Një 38-vjeçar është arrestuar në Vlorë pasi ishte persona i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.
Adjol Kushtaj është dënuar me 10 vite burg në Itali nga Gjykata e Apelit të Firences për kultivim kanabisi, prodhim dhe mbajtje e lëndëve narkotike e trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim.
Kushtaj është arrestuar provizorisht dhe do të ekstradohet në Itali.
Njoftimi i Policisë Vlorës:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Ombra”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë.
I dënuar nga autoritetet italiane me 10 vite burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, lokalizohet dhe vihet në pranga 38-vjeçari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Vlorë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara si dhe në bashkëpunim me zyrat homologe të Interpolit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ombra”.
Si rezultat, në lagjen “Kushtrimi”, u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit:
* Adjol Kushtaj, 38 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 23.11.2023, e ka dënuar me 10 vite burgim, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhim, mbajtje dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Trafikim i narkotikëve” dhe “Krim i kryer në bashkëpunim”, sipas Legjislacionit Penal Italian dhe Ligjit për Narkotikët.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë bashkëpunimin për procedurat e mëtejshme të ekstradimit.
Komente
