I arrestuari i fajdeve: Ish-prefekti (që na denoncoi) i përdor paratë për blerje votash (Të gjitha dëshmitë)

2 Prill 2019, 20:26| Përditesimi: 4 Prill 2019, 10:05

  • Share

Prokuroria në Shkodër gradualisht ka nisur që të tërhiqet nga akuzat e rënda për personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Maranaj” të cilët dyshohen për dhënie fajdesh ndaj djemve dhe vetë ish prefektit të Shkodrës Paulin Radovani. Në fund të seancës që u zhvillua për 4 orë me radhë në gjykatën e Apelit në Shkodër prokurori i apelit Brahim Dragjoshi pranoi para gjykatës që të paktën për tre të dyshuar të lehtësohet masa e sigurisë “arrest me burg” dhe pikërisht per Naim Ahmetin, Adri Balën dhe Lulzim Syljen. Për 9 të tjerët i qëndroi kërkesës për “arrest me burg”. Gjykata e apelit e shtyu për ditën e nesërme vendimin e saj për 12 të arrestuarit. Thuajse të gjithë të dyshuarit kanë dhënë dëshmitë e tyre në një seancë që u zhvillua me dyer të hapura.

Ish kancelari i gjykatës: U dhashë para djemëve të ish-prefektit për t'i ndihmuar
Bërhan Alija u përfaqësua nga avokati i tij. Avokati mbrojtës mohoi se klienti i tij i ka dhënë para me fajde ish prefektit apo dy djemve të tij. E vetmja gjë është blerja e një makine. Avokati mbrojtës tha se në mënyrë të padrejtë dhe të jashtëligjshme janë sekuestruar të gjitha makinat që ndodheshin tek servisi që posedon në hyrje të qyteti. Më pas radha ishte për ish kancelarin e gjykatës Artan Dragani. Avokati mbrojtës u shpreh se klienti i tij duke patur lidhje miqësore me djemtë e ish prefektit, i ka dhënë një shumë parash për t’i ndihmuar në situatën e vështirë ekonomike por jo me shtesë ose siç quhen me fajde.

Edi Memçaj: Djemtë e ish-prefektit i përdornin paratë për blerje votash
Një i arrestuar tjetër, Edi Memçaj dha dëshminë e tij duke thënë se nuk është e vërtetë se i ka dhënë para me fajde djemve të ish prefektit. Memçaj u shpreh se i ka blerë një tokë djemve të tij në Velipojë në shumën 10 milionë lekë dhe një dyqan motrës të ish prefektit Radovani. “Jam munduar të shtoj bizneset sepse më ka lënë pasuri babai dhe i kam trashëguar dhe jo si Paulin Radovani që i çon djemtë te droga, kumari apo i përdor paratë për blerje votash. Sa borxhe ka ish prefekti nuk e nxë as burgu i Shën Kollit dhe s’do ketë burg që e nxë. Unë nuk e di me kë jam në grup se nga të ndaluarit veç dy tre kam një njohje dhe asgjë më shumë. Paratë i kam kaluar me banka dhe jo si Paulini që i ka fshehur. E dini ju se ka futur një djalë jetim të marrë në emrin e tij 250 mijë euro kredi në bankë. Janë fotot e djemve të ish prefektit duke marrë drogë, duke luajtur kumar, çfarë faji kam unë se i kam blerë pronat" tha Edi Memçaj.

Marjan Bregu: Ish-prefekti ngriti skemë piramidale
Në të njëjtën linjë ishte edhe avokati mbrojtës i Marjan Bregut i cili e quajti atë që ka bërë ish prefekti si një skemë piramidale. Marjan Bregu, mësues në shkollën e mesme “Jordan Misja”, peshëngritës i Vllaznisë i ka patur shokë djemtë e ish prefektit tha avokati mbrojtës dhe sot është i arrestuar dhe ata që kanë mashtruar janë të lirë. Duke patur lidhje shoqërore i ka ndihmuar duke i dhënë para borxh por asnjëherë me fajde. Përgjimet ambientale të pretenduar janë të jashtëligjshme sepse ish prefekti herë e ka mbajtur ndezur regjistruesin herë e ka fikur sipas dëshirës.

Avokati: Nuk është e vërtetë që Lulzim Sylja ka kërcënuar ish prefektin
Lulzim Sylja, një tjetër i ndaluar u përfaqësua nga avokati mbrojtës. Ky i fundit tregoi se Lulzim Sylja i ka dhënë një borxh prej 120 mijë euro. Është e pavërtetë që Lulzim Sylja ka kërcënuar ish prefektin siç pretendohet. Pasi Lulzim Sylja i ka kërkuar lekët e borxhit ish prefekti i ka ofruar një tokë të një ish fabrike në Pukë për t’ia shitur duke marrë parasysh edhe shlyerjen e borxhit. Lulzim Sylja ka thirrur një mik të tijin, Naim Ahmetin duke i treguar për këtë rast dhe ky i fundit ka rënë dakord për ta blerë atë tokë. Pasi është bërë kontrata në drejtorinë e tatimeve ka rezultuar një shumë prej 45 milionë lekësh të vjetër tatim-taksa që duhej paguar. Ish prefekti s’ka pranuar ta paguaj atë shumë që i detyrohej shtetit dhe kështu marrëveshja mes tyre është prishur për shitjen e tokës duke i mbetur sërish borxh prej 120 mijë euro. Edhe avokatët e Naim Ahmetit u shprehën të shokuar se si ka mundësi që për një person si klienti i tyre që thirret nga një mik për të blerë një tokë merret masë sigurimi në mungesë “arrest me burg”.

Ish-drejtori i Patentave: Ish-prefektit i dhashë 25 mijë euro të paguante punëtorët
Ilir Sokoli, ish drejtori i patentave në Shkodër dha dëshminë e tij para gjykatës së apelit duke treguar ai dhe avokati se si ky shtetas ka qenë mik shumë i ngushtë me dy djemtë e ish prefektit Radovani dhe miq edhe familjarisht. Avokati mbrojtës u shpreh se është qesharake që prokuroria ngre këto akuza me qëllim që të justifikojë masat e sigurisë, një histori që përsëritet prej 30 vitesh. Organi i akuzës s’ka bërë hetim gjate tha avokati i Ilir Sokolit dhe tregoi se 25 mijë euro ia ka dhënë borxh për të paguar pagat e punëtorëve të fabrikës. Vetë ish drejtori Sokoli dëshmoi se përveç faktit se i ka patur miq Robert dhe Elton Radovanin tregoi se e ka takuar ish prefektin duke i thënë se çfarë do që të bëjë me ata që familja Radovani i ka borxhe. Ilir Sokoli tregoi se ka qenë vetë ish prefekti që i ka kërkuar të futet si ndërmjetës tek shtetasi Vinko Nikprelaj në mënyrë që ky i fundit të blente një tokë që kishte familja Radovani tek fabrika e tyre. Ilir Sokoli tregoi se e ka ditur se është në përgjim ndërsa edhe pas dy muajsh e ka mbajtur po të njëjtin numër celulari sepse s’kam patur arsye ta ndërroj sepse ishim miq.

Vinko Nikprelaj: Në fabrikën e ish-prefektit ka qenë edhe Presidenti
Nga ana tjetër për shtetasin Vinko Nikprelaj avokati mbrojtës tregoi historinë se si përgjimet ambjentale të ish prefektit janë të paligjshme dhe u shpreh se në fabrikën e tij ku janë regjistruar të ndaluarit kanë shkuar edhe deputet për ta takuar, edhe Presidenti aktual i Republikës dhe shumë personazhe të tjerë. Avokati i Nikprelaj tha se klienti i tij i ka blerë një tokë prej 140 mijë euro dhe paratë ia ka kaluar me bankë dy ditë para se të ndalohej. Është i pavërtetë pretendimi i ish prefektit se në aktshitje është shkruar 140 mijë euro dhe jo 240 mijë euro sepse 100 mijë të tjera kanë qenë fajde në favor të Nikprelaj. Avokati tha se klienti i tij ka marrë kredi për të shlyer këtë shumë me të cilën ka blerë tokën. Vetë Nikprelaj dëshmoi se është takuar disa herë me ish prefektin dhe se ky i fundit e ka marrë disa në telefon. “Më merrte disa herë në telefon duke më pyetur a doli kredia. Kushti në kontratë ka qenë që në momentin që do më aprovohej kredia toka të ishte e imja. Kur u miratua kredia i kam kaluar paratë. Një ditë para arrestimit isha me të tek noteri teksa bëmë procedurën e fundit. Me mua nuk ekziston asnjëherë fjala fajde, thjeshtë i kam blerë tokën sepse kam bërë kontrata qiraja me kompanitë e sigurimeve duke qenë se përballë asaj toke pritej të vinte drejtoria e transporteve”.

Eduart Fusha: I dhashë lekë Radovanit për të paguar punëtorët
Adri Bala është një tjetër i ndaluar që në një moment ka qenë thjeshtë shoqërues dhe i del emri shkurtimisht në përgjime.  Avokati mbrojtës i shtetasit Eduart Fusha pranoi se klienti i tij i ka dhënë një borxh djemve të ish prefektit por jo me fajde, thjeshtë për t’i ndihmuar për shkak të lidhjeve shoqërore që kanë patur. Borxhin ia ka dhënë me idenë për të shlyer pagat e punonjësve të fabrikës dhe përgjimet janë të stimuluara pretendohet edhe në këtë rast. Edhe për shtetasin Elidon Qerimaj avokati mbrojtës pranoi se i ka dhënë djemve të ish prefektit Radovani, fillimisht 18 mijë euro Robertit dhe më pas 5 mijë euro Eltonit por për t’i ndihmuar për shkak të lidhjeve shoqërore.

Pashko Vuksanelaj: Inskenoi vrasjen e djemve, më tregoi bisedat me Ramën...
Dëshmia më e gjatë dhe shuma më e madhe është dhënë nga Pashko Vuksanelaj, po ashtu i ndaluar. Fillimisht avokati mbrojtës tregoi se borxhin ia ka dhënë me 3 përqind në vit duke qenë se këtë hua e njeh ligji. Sipas avokatit të Vuksanelaj nga janari i këtij viti dhe deri në fillim të marsit ish prefekti Radovani rezulton se ka marrë vetëm në një muaj e gjysëm 1 milion e 400 mijë euro vetëm borxhe, këtyre të ndaluarve por edhe personave tjerë që s’janë fare pjesë e këtij procesi. Akuzoi se prokuroria e rrethit dhe disa gjyqtarë të shkallës së parë kanë mbajtur linjën e ish prefektit për shkak të lidhjeve të tyre. Më pas dha dëshminë e tij vetë i dyshuari Pashko Vuksanelaj.

Ai vendim në shkallë  e parë është dhënë nën presion politik. Gabimet duhen pranuar. Dy ditë përpara ishte në Shkodër kryeprokurorja kurse një ditë para Kryeministri përgëzoi policinë në një kur ky kryeministër ka fyer të gjitha institucionet dhe i ka kërcënuar. Paulin Radovani në vitin 1997 kur pati probleme tek fabrika pasi iu dogj shkoi në Malin e Zi tek disa njerëz të mi. Kur u kthye dhe rinisi punën në fabrikë më thirri mua dhe njerëzit e mi dhe na dha një drekë, aty e njoha. Në korrik 2018 më merr në telefon por unë isha në spital. Pasi dola më mori prap. Shkova dhe e takova dhe më çoi tek një tokë afër fabrikës. Më tha që i kishte premtuar Edi Rama se në tokën e tij do të sjellte drejtorinë e transporteve ose targat siç i themi por më tha se i duheshin 50 mijë dollar se ishte në vështirësi. I thashë se do e ndihmoj dhe kur ia dërgova kishte përgatitur një deklaratë jo në prezencën time dhe nga besimi që kisha ia dhashë paratë dhe e firmosa.

Pas pak kohësh më mori prap dhe më tha jam në dorën tënde se po falimentoj. Më duhen më tha edhe 50 mijë dollar për ta paguar tatim taksat e punëtorëve të fabrikës. Ia dhashë. Më mori herën e tretë dhe më tha se më duhen edhe 50 mijë të tjera duke më treguar se deri në fund të 2018 ai do të përfitonte 1 milion e gjysëm euro duke qenë se tek toka e tij priste t’i shkonte drejtoria e transporteve. Ia dhashë sërish edhe herën e tretë dhe u bënë 150 mijë dollar në total. Këto ia kam dhënë me 3 përqind në vit. Në fund të vitit duhej të mi kthente por s’ma ktheu borxhin.

Shkoj ta takoj dhe më thotë se kishte takuar në Tiranë zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të policisë Gjovalin Loka duke i treguar për kërcënime dhe problemet. Mua më tha se ia kanë vrarë djemtë dhe se nuk e di ku i kishte, e inskenoi vrasjen e djemve sepse ata ishin gjallë dhe thjeshtë kishin ikur nga Shqipëria. Në fillim të vitit kam dashur ta takoj disa herë por nuk përgjigjej në telefon. Një ditë e takova poshtë pallatit të tij dhe më çoi në kafe. Më tha kështu e ka puna ime, lekët t’i kam borxh por për momentin si kam ndërsa më tregoi sërish bisedat e tij me Edi Ramën për 1 milion e gjysëm euro që priste ende të përfitonte. Pra unë jam mashtruar nga Paulin Radovani
”.

Gjykata-prokurorisë: Dosjen e keni copë copë...
Të gjithë të dyshuarit dhe avokatët mbrojtës të tyre kanë kërkuar që për ta gjykata të vendos masën lehtësuese të sigurisë “detyrim paraqitje” dhe të hetohen të lirë sepse s’janë persona të rrezikshëm. Në fund prokurori i apelit kërkoi që për tre prej tyre të lehtësohet masa e sigurisë ndërsa nuk pati përgjigje për argumentet dhe faktet që shtruan 12 të ndaluarit dhe avokatët e tyre. Edhe gjykata e pyeti prokurorin se si është e mundur të ketë një dosje të tillë copë copë por nuk dha përgjigje ndërsa u mjaftua duke thënë se të gjithë kanë patur interes në borxhet e dhëna. Gjykata e apelit shtyu vendimin me 3 prill në orën 14:50.

Komento

Komente

  • lushi: 02/04/2019 21:58

    Po ku i moret gjith keto miliona euro o hajduter te jipni llogari per parate e vjedhura.

    Përgjigju
    • malush: 22/05/2019 10:13

      po shif mor dreq punt tuja

  • Santa Quaranta: 02/04/2019 21:06

    Prokuroria te hetoje faktin e vleresimit klientelist te pronave ne vendet ku kerkon shteti te behen investime, fajdet jane hesap tjeter....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?