Sociale

I nxehti, Brataj për Report TV: Rreth 17 mijë vizita nga fillimi i qershorit deri më tani, numër i shtuar edhe në qendrat verore! Dehidratimi mund të shkaktojë pasoja të rënda

8 Korrik, 14:16| Përditesimi: 8 Korrik, 16:05

  • Share

Nga fillimi i qershorit deri më tani janë 17 mijë persona që kanë kryer vizita sa i përket gjendjeve shëndetësore të shkaktuara nga moti i nxehtë. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri”, drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj theksoi se numri i thirrjeve në urgjencë në këtë periudhë është më i shtuar, gjithashtu edhe në qendrat verore shëndetësore të ngritura në pika të caktuara. 

“Periudha të tilla shoqërohen edhe me shtim të komplikancave dhe personat më në risk, të moshuarit, fëmijët dhe personat me patologji kronike. Dihet tani se shton si numrin e thirrjeve dhe kërkesave për ndihmë por edhe shtrime në spitale. Janë në rritje edhe në qendrat shëndetësore verore. Ajo që vumë se gati 3.5% e personave kanë përfunduar në spital të këshilluar nga këto qendra shëndetësore verore. Faktorët janë të ndryshëm. Komplikancat janë të lidhura me të nxehtin, goditjen nga dielli apo lagështinë e ajrit. Shifra janë rreth 74% e tyre shqiptarë dhe 26% të huaj. Gati 17 mijë deri tani nga 1 qershori deri dy ditë më parë. Të lidhura më shumë me të nxehtin janë virozat rreth 8%, janë gastroenteritet 8.5%. Ajo që dominon gati 15% presioni i lartë i gjakut, janë me radhë nga një shtim edhe pickimet dhe alergjitë në këtë sezon të verës. “, u shpreh Brataj. 

Duke u ndalur te këshillat, Brataj rekomandoi shmangien e orëve të pikut. 

“Këshillat kanë qenë të njëjta, eliminimi i orëve të pikut nga 11:00 deri në 17:00. Si masa, ka filluar Evropa me fillimin e valës së të nxehtit, dhe shumë vende nga Italia, Franca, Gjermania e Anglia morën masa me vendim qeverie që punonjësit e ekspozuar në rrugë të ishin maksimumi deri në 12:30. Më pas të mos punonte njeri për të të nxehtit, lagështisë së ajrit dhe ekspozimit në diell. Shumë nga këto shtete krijuan ishujt e mirëqenies për popullsinë që ka këto probleme. Nëpër lagje kur ishin biblioteka, kishat e parqet të krijoheshin kushtet për ajër të kondicionuar, akses i lirë, mënyrë uljeje dhe furnizim me ujë. Edhe marrja e këtyre masave është një nga anët më të kujdesshme për qytetarët.", tha ai. 

Brataj theksoi se duhet kuptuar se dehidratimi mund të jetë shkak për një sërë problemesh shëndetësore, ndaj rekomandoi pirjen e të paktën deri në 2 litra ujë në ditë, ose më shumë në kushte mbidjersitjeje. Sipas tij, dehidratimi mund të shkaktojë ulje të presionit të gjakut, rritje të frekuencës kardiake, të frymëmarrjes apo gjendje të fikëti. 

"Në fasha të ndryshme, jo të gjithë jemi të ndërgjegjshëm ose kemi etjen për të mirë. Duhet të pimë 1.5-2 litër ujë në kushte normale, në mbidjersitje duhet të jetë më shumë se 2-3 litra. Mund të shkojë deri në 5 litra në 24 orë se është një mekanizëm mbrojtjës në një kohë të caktuar dhe nëse nuk e zëvendëson do të kesh pasoja, ulje të presionit, rritje të frekuencës kardiake apo të frymëmarrjes ose të gjendje të fikëti.", shtoi ai.

Duke u ndalur te Covid-19, ai tha se virusi ka qenë prezent si viruset e tjera, por nuk përbën shqetësim pasi popullata tashmë është imunizuar nga ai. 

"Covid nuk ka ikur asnjëherë, është prezent si viruset e tjera. Por në këtë moment nuk është shqetësim, ështëe futur te të zakonshmet nga OBSH, se popullsia e ka në një fare mënyre imunitetin karshi kësaj sëmundjeje. Do të na shoqërojë në vitet që vijnë. Sëmundjet e tjera shfaqen kur je në plazh, por edhe nëse një person i shëndetshëm, sigurisht se edhe infarkti mund të të vijë kur je në atë zonë. Një nga pasojat e dehidratimit ështe trashja e gjakut. Nëse qëndron në zemër, shkakton infarkt apo në tru infarkt celebral. Pra janë sëmundje me incidencë të lartë vdekjeprurëse, prandaj janë të rëndësishme masat parandaluese. Prandaj janë këshilla që duhet të ndiqen gjithësecili.", shtoi ai. 

Ora 14:27
Mashtrimet me produkte mjekësore, Brataj: Po punojmë me një draft, do ia propozojmë ministrisë! Po vijnë pacientë me pasoja të rënda për shkak se braktisin terapitë

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në intervistën që dha për Report TV, u ndal edhe te mashtrimet që bëhen në emër të tij. Ai tha se ka pasur raste që kanë dezinformuar nëpërmjet disa intervistave të tij, duke i ndryshuar kontekstin me qëllim shitjen e produkteve të ndryshme.

Brataj tha se ka pasur njerëz që kanë re pre e mashtrimeve që bëhen me emrin e tij, ndërsa sqaroi se nuk ka bërë asnjëherë reklamime të medikamenteve të caktuara.

"Njësoj si gjithandej ke specialistë të formave të ndryshme që kapin një degë të mjekësisë si ajo alternative dhe e propagandojnë si shpëtimtaren e çdo gjëje. Ka si të thuash boshllëk ligjor që duhet sistemuar. Shikojmë vendet e tjera se si e ka Evropa. Nga hiçi të dalësh dhe të flasësh për shëndetin e njerëzve pa qenë profesionist, sepse ka bërë një kurs, kjo është dezinformim. Por bëhet edhe për qëllim fitimi, dezinformon dhe nxjerr një produkt që do ta shesësh për llogarinë tënde. Kam rënë pre kohët e fundit dhe gjej rastin të sqaroj qytetarët dhe s’kam bërë asnjëherë publicitet për ndonjë medikament, por janë intervista të mëparshme që janë manipuluar dhe iu është ndryshuar përmbajtja me qëllim përfitimi. Dhe ka njerëz që kanë rënë pre e mashtruesve dhe e kanë blerë se e ka thënë doktor Brataj.  Të blesh një medikament që përveç kostos, mund të të dëmtojë është më e tmerrshme. Edhe këtu ka boshllëk ligjor se jo kushdo mund të dalë e të thotë çdo gjë.", u shpreh Brataj.

Brataj theksoi gjithashtu se po punojnë për një draft që do ta propozojnë te ministria e Shëndetësisë që adreson përdorimin e imazhit të figurave publike për qëllime fitimi, apo edhe mjekësinë alternative. Ai tha se ka pasur raste të pacientëve në gjendje të rënduar, të cilët kanë braktisur terapinë mjekësore, për të ndjekur terapi nga persona që pretendojnë se mund të shërojnë me mjekësi alternative.

“Bëmë një takim javën që kaloi me shoqatat e mjekëve për këto probleme, Urdhri i mjekut, Drejtoria e Policisë, AMA dhe policia kibernetike që u gjendëm në një gjuhë të përbashkët sa i përket denigrimit të figurave publike për qëllime fitimi dhe qoftë edhe profesioneve të tjera të mjekësisë alternative që kanë këtë boshllëk të madh. Duhet një kuadër ligjor, kemi bërë një draft gati dhe po e punojmë që ta çojmë për propozim dhe më pas qoftë kuvendi apo ministria, të gjithë organeve, për të cilat duhet të bëhen ndryshimet dhe ndëshkimet sipas asaj që ekziston sot në Kodin Penal të republikës. Është absurde të mos ndalosh një person se ka lexuar dy gjëra dhe të thuash që nëpërmjet këtij ushqimi shërohet edhe tumori i uterusit. Është e tmerrshme sepse po na vijnë pacientë me pasoja për shkak të braktisjes së një terapie të ushqyer nga këto persona dhe ndërprerjes së terapisë që parashikon mjekësia.”, përfundoi Brataj.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?