ELBASAN - Vllaznia u mposht 0-1 nga BFC Daugavpils në "Elbasan Arena" për ndeshjen e parë në turin e parë të Conference League. Lizunova në minutën e 85-të vendosi ndeshjen, me letonezët që shënuan vetëm me një goditje në portë.
Për këtë fakt, trajneri i shkodranëve, Edi Martini është i keqardhur, por beson se ekipi i tij mund ta përmbysë ndeshjen më 17 korrik në udhëtim. Trajneri i kuqebluve tregon edhe rëndësinë e kalimit në turin e dytë.
"Kishim rastet tona. Duhet ta shënonim ne golin. E kontrolluam lojën. Patëm rastet tona, por ky ishte futbolli. Të përgatitesh një muaj dhe në fund 4 lojtarë ikin ose dëmtohen, normalisht që nuk është e lehtë.
Një goditje në portë dhe shënuan? Kjo më dhemb më shumë. Rezultati 0-0 do të ishte më mirë se sa 0-1. E vumë kundërshtarin poshtë gjatë gjithë lojës. Por kam besim, është një ndeshje tjetër dhe besoj se mund ta kthejmë atje. Është një kundërshtar i vështirë. Janë shtatlartë dhe rrinë 10 lojtarë pas në 30 metrat e fundit. Është e vështirë t’i çash.
Nuk e di a u pa në televizor, por pati edhe moviolë për penallti. Është shumë i rëndësishëm për ne kalimi i këtij turi, si për financat, si për lojtarët”, tha Edi Martini pas ndeshjes për 'RTSH'.
Komente
