Kryeministri Edi Rama ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku kujton se nga sot nis zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore.
Rama shkruan se kjo marrëveshje do të sjellë një lehtësi të madhe për mijëra qytetarë shqiptarë, por edhe për mijëra italianë që kanë punuar në të dy vendet, të cilëve u njihet plotësisht çdo vit pune për efekt pensioni jashtë atdheut.
Postimi i Kryeministrit Edi Rama
Nga sot nisi zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore, duke sjellë një lehtësi të madhe për mijëra qytetarë shqiptarë, por edhe për mijëra italianë që kanë punuar në të dy vendet, të cilëve u njihet plotësisht çdo vit pune për efekt pensioni jashtë atdheut. Nderim dhe respekt për mundin e kontributin e tyre.
Marrëveshja u firmos më 6 shkurt nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, dhe homologu italian, Antonio Tajani. Kjo marrëveshje parashikon trajtim të barabartë për shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri, duke u mundësuar atyre përfitime nga pensionet, sigurimi i papunësisë, përfitimet për sëmundje dhe shtatzëni. Pakti do të zbatohet sipas një marrëveshjeje administrative specifike.
Koordinimi i sigurimeve garanton që personat të cilët kanë punuar në të dyja shtetet mund të bashkojnë periudhat e sigurimeve për të përfituar pension. Marrëveshja është një hap i madh në sigurimin e të drejtave sociale të shqiptarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Itali, si dhe të italianëve në Shqipëri.
Komente
