Dorëheqja e mbrëmshme e kryeministrit Zoran Zaev, pas humbjes së thellë në zgjedhjet vendore, në fakt do të thotë dorëheqje e gjithë Qeverisë. Pra një fitore e dyfishtë e opozitës.
Por çfarë kishte parashikuar zv. kryeministri Artan Grubi dhe kryetari i VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski para zgjedhjeve vendore për Report Tv.
"Të gjitha sondazhet, absolutisht në të gjitha, pa asnjë përjashtim, qofshin ato sondazhe që janë realizuar nga NDI amerikane, qofshin ato sondazhe që janë realizuar nga IRI, gjithashtu organizatë amerikane, apo nga Brima Gallup-i, apo nga të gjitha institucionet ndërkombëtare vendore, pa asnjë përjashtim të vetëm, Bashkimi Demokratik për Integrim, zoti Ali Ahmeti, janë partia numër 1, lidere, me votat e shqiptarëve në këtë vend. Ka rritjen më të madhe nga të gjitha partitë, përfshi edhe partitë politike maqedonase dhe ka përkrahjen absolute. Unë shoh fitore gati në të gjitha komunat shqiptare në veriperëndimin e vendit dhe uroj që qytetarët në mënyrën më të lirë të mundshme, në mënyrën më demokratike të mundshme, të dalin, të shprehin vullnetin e tyre dhe të përcaktohen për më të mirët. Për sa i përket koalicionit të partive opozitare më vjen mirë që shoh përpjekje për t’u bashkuar dhe për të mos e parcializuar votën edhe përkundër faktit që kishte reagime shumë në opinion nga një koalicion i panatyrshëm... Unë vlerësoj që ne do të jemi shumë më mirë sesa jemi tani në pushtetin lokal dhe do ta lëmë që ta përcaktojnë qytetarët më 17 tetor në rrethin e parë, ndërsa ne kemi edhe rrethin e dytë dy javë më pas", tha Grubi.
Ndryshe nga zv. Kryeministri Artan Grubi që e quajti koalicionin me partitë shqiptare të panatyrshëm dhe “sindromë Stokholmi”, kryetari i opozitës në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski e cilësoi koalicionin atë që do të sjellë ndryshimin dhe është i duhur për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
"Mendoj se ky hap është i madh për ne dhe gjithashtu për ata, sepse në këtë mënyrë po krijojmë një përceptim që ne jemi më shumë të bashkuar dhe jo të ndarë. Kështuqë, qëllimi im kur nisëm negociatat me z. Sela dhe z. Gashi ishte që të përçonim mesazhin e një shteti, i cili do të jetë e ardhmja për të gjithë njerëzit, si përsa i përket etnisë, po ashtu edhe bindjeve politike. Për ne ky ishte qëllimi kur nisëm negociatat me ta, dhe mendoj se ia kemi arritur qëllimit, dhe mendoj se qytetarët në Maqedoni do të jenë shumë më të kënaqur me atë çfarë ne do t’u ofrojmë në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale. Dhe unë besoj shumë që kandidatët tanë dhe kandidatët e koalicionit të Aleancës Shqiptare do të fitojmë dhe në këtë mënyrë, do të krijojmë një përceptim të ri për fituesit në zgjedhjet lokale. Dhe pas kësaj do të krijojmë mazhorancën e re parlamentare që do të formojë qeverinë e re. Megjithatë, jam optimist dhe për t’i rënë shkurt, ju më pyetët se cfarë do të ofrojmë ne për qytetarët dhe vendin, përgjigja ime do të jetë thjesht të ardhmen, shpresë dhe përfaqësim, gjë e cila është komplet e kundërta e realitetit që është prezent në vend, krejt e kundërta e asaj që koalicioni në qeveri është duke ofruar për momentin dhe kur flas për koalicionin e kam fjalën për social-demokratët dhe Dui", tha ndër të tjera për Report Tv Kreu i VMRO-DPMNE-së.