Humbja në derbi sjell pasojat e para te skuadra e Partizanit. Drejtori sportiv i klubit, Arbër Abilaliaj, ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, 39-vjeçari ka njoftuar se largohet nga posti i tij te Partizani.
Ndërkohë që pas humbjes së djeshme në derbi, sinjale largimi dha edhe trajneri Mladen Milinkovic, i zgjedhur për këtë detyrë nga vetë Abilaliaj disa muaj më parë.
“Faleminderit Partizani! Sot mbyllet një kapitull shumë i rëndësishëm i jetës sime profesionale. Pas disa vitesh plot emocione, sfida, përgjegjësi dhe momente që s’harrohen kurrë, kam vendosur të largohem nga detyra e drejtorit sportiv të Partizanit. Ky klub nuk ka qenë kurrë për mua thjesht një vend pune, por një shtëpi, një ndjenjë që më ka shoqëruar dhe formuar, një pjesë e identitetit tim.
Kam dhënë gjithçka që kam pasur, me pasion, përkushtim dhe dashuri të vërtetë për këto ngjyra. Falenderoj lojtarët me të cilët kam ndarë çdo ditë, stafin teknik, bashkëpunëtorët e klubit dhe mbi të gjitha tifozët e Partizanit, që janë zemra e këtij ekipi. Pa ju, asgjë nuk do kishte kuptim. Çdo rrugëtim ka fundin e vet, por kujtimet dhe ndjesitë që më ka dhënë Partizani do të mbeten gjithmonë brenda meje. Faleminderit për gjithçka. Një herë i kuq, gjithmonë i kuq”, shkruan ai.
'Arkitekti' i ekipit, Abilaliaj mori rolin e drejtorit sportiv te Partizanit në korrik të vitit 2023 dhe gjatë kësaj kohe shpesh herë ka bërë edhe rolin e trajnerit, sa herë që të kuqtë kanë mbetur pa një timonier. Pas më shumë se dy vitesh, aventurës së tij si pjesë e të kuqve tashmë i erdhi fundi.
Vendi i parafundit dhe një fillim sezoni me vetëm katër pikë, 11 gola të pësuar dhe tre të shënuar, kanë bërë që te Partizani të nisin lëvizjet e para.
Postimi i Abilaliajt
Komente
