Nga maja e kodrës ku ndodhet Manastiri i Shën Gjergjit, mund të shijoni një pamje mahnitese të detit Jon dhe Liqenit te Butrintit.
Për të mbërritur deri këtu, udhëtoni në rrugën nacionale Sarandë–Ksamil dhe ndaloni në Qafën e Manastirit. Rruga vazhdon në këmbë përreth 15 minuta. Çdo hap është një përgatitje për një takim të veçantë me historinë.
I ndërtuar mbi rrënojat e murit të lashtë të Demës, Manastiri i Shën Gjergjit i përket periudhës ndërmjet shekujve XVII dhe XVIII. Ky kompleks monumental është dëshmi e qartë e trashëgimisë kulturore dhe fetare të zonës së Sarandës.
Me ndërtimin e tij në një pozicion strategjik, manastiri ka shërbyer si pikë mbrojtjeje, jo vetëm për Sarandën, por edhe për qytetin antik të Butrintit.
Kompleksi ka mbetur në një gjendje të mirëmirëmbajtur deri në ditët e sotme. Në oborrin e tij ndodhet edhe kisha me të njëjtin emër, e ndërtuar më vonë, e cila fatkeqësisht ka humbur një pjesë të konsiderueshme të afreskeve për shkak të kohës dhe ndërhyrjeve të mëvonshme.
Pozicioni gjeografik midis Sarandës dhe Ksamilit e bën këtë monument një nga destinacionet më të vizituara kulturore të zonës. Vizitorët e përjetojnë jo vetëm si një vend me rëndësi historike, por edhe si një hapësirë ku ende zhvillohen rite fetare dhe festa tradicionale të komunitetit besimtar.
Vetëm gjatë vitit 2024, Manastiri i Shën Gjergjit është vizituar nga rreth 3000 persona, një shifër që tregon rëndësinë gjithnjë në rritje të këtij vendi si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore.
Komente
