"Një e drejtë e mohuar prej dekadash po na njihet". Kështu e konsiderojnë shqiptarët marrëveshjen e pensioneve me Italinë, jo vetëm ata që jetojnë atje, por edhe shqiptarët që janë rikthyer, por kanë vite pune në shtetin italian.
“Kjo është një drejtësi e vonuar, por më mirë vonë se kurrë”, thotë Murat Klobocishta një emigrant shqiptar.
Emigrant i marsit të 91-shit, Murat Klobocishta thotë se prej kësaj marrëveshje i njihen 10 vite punë që i ishin mohuar deri më tani.
“Kjo ishte një padrejtësi sociale sepse ti ke punuar, ke derdhur kontribute, pension nuk merr, kontributet nuk kthehen pas, me këtë marrëveshje të bërë fitohen të drejtat e mohuara. Mua më digjeshin vitet e Italisë se kam 10 vite e gjysmë atje, dhe pa marrëveshjen mua më digjeshin”, shprehet ai.
Kurse Alfred Perlala, që për pak javë pritet të dalë në pension tregon se u largua nga vendi para 34 vitesh, por vitet e punës që kishte në Shqipëri nuk i njiheshin në Itali.
“Një arritje shumë e madhe se çdo njeri ka bërë 40-45 vite pune dhe nuk ka dalë në pension dhe me këtë marrëveshje përfiton. Unë kam 12 vite punë këtu në Shqipëri dhe 34 vite në Itali. Në total 46 vite punë dhe duhet të kisha dalë para 4 vitesh në pension, por nuk bashkoheshin periudhat, por tani mund të përfitoj”, shprehet Alfred Perlala emigrant shqiptar që jeton ende në Itali.
Rreth 500 mijë shqiptarë do të përfitojnë nga marrëveshja për njohjen e pensioneve me Italinë, që tashmë ka nisur zbatimin.
“Më në fund kanë të drejtën për pension njerëz që kanë punuar në vendin tonë, që kanë derdhur kontribute dhe këto kontribute më pas do të vulosin fundin e punësimit dhe u japin të drejtën e pensionit. Marrëveshja është një instrument i fortë barazie, transformon një kosto të lartë në një të drejtë sigurimi, dhe promovon marrëveshje të tilla mes vendeve”, tha Luca Geromin, Përgjegjës për Studime dhe Kërkime, në Institutin Rajonal të Asistencës Sociale në Itali.
Të gjithë qytetarët mund të bashkojnë periudhat e sigurimit në të dy shtetet në mënyrë që të mos humbasin asnjë kontribut, pavarësisht kohës dhe vendit ku janë derdhur. Nëse një shqiptar aplikon në Itali për lidhjen e pensionit, do të jenë institucionet italiane që do të shkëmbejnë informacion me institucionet shqiptare për të bashkuar periudhat e sigurimeve të personit. Përfituesit do të mund ta marrin pensionin në vendin ku jetojnë.
Sipas vendimit të senatit italian, kostoja për pensionet e shqiptarëve në vitin 2025, përllogaritet në 51.6 milionë euro, dhe deri në vitin 2032 përllogaritet të arrijë në 270 milionë euro.
Nga kjo marrëveshje mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet apo sigurimet për papunësinë. Po të njëjtat përfitime i kanë edhe afro 4 mijë italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri.
Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Por, me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen.
Komente
