Sociale

Mashtrimet me produkte mjekësore, Brataj: Po punojmë me një draft, do ia propozojmë ministrisë! Po vijnë pacientë me pasoja të rënda për shkak se braktisin terapitë

8 Korrik, 14:27| Përditesimi: 8 Korrik, 14:47

  • Share

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në intervistën që dha për Report TV, u ndal edhe te mashtrimet që bëhen në emër të tij. Ai tha se ka pasur raste që kanë dezinformuar nëpërmjet disa intervistave të tij, duke i ndryshuar kontekstin me qëllim shitjen e produkteve të ndryshme.

Brataj tha se ka pasur njerëz që kanë re pre e mashtrimeve që bëhen me emrin e tij, ndërsa sqaroi se nuk ka bërë asnjëherë reklamime të medikamenteve të caktuara.

"Njësoj si gjithandej ke specialistë të formave të ndryshme që kapin një degë të mjekësisë si ajo alternative dhe e propagandojnë si shpëtimtaren e çdo gjëje. Ka si të thuash boshllëk ligjor që duhet sistemuar. Shikojmë vendet e tjera se si e ka Evropa. Nga hiçi të dalësh dhe të flasësh për shëndetin e njerëzve pa qenë profesionist, sepse ka bërë një kurs, kjo është dezinformim. Por bëhet edhe për qëllim fitimi, dezinformon dhe nxjerr një produkt që do ta shesësh për llogarinë tënde. Kam rënë pre kohët e fundit dhe gjej rastin të sqaroj qytetarët dhe s’kam bërë asnjëherë publicitet për ndonjë medikament, por janë intervista të mëparshme që janë manipuluar dhe iu është ndryshuar përmbajtja me qëllim përfitimi. Dhe ka njerëz që kanë rënë pre e mashtruesve dhe e kanë blerë se e ka thënë doktor Brataj.  Të blesh një medikament që përveç kostos, mund të të dëmtojë është më e tmerrshme. Edhe këtu ka boshllëk ligjor se jo kushdo mund të dalë e të thotë çdo gjë.", u shpreh Brataj.

Brataj theksoi gjithashtu se po punojnë për një draft që do ta propozojnë te ministria e Shëndetësisë që adreson përdorimin e imazhit të figurave publike për qëllime fitimi, apo edhe mjekësinë alternative. Ai tha se ka pasur raste të pacientëve në gjendje të rënduar, të cilët kanë braktisur terapinë mjekësore, për të ndjekur terapi nga persona që pretendojnë se mund të shërojnë me mjekësi alternative.

“Bëmë një takim javën që kaloi me shoqatat e mjekëve për këto probleme, Urdhri i mjekut, Drejtoria e Policisë, AMA dhe policia kibernetike që u gjendëm në një gjuhë të përbashkët sa i përket denigrimit të figurave publike për qëllime fitimi dhe qoftë edhe profesioneve të tjera të mjekësisë alternative që kanë këtë boshllëk të madh. Duhet një kuadër ligjor, kemi bërë një draft gati dhe po e punojmë që ta çojmë për propozim dhe më pas qoftë kuvendi apo ministria, të gjithë organeve, për të cilat duhet të bëhen ndryshimet dhe ndëshkimet sipas asaj që ekziston sot në Kodin Penal të republikës. Është absurde të mos ndalosh një person se ka lexuar dy gjëra dhe të thuash që nëpërmjet këtij ushqimi shërohet edhe tumori i uterusit. Është e tmerrshme sepse po na vijnë pacientë me pasoja për shkak të braktisjes së një terapie të ushqyer nga këto persona dhe ndërprerjes së terapisë që parashikon mjekësia.”, përfundoi Brataj.


Lajmi kryesor:

I nxehti, Brataj për Report TV: Rreth 17 mijë vizita nga fillimi i qershorit deri më tani, numër i shtuar edhe në qendrat verore! Dehidratimi mund të shkaktojë pasoja të rënda


Xh.D/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?