Për të dytën ditë radhazi kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar kryeministrin Edi Rama nga Spanja, ku mbahet samiti i Partive Popullore Europiane (në Valencia).
Teksa është shkëputur nga fushata elektorale prej tre ditësh, fill pas publikimit të kontratës së lobimit 6 mln dollarë me kompaninë amerikane ‘Continental’ në emër të PD-ADSHM, (e botuar ekskluzivisht më 26 prill nga Report Tv dhe Shqiptarja.com), ai ka gjetur një tjetër rrugë për replikë nga distanca, por jo për detajet e kontratës, por për “bëmat” e qeverisë.
Sali Berisha thotë se gjithë bota po pret fitoren e tij dhe Partisë Demokratike, në 11 maj. Reagimi i tij vjen pas ironisë së kryesocialistit Edi Rama me video-postim për fjalimin e kreut të PD në Samitin e Partive Popullore Europiane në Spanjë, por edhe për ato rreth kontratës 6 mln dollarë të lobimit.
Berisha tha se Rama është i dënuar ndërkombëtar ndërsa bota po pret fitoren e së djathtës më 11 maj.
“Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, e gjithë bota pret fitoren e PD, me besimin se, nën drejtimin e kësaj force politike, do të bëhet realitet anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Sot, brenda 5 muajsh miratohet rezoluta e katërt që dënon Edi Ramën dhe regjimin e tij. Përveç fjalës sime, në të cilën u përqendrova tërësisht në situatën në Shqipëri dhe paraqita para audiencës më të madhe europiane, të vërtetën e trishtë të narkoshtetit të vetëm dhe të parë në Europë, që është narkoshteti i ndërtuar nga Edi Rama, në Shqipëri. Diskutova gjerësisht përpjekjet e tij për të shndërruar zgjedhjet në fasadë, si dhe dhunën mbi terrorin politik që ai ushtron ndaj forcave opozitare, me qëllimin e vetëm për të marrë një mandat të katërt”, tha Berisha ndër të tjera.
Në lidhje me ironitë e Ramës ai tha:
“Sot, i dënuari ndërkombëtar është Edi Rama, me merita. Këtë ta dijë çdo shqiptar. Le të lexojnë rezolutën, e cila do të miratohet për pak, punë çështje kohe dhe kjo, është rezoluta e 4-t në 5 muaj, që dënon Edi Ramën. Në të vërtetë, bota politike, shumica, e botës politike është kundër Edi Ramës, ndëshkon Edi Ramën”.
Dhe më tej iu referua “erës së të djathtës në Europë” dhe botë, teka shtoi se ka edhe mbështetjen e raporteve të OSBE-së.
Komente
