Mitri Prifti, 36-vjeçari, i cili u shpall në kërkim për atentatin ndaj Edison Begës, në 2016 ka kallëzuar në policie, se si kushëriri i tij, ndërtuesi Jani Zaka, ishte kërcënuar nga Emiljano Shullazi, i cili donte t’i merrte një parking nëntokësor, me sipërfaqe 1 200 metër katrorë, në rrugën “Sali Butka”.
Por vetëm një javë pasi emri i tij u përfol për lidhje me çështjen e Emiljano Shullazit, Mitri Prifti deklaroi në një intervistë për Report TV se jo vetëm që nuk e ka takuar kurrë, por as nuk e njeh Shullazin.
Ai shprehej se është shokuar së tepërmi kur ka parë nëpër media të qarkullojnë foto apo të përfliten takime të tij me të implikuarit në këtë çështje, duke u shprehur se ajo që po e penalizon është fakti që ka kushëri Jani Zakën.
“Në këtë histori nuk kam qenë kurrë i përfshirë dhe nuk jam i përfshirë. Papritur kam parë se përflitet në media, publikohen foto të miat dhe profesioni im, që e cila nuk është pozitive për jetën time. Unë thjeshtë jam kushëriri i dikujt që sipas mediave këtu ka një konflikt më të gjerë dhe kaq. Unë jam askushi në këtë histori” tha ai.
Gjatë intervistës për Report TV, juristi Prifti tha se emrin e Shullazit e ka dëgjuar para disa kohësh, kur ai ka takuar Jani Zakën, duke i kërkuar të zgjidhet problemi me familjen Sinani, për çështjen e një prone.
“Nuk e kam njohur, nuk e njoh, thjeshtë edhe njëherë siç është përfolur. Nuk kam lidhje me Emiljano Shullazin dhe me Blerimin. Emiljano Shullazi dikur ka qenë në një lagje me historinë Jani Zakës. I ka kërkuar, mesa di unë, mëse miqësisht të zgjidhet ky problem, pasi pretendimet e familjes Sinani kanë qenë të tilla që kundrejt Jani Zakës” ka thënë Prifti.
Pyetjes se a ishte takuar ai ndonjëherë apo të ketë biseduar në telefon me shtetasin Blerim Shullazi, juristi Mitri Prifti i përgjigjej në këtë mënyrë:
“Jam i shokuar kur shikoj ato deklarata e telefonata që paskan “ndodhur” mes meje dhe Emiljano Shullazit, absolutisht jo, nuk e njoh” ka shtuar ai.
Sa i përket largimit të tij jashtë Shqipërisë, të pretenduar nga media, Prifti shprehet se udhëtimi i tij në Amsterdam ka qenë familjar dhe nuk ka lidhje me asnjë lloj kërcënimi.
Lajmi kryesor:
Atentati ndaj Edison Begajt në derë të shtëpisë, shpallet në kërkim autori jurist! Kanë lidhje familjare, sherri nisi në një lokal në Lungomare për një shpullë
M.Q.//ReportTv.al