fshatit Banjskë të Zveçanit, dy ditë pas përleshjeve të armatosura me një grup personash, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës dhe tre sulmues serbë. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se ky fshat do të vazhdojë të jetë i bllokuar deri të paktën në orën 09:00 të 27 shtatorit, kur pritet që autoritetet të vendosin se si do të veprojnë në vazhdim. Ai tregoi se aksioni i bastisjeve ka përfunduar në orët e pasdites të ditës së martë, duke mos dhënë më shumë detaje.

Ora 22:25
Kurti: Në Bruksel Vuçiç na tha se Radojiçiç do bëhet Adem Jashari i serbëve

1695760205_AlbinKurti1600x360.png

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një reagim të fundit në rrjete sociale shkruan kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin, dhe se në takimin e 2 majit në Bruksel ka thënë se  Millan Radojçiç do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Kurti shprehet më tej se Vuçiç dëshironte ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës.

"Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë.

Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen", shkruan Albin Kurti.

Ora 21:59
Akuzohet se organizoi sulmin në Veri, grupi i Radojiçiçit dha deri në 15 mijë euro për djegien e makinave me targa të Kosovës

1695758831_mmmmmmn.JPG

Nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiç raportohet se është në mesin e sulmuesve të plagosur në Banjskë të Zveçanit pasi sulmuan policinë e Kosovës.

Raportohet se ai më parë ka udhëhequr atje grupe kriminale të cilat në vazhdimësi kanë shkaktuar destabilizim në komunat veriore të Kosovës. Radojiçiq dhe grupi i udhëhequr nga ai, sipas medieve në Kosovë kanë dhënë deri në 15 mijë euro për t`i djegur veturat e qytetarëve që i regjistronin me targa RKS.

Deri në 15 mijë euro ka shkuar pagesa për t`i djegur veturat me regjistrim të Kosovës në veri. Kujtojmë se Radojiçiç është në kërkim nga autoritetet e Kosovës dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ora 20:59
Kryediplomatja gjermane: Serbia të bëjë thirrje për heqje dorë nga dhuna

1670796123_annalena.JPG

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, kërkoi nga Serbia që të bëjë thirrje për heqje dorë nga dhuna.

Përmes një postimi në X, kryediplomatja gjermane tha se pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator, “të githë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre në paqe”.

“Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre në paqe. Në këtë situatë të tensionuar në Ballkanin Perëndimor, përgjegjësia matet me atë se çfarë bëhet për shtensionim të situatës. Serbia, në veçanti, duhet të bëjë thirrje pa mëdyshje për heqjen dorë nga dhuna”, shkroi ajo në X, që më herët njihej si Twitter.

Ora 20:16
Vrasja e policit në veri të Kosovës, Këshilltari i DASH telefonon Kurtin dhe Vuçiç: Kthehuni në dialog!

1690716307_derekchollet.jpg

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, njofton se ka zhvilluar bisedë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Chollet shkruan se u ka kërkuar Kurtit dhe Vuçiç që të rikthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

“Bisedova me presidentin Aleksandër Vuçiç për rëndësinë e deeskalimit të situatës menjëherë në veri të Kosovës dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin më tej tensionet. Humbja tragjike e jetës nënvizon nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për t'u kthyer në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti pas sulmit të tmerrshëm të së dielës në Kosovë. Dënoj ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës; shpreh ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të zbatojnë angazhimet e Ohrit”, shkruan Chollet.

Ora 20:14
Albin Kurti: Dy vjet më parë, Serbia dërgoi avionë luftarakë MiG-29 dhe ambasadorin e Rusisë në kufirin tonë për të na frikësuar

1695640247_Capture353.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se dy vite më parë Serbia dërgoi avionë luftarakë MiG-29 dhe Ambasadorin e Rusisë në kufirin tonë për të frikësuar qytetarët dhe autoritetet e Kosovës. Në një postim në platforëm 'X', Kurti shkruan se që nga ajo kohë dhuna dhe agresioni i Serbisë është intensifikuar. Kurti shton se autoritetet mbeten të vendosur në angazhimin e tyre për të mbrojtur demokracinë dhe sundimin e ligjit në të gjithë Republikën e Kosovës.

“Dy vjet më parë, Serbia dërgoi avionë luftarakë MiG-29 dhe Ambasadorin e Rusisë në kufirin tonë për të na frikësuar. Që atëherë, dhuna dhe agresioni i tyre është intensifikuar. Por ne mbetemi të vendosur në angazhimin tonë për të mbrojtur demokracinë dhe sundimin e ligjit në të gjithë Republikën e Kosovës”, shkruan Kurti.

Komentet e Kurtit vijnë pas sulmeve të kriminelëve serbë në veriun e vendit 2 ditë më parë, ku mbeti i vdekur një efektivi Afrim Bunjaku. 

Ora 19:59
Del FOTO/ Trupat e dy serbëve të vrarë në makinën e Policisë së Kosovës

Katër serbë të vrarë është bilanci i deritanishëm nga aksioni i Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Ky aksion erdhi pak orë pasi u vra në detyrë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Indeksonline ka publikuar trupat e dy serbëve të vrarë nga Policia e Kosovës të cilët po qëndronin afër manastirit të armatosur deri në “dhëmbë”.

Sipas indeksonline, dy serbët janë ekzekutuar nga snajperistë profesionistë të Policisë së Kosovës.

Ora 18:07
Në Zveçan ndizen qirinj për kriminelët e vrarë pas sulmit në Veri të Kosovës

 

Serbët e Zveçanit janë mbledhur për të ndezur qirinj për pjesëtarët e grupit terrorist që u vranë gjatë sulmit të organizuar ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku.

Sipas Tanjug serbët e vrarë janë Stefan Nedeljković, Igor Milenkvić, Bojan Mijailović. Ndërkohë autoritetet kosovare nuk kanë bërë publike identitetin e tyre. 

Agjencia e lajmeve serbe shkruan se homazhe janë mbajtur në të katër komunat në veri të Kosovës.

Në homazhe kanë qenë dhe përfaqësues të listës serbe 

Lista Serbe nga ana e saj ka deklaruar tre ditë zie për vdekjen e tre sulmuesve serbë.

ipas njoftimit, “në mjediset serbe në territorin e Kosovës do të anulohen të gjitha ngjarjet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale dhe flamujt e Republikës së Serbisë në të gjitha institucionet do të ulen në gjysmështizë”.

Ora 16:37
Tensionet në veri të Kosovës, sekuestrohet tjetër arsenal armësh, snajper, mitralozë, granata! Shkon në 8 numri i serbëve të arrestuar

Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me arrestimin e dy serbëve mbrëmjen e kaluar, ndërsa ka publikuar edhe fotot e arsenalit të sekuestruar. Policia thotë se ka sekuestruar mitraliozë, snajper, granata, pushka, karikatorë, radio të ushtrisë dhe uniforma ushtarake. Që pas ngjarjes në veri, ku u vra polici Afrim Bunjaku, ka shkuar në 8 numri i serbëve të arrestuar në veri.

Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës

Vlerësuar në aspektin e sigurisë, situata në veri të vendit është e qetë, por mbetet e tensionuar. Policia e Kosovës (PK), siç ka raportuar në konferencën e datës 25.09.2023, se operacioni policor është ende duke vazhduar dhe si rezultat i saj në një hotel ka arrestuar dy persona të dyshuar si dhe në zonën e fshatit Banjskë janë gjetur dhe janë konfiskuar disa mjete dhe arsenal armësh.

Pas arrestimit të dy sulmuesve terroristë me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë, arrestimit të katër personave të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terrorist, si dhe arrestimit të dy personave të dyshuar, me datën 25.09.2023 numri i të arrestuarve deri më tani ka arritur në tetë (8)persona.

Mjetet e konfiskuara me 25.09.2023 përbëjnë një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager), të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe e që kryesisht përbëjnë:

• një armë e kalibrit të rëndë (lansues me nitro 30 mm),

• tri armë të kalibrit të rëndë (gulinov me tri tyta),

• dy armë të gjata (mitraloza),

• një snajper (black spear 12.7mm),

• një minahedhës (82 mm),

• njëzet e dy armë të gjata (AK 47),

• një automatik (RPZ),

• dy pushkë gjuetie,

• dy armë të shkurta (revole),

• një granatë dore,

• shtatëdhjetë e katër karikatorë për AK 47,

• nëntë jelekë antiplumb,

• një radiolidhje,

• tetë çanta ushtarake,

• gjashtë uniforma ushtarake.

Vlen të theksohet se dy armë të gjata AK 47 janë gjetur në manastir, si dhe një helmetë e PK-së e cila është marrë nga vendi i ngjarjes ku është vrarë rreshteri policor.

Policia e Kosovës vazhdon aktivitetet e saja në interes të ruajtjes së rendit kushtetues, ofrimit të sigurisë ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallim.

Njëkohësisht njësitet policore në rrethanat e krijuara në zonën e fshatit Banjskë, po qëndrojnë afër qytetarëve, duke iu ofruar siguri dhe duke iu mundësuar e ofruar ndihmë sipas nevojave dhe kërkesave të banorëve.

Ora 15:20
Von Cramon shpërndan pamjet e terroristëve në veri të Kosovës: Kur do t’i sanksionojmë këta?

1695734454_violavoncramon.jpg

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka pyetur se kur do të nisin sanksionet nga Bashkimi Evropian në lidhje me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit teksa ndan edhe pamjet e terroristëve serb në veri.

“Kur do të fillojë sanksionimi i këtyre njerëzve këtu? Ngrirja e aseteve, e llogarive bankare dhe parandalimi i tyre (dhe i disa kriminelëve të tjerë) për të udhëtuar në shtete e BE-së? Kjo do të ishte së paku sa për fillim (siç kishte bërë ShBA-ja disa kohë më parë)?”, ka shkruar von Cramon në Twitter.

Ora 14:57
Ambasadori amerikan, Hovenier: Sulmi, kërcënim për Kosovën, mbrapa qëndron dikush që i ka pajisur me armatim të rëndë

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, pas takimit me presidenten e vendit Vjosa Osmani, tha se sulmet në veri kanë qenë të organizuara në mënyrë profesionale ushtarake si dhe prapa tyre qëndron dikush që i ka trajnuar dhe pajisur me armatim.

"Ende po përpiqemi të kuptojmë çfarë po ndodh. Ka disa fakte që i dimë dhe disa jo. Ka qenë një sulm shumë i rëndë dhe incident shumë i madh. ShBA po punon ngushtë me Kosovën e departamentet e tjera për të kuptuar çfarë ka ndodhur. E dimë që ka qenë sulm dhe organizuar nga një grup i trajnuar mirë, profesionistë dhe me pajisje ushtarake. E dimë se disa sulmues kanë vrarë policin e Kosovës dhe janë vrarë disa prej tyre. Ky grup nuk është i qytetarëve, individualë që kanë ardhur së bashku për të shprehur brenga por është një grup i trajtuar dhe organizuar dhe qëndron dikush, që i ka pajisur me armatim të rëndë”, thotë ai.

Diplomati amerikan, tha se ky sulm ishte kërcënim për Kosovën dhe qytetarët e saj.

””… Autoritetet serbe thanë se ata e kanë humbur forcën e se do ta përdorin këtë për sulme të tjera. Duhet t’i ruajmë energjitë, pajisjet që janë sekuestruar dhe strategjitë që po punojmë. ShBA po punon ngushtë me Kosovën. Nuk e kemi ditur dhe nuk kemi pasur informacion  për këtë sulm, sepse pot ë kishim do i kishim paraprirë dhe nuk do të kishte asnjë humbje jete”- tha Hovenier.

Ambasadori amerikan para gazetarëve ka theksuar se sulmet kanë qenë kriminale, por nuk ka dhënë detaje nëse paraprakisht kanë qenë të njoftuara se do të ndodhin.

“ Nuk e di për pjesën e kriminelëve në Manastir që përpiqen të negociojnë me dikë. Jam në dijeni për raportet që ka pasur të shtëna nga Manastiri kundër forcave policore të Kosovës. Ky ishte një sulm i rëndë kriminal”, ka deklaruar përfaqësuesi i SHBA-ve.

Gjithashtu Hovenier ka çmuar koordinimin e autoriteteve policore të Kosovës me strukturat ndërkombëtare.

“Së pari kam qenë në kontakt me KFOR-in, EULEX-in dhe autoritetet policore. Ka qenë një koordinim i fortë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesve tjerë. Kemi qenë të shqetësuar për këtë sulm pa arsye ndaj Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Ora 14:51
Ambasadori amerikan në Serbi reagon për situatën në Kosovë: Po shqyrtohen hapa të mëtejshme

1695732672_98743.jpg

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se përshkallëzimi i dhunës në Banjskë të Zveçanit është “një ngjarje tragjike” dhe se po shqyrtohen hapa të mëtejshme.

“Ne të gjithë duhet të dënojmë vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe gjithmonë na vjen keq për humbjen e jetës, por duhet të vazhdojmë me procesin politik”, tha Hill më 26 shtator në Beograd, transmeton agjencia Beta.

Ai theksoi se procesi diplomatik duhet të “forcohet” në ditët dhe javët në vijim. Hill mori pjesë të takimin e përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it dhe shefit të delegacionit të Bashkimit Evropian me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Por, diplomati amerikan nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se për çfarë është biseduar me presidentin e Serbisë.

Vuçiç më herët shkroi në Instagram se gjatë takimit me diplomatët ndërkombëtarë kishte kërkuar që misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, “KFOR të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës”.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit – komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe – më 24 shtator. Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur. Edhe gjashtë persona të tjerë janë arrestuar, sipas autoriteteve të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë. Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – dhe as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit. Kosova ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës./REL

Ora 14:19
Deputeti gjerman reagon ndaj deklaratës së Vuçiç: E ka gënjeshtrën element qendror të veprimeve të tij! Në Kosovë po kryhet spastrim etnik

1695730740_kosove.jpg

Deputeti i Bungestagut, Thomas Hacker, ka reaguar ndaj pretendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, se në Kosovë “po kryhet spastrim etnik”.

Hacker ka thënë se fatkeqësisht, Aleksandër Vuçiç, gënjeshtrën e ka element qendror të veprimeve të tij.

“Akuza për spastrim etnik në Kosovë është thellësisht e rreme”, ka shkruar Hacker.

Ai shtoi se Lista Serbe duhet të dënojë ngjarjet e fundit dhe të tregojë se është e gatshme të jetë një partner konstruktiv.

“Fatkeqësisht, gënjeshtra është një element qendror i veprimeve të presidentit #Vuçiç. Akuza për spastrim etnik në #Kosovë është thellbësisht e rreme. Lista Srpska duhet të dënojë ngjarjet e fundit + të tregojë se është e gatshme të jetë një partner konstruktiv”, ka shkruar Hacker.

Ora 13:53
Abazoviç: Situata në veri të Kosovës mund të kthehet në një konflikt në shkallë më të gjerë

1694953764_dritanabazovic.jpg

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka dënuar vrasjen e policit të Kosovës Afrim Bunjaku të dielën e 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit.

“Unë personalisht dënoj fuqishëm dhunën dhe vrasjen. Çfarë mund të themi tjetër, u tronditëm vërtet. Kjo lloj situate mund të kthehet lehtësisht në një konflikt në shkallë më të gjerë dhe kjo është një fatkeqësi”, tha ai për mediat malazeze.

“Ne mendojmë se politika e viteve 90-ta duhet të marrë fund”, ka theksuar ai.

Abazoviç po ashtu i bëri thirrje popullit serb dhe atij kosovar që të përpiqen të pajtohen.

“Unë garantoj se të gjithë do të jenë mirë”, shtoi ai.

Ora 12:50
VIDEO/ Sveçla publikon pamjet e Radoiçiçit në Banjskë: Ishte udhëheqësi i grupit terrorist

Sipas ministrit të Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, i cili publikoi pamjet, thotë se shihet Milan Radojiçiç, nënkryetar i Listës Serbe, e që është edhe pjesë e Listës së Zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar, i cili është udhëheqës i grupit terrorist.

Ai ka thënë se Radojiçiçi është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve. Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiç përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”, ka thënë ai.

Shpalljen e ditëve të zisë nga Serbia dhe Lista Serbe për sulmuesit serbë të vrarë nga aksioni i Policisë së Kosovës, Sveçla e ka cilësuar vulosje të autorësisë së organizimit.

Ora 11:59
Përfundon seanca ndaj të arrestuarve për sulmin në veri! 30 ditë paraburgim për 3 të dyshuarit

1695716672_terririste.JPG

Seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 3 të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë ka përfunduar.

Në seancë është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit, ku është caktuar masa prej 30 ditëve.

Të dielën e 24 shtatorit 2023 sulmuesit serbë i zunë pritë njësitët policor afër fshatit Banjskë në Zveçan dhe vranë policin Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit.

Nga fillimi i aksionit e deri më tani janë konfirmuar tre serb të vrarë dhe gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

Të hënën në mbrëmje janë publikuar pamjet nga droni, në të cilën shihen lëvizjet e sulmuesve serbë brenda dhe jashtë Manastirit të Banjskës.

Ora 11:28
Policia e Kosovës vazhdon hetimet në zonën rreth Banjskës, hyrja e Zveçanit vijon të jetë e bllokuar

1695720558_kosov.JPG

Policia e Kosovës po i vazhdon të martën bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas një përleshjeje të armatosur me një grup personash, nga e cila mbeti i vdekur një polic dhe tre sulmues.

Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, tha më 26 shtator për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Policia ende nuk e ka mbaruar punën, nuk dihet se kur do ta bëjë, ndoshta sot gjatë ditës”, tha Elshani.

Ora 11:20
Vrasja e Afrim Bunjakut, Osmani: Na bindi sërish se flijimi i jetës për atdheun është rilindje, jo vdekje

1695723132_647375MJlPSz9GQ0.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar fotografi nga ceremonia e varrimit të rreshterit të vrarë në veri, Afrim Bunjaku.

Osmani ka thënë se “Afrimi na bindi sërish se flijimi i jetës për atdheun është rilindje, jo vdekje”.

“Dje i dhamë lamtumirën heroit Afrim Bunjaku.

Kosova është ngritur mbi sakrificën sublime të një populli. Ajo po mbahet mbi këtë sakrificë e do të jetojë përjetësisht falë trimave si Afrimi.

Afrimi na bindi sërish se flijimi i jetës për atdheun është rilindje, jo vdekje. Duke rënë për Kosovën ai e përjetësoi jetën e tij. Tani ai është hero i Kosovës, bir i saj i shtrenjtë që jeton në altarin e historisë së atdheut.

Lavdi heroit Afrim Bunjaku!”- shkruan Osmani.

Ora 11:02
Qeveria Serbe shpall Ditë Zie datën 27 shtator për 4 serbët në veri të Kosovës

1695718932_serbi.jpg

Qeveria e Republikës së Serbisë në seancën e sotme ka shpalluar datën 27 shtator si Ditë Zie për shkak të ngjarjeve tragjike në Kosovë, ku u vranë 4 serb.

Qeveria e Kosovës u kërkon të gjithë mediave që programet e tyre të kenë në fokus shpalljen e Ditës së Zisë, ku në këtë mënyrë ata respektojnë viktimat në Kosovë, thuhej në njoftimin e Qeverisë, raporton media serbe Novosoti.

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca edhe për dy të pandehurit pjesë e grupit terrorist serb në Banjskë, të cilët të dielën sulmuan Policinë e Kosovës, e për pasojë u vra polici Afrim Bunjaku

Të dielën e 24 shtatorit 2023 sulmuesit serbë i zunë pritë njësitët policor afër fshatit Banjskë në Zveçan dhe vranë policin Afrim Bunjaku dhe plagosën 2 të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës shkëmbyen të shtëna me policinë.

 

Ora 10:43
Arrestohen 2 serbë në Bansjke, iu gjetën një sasi e madhe armësh në makinë

1695660565_kosove.JPG

Dy serbë kanë rënë në prangat e policisë së Kosovës mbrëmjen e djeshme në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Ata u arrestuan pasi gjatë kontrolleve të policisë, në automjetin të cilin drejtonin iu gjet një sasi e madhe armësh të llojeve të ndryshme.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, për Klan Kosova.

Ndër të tjera, ai është shprehur se në përgjithësi situata në Zveçan dhe në Veri ka qenë e qetë dhe pa incidente.

Ora 10:40
E mbushur me armë, gjendet një autoblind e grupit terrorist serb që u braktis në malet e Banjskës? (VIDEO)

Është siguruar një video, në të cilën shihet një autoblindë e grupit terrorist e braktisur në zonën malore në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në këtë autoblindë, shihet një sasi e armatimit të llojeve të ndryshme.

“Betimi për Drejtësi” mëson se autoblinda në fjalë është ende në atë zonë.

Kujtojmë se Policia e Kosovës bëri të hënën prezantimin e armatimit që u gjet pas sulmit terrorist të grupit serb, i cili ishte armatim i kalibrave të ndryshëm.

Po ashtu, aty u prezantuan edhe veturat, uniformat, dokumentet e gjësendet tjera që u gjetën nga Policia e Kosovës.

 
Ora 10:19
Ish-komandanti i FSK-së: Të vazhdohet aksioni, ka depo armësh edhe në pjesë të tjera

1695716352_koha.jpg

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë që të vazhdojnë aksionin në veri, pasi sipas tij, depo armësh të ardhura nga Serbia ka edhe në pjesë të tjera.

Ai ka deklaruar në emisionin “SOT” të KTV-së të mërkurën se Serbia është përgatitur tash e një kohë për sulmin e së dielës (24 shtator) “për të krijuar rrëmujë dhe të shkëpusë pjesën veriore”.

“Policia duhet të vazhdojë aksionin edhe në pjesë të tjera sepse jam i bindur që ka edhe shumë depo e armë të tjera që kanë ardhura nga Serbia, edhe më të rënda, sepse ata kanë qenë të përgatitur, aksioni ka pasur qëllim të ngrehë popullatën në këmbë të bëjë rrëmujë dhe të shkëpusë atë pjesë të Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas Kastratit, që nga paslufta Serbia është përgatitur e është armatosur në vazhdimësi për të nxitur urrejtje e konflikt. Ai ka thënë se sulmi ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku ishte terrorist dhe i përgatitur nga Beogradi.

“Sulmi është përgatitur dhe gatuar në Beograd, pa miratimin e Serbisë e të Vuçiqi atje s’kanë mundur këta terroristë të kenë mbështetjen edhe logjistike edhe armatimin. Dje pamë një arsenal armatimi që për një tog që ka qenë atje, kanë qenë të pajisur mirë. Një kohë të gjatë e kane përgatitur këtë sulm. Kosova e tregoi veten që ka një polici profesionale, që është e gatshme t’i kryejë detyrimet e veta bazuar në ligjet dhe rregulloret...Kosova po tregon se ka përparuar në mënyrë të shpejtë dhe sot jemi zotë të vetvetes që t’i kryejmë detyrimet që dalin. Në aspektin e sigurisë, Kosova është vend i sigurt. Me bindje e them se me largimin e bandave e terroristëve sepse s’janë vetëm këta që kanë ikur”, është shprehur tutje ish-komandanti i FSK-së.

Ai ka theksuar se një numër i sulmuesve ka arritur të ikën nga veriu dhe të drejtohet kah Serbia, derisa ka thënë se sipas informacioneve të tij, edhe një serb ka vdekur në spitalin e Novi Pazarit e 5 janë të plagosur rëndë.

“Radojiçiçi është plagosur. Edhe Radojçiqi besoj se ka qenë prezent në ato grupe, pasi të gjithë këta serbë dhe liderët e Listës Serbe janë pjesë të këtij akti terrorist. Edhe Kurti tash e ka një qasje ndryshe sepse Serbia si shtet fqinj ka dëshmuar në këtë këto dëshmi se ka qenë Serbia e involvuar në sulm terrorist ndaj Kosovës. Pres faktorin ndërkombëtar të jetë i ashpër, pasi e dimë që Serbisë i ka krijuar favore...Ky akt e tregoi fytyrën e vërtetë të Serbisë”, është shprehur Kastrati.

Ish-kreu i FSK-së ka potencuar tutje se çdo grup i huaj që futet në territorin e Kosovës dhe ka pretendime armiqësore duhet të cilësohet “grup terrorist me aktivitet terrorist”.

Kastrati është shprehur tutje se sulmi në veri është kryer me direktiva të Rusisë.

“Direktiva i është dhënë disa muaj më parë kur Vulini e Dodiku kanë qenë në Moskë. Ai (Aleksandar Vulin, shef i BIA-s) e ka marrë detyrë që të krijohet konflikti në Kosovë. E kemi humbur një polic, një familjar, një baba të fëmijëve, por aktet e tilla mund të kenë qenë me pasoja më të mëdha, por kanë rezultuar me humbjen e një jete...Çdoherë duhet të flijohemi për shtetin e Kosovës pasi e kemi fituar me mund e djersë. Policia, Ushtria e institucionet e sigurisë janë të betuar se do ta flijojnë edhe veten për të mbrojtur shtetin që e kemi”./Koha.net

Ora 10:03
Lista Serbe shpall tre ditë zie për sulmuesit serbë të vrarë

1695715529_lista.jpg

Lista Serbe ka deklaruar tre ditë zie për vdekjen e tre sulmuesve serbë të cilët u vranë në Banjskë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Lista Serbe e ka quajtur ngjarjen tragjike.

Sipas njoftimit, “në mjediset serbe në territorin e Kosovës do të anulohen të gjitha ngjarjet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale dhe flamujt e Republikës së Serbisë në të gjitha institucionet do të ulen në gjysmështizë”.

“Në emër të Listës Serbe dhe popullit serb nga Kosova, i shprehim ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë”, shkruan Lista Serbe.

Të dielën e 24 shtatorit 2023 sulmuesit serbë i zunë pritë njësitët policor afër fshatit Banjskë në Zveçan dhe vranë policin Afrim Bunjaku dhe plagosën 2 të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës shkëmbyen të shtëna me policinë.

Nga të shtënat u vranë 3 sulmues, si dhe u arrestuan 6 të tjerë mes tyre 2 të plagosur. Ndërkohë ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se 6 sulmues ishin plagosur dhe po mjekoheshin në Novi Pazar dhe i kërkoi Serbisë ti dorëzojë

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 27/09/2023 03:29

    Amb.Hovenier thote qe sulmet jane te mireorganizuara e DIKUSH qendron pas tyre qe i sponsorizon!! E gjen dot kush eshte /DIKUSH-i/?

    Përgjigju
  • Riciklim: 26/09/2023 23:45

    Negociatoret deshtuan duhet te riciklohen si Borel Lajcak etj pra duhet nje nisme e re negocimi ku negocimi nis me njohje perfundimtare Kosoves pasi nuk mundet nje cop Serbi te bllokoje ballkanin dhe Europen jugore dhe W.Balkans pra tani nis nje Tetor i ri ku mire eshte nje futje Mal Zi dhe Shqiperi e N.Macedonia ne EU fillimisht direkt ne 2024 me hyrje si member por me vote “frezze” per 4-5 vite pra W.Blakans futen shtetet direkt 3 pastaj negocim i ri Kosova njohje totale dhe pastaj mbyllje procesit me negociator te afte per situaten e re politike ekonomike dhe gjeopolitike te krijuar! Pra 2024 (Albania Montenegro N.Macedonia ) fast integration in EU! Marrveshje perfundimtare njohje Kosove Serbi dhe pikat pastaj , aplikim 2024 Kosova ne NATO ! Pas marrveshjeve kur te mbyllet procesi integrim i 3 pjeseve W.Balkans (3 shtetet e tjera te 6 ne EU) ! Ky do ishte plan normal dhe demokratik, nje konflikt ballkanik eshte cenim i EU dhe paqes boterore !

    Përgjigju
  • Shkodra: 26/09/2023 13:34

    Pse nuk i provut ato dronet bajraktar e punojn o policia??? Ti kishit ba shkrum e hi me dron

    Përgjigju
  • Ndergjegja: 26/09/2023 13:13

    Armiku me i madh i shqiptarit eshte vete SHQIPTARI-ka thene Faik Konica. PARADOKSE QE PERSERITEN NE JETEN TINE SHQIPTARE. KY RADOJIÇIQI ESHTE MIK I NGUSHTE NE BISNESE ME RAMUSHHARADINAJN...DHE KRYEMINISTRI YNE EDVIN VAZHFON TE HETE MIK I NGUSHTE I VUÇIÇIT DHE PARA DY DITESH FOLI SI MINISTER I KABINETIT SERB. KETU MBYLLET QARKU I LOBISTEVE TE MOSKE-BEOGRADIT.

    Përgjigju
  • Kroi i pastër.: 26/09/2023 11:11

    Kot lodhenpolitika Amerikane eEuropiane të gjejë fajtorin .Ai është vetdeklaruar, ështëSërbia.

    Përgjigju
  • Mirditori: 26/09/2023 09:32

    Mos u lodhni kot me cjyqe, të gjith jan pjestar të trupës diversioniste të gjith në hapsane,atje tu dalë shpirti.Të kalben për së gjalli siai DJALI iKosovës.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?