Kronikë

Tafani dëshmon në GJKKO: Pas vrasjes së Bashaliut, babai i Haxhiut na solli 30 mijë €! E kërkoi 'Lili', krahu i djathtë i Sajmir Taullahut! Meta mik i Aldo Bares

11 Qershor, 11:45| Përditesimi: 11 Qershor, 17:53

  • Share

Gjykata e Posaçme zhvilloi sot seancën e radhës për një nga dosjet e bujshme që lidhet me bandën kriminale për të cilën akuzohet si drejtues Laert Haxhiu, i ekstraduar nga Greqia vitin e kaluar dhe njëkohësisht rival i Aldo Bares, kreut të “Bandës së Lushnjës”.

Sot ishte hera e dytë që Artan Tafani, i penduari i drejtësisë dhe SPAK, ka dhënë dëshminë e tij para palëve dhe të pandehurve të çështjes, për të gjithë sagën kriminale të organizatës, urdhrat, viktimat, atentatet, pjesëmarrësit dhe motivet.

Seancën e kaluar ai rrëfeu për disa krime të rënda dhe vrasje të kryera me udhër të Haxhiut, me motive hakmarrjeje dhe rivaliteti, për shkak të sulmeve që kundërshtarët i kishin bërë ndër vite, duke i vrarë edhe të afërm të tij.

Tafani e nisi dëshminë aty ku e la seancën e kaluar, për vrasjen e Albi Bashaliut më 2021 në Peqin, dinamika pas atentatit, fshehja e armës pas çmontimit dhe pagesa 30 mijë euro që e solli në Tiranë babai i Laert Haxhiut:

“Pasi mbaruam punë nuk na ndezi makina “Audi” që kishim. Mora “Benzin” gri me targa greke. Pasi kaluan Kavajën, kam çmontuar armën, në atë kohë kalonin dhe makina të tjera që sduhet të na shikonin që hidhnim pjesë të armës. Kur errdhëm në Tiranë kemi lënë Benzin në Astir dhe për të humbur gjurmë, kemi ecur në këmbë.

Kemi marrë 30 mijë euro, na ka sjellë i ati i Laertit, Qamil Haxhiu dhe atë 30 mijë i kemi ndarë në 3 pjesë; unë, Lulzim Arapi dhe Laerti. Këto lekët i ka dhënë një person që e thërrisnin Limi, me të cilin para ngjarjeve fliste Laerti me të. Pas një muaji erdhën edhe lekët e tjera, dy herë nga 10 mijë, na i solli Qamili, babai i Laertit.  I ati i Laertit, Qamili një herë në dy tre muaj vinte tek ne dhe qëndronte disa ditë”.

Tafani tregoi edhe motivet pse u urdhërua vrasja e bashaliut. aI shpjegoi se Laerti po e bënte si nder ndaj Lorenc Lalës, që thirrej edhe "Lili" dhe ky i fundit e kërkonte për dy vëllezërit Xhahysa, që pretendonin se Bashaliu u kishte vrarë babanë. Para krimit ai takoi Enriko Xhahysën në Rrogozhinë, i cili i tregoi edhe shtëpinë e shënjestrës.

Tafani rrëfeu edhe lidhjet e miqësinë e Laert Haxhiut me Sajmir Taullahun, kurse "Lili" sipas tij ishte krahu i djathtë i këtij të fundit dhe mbante financat e grupit. Taullahu dhe Haxhiu nga ana tjetër, të dy ishin në konflikte me grupin e Aldo Bares në Lushnjë, të lindura që pas vitit 1997.

“Lili është krahu i djathtë Sajmir Taullahut (një tjetër personazh i botës së krimit në Lushnjë, rival i Aldo Bares). Lili mbante lekët e të gjithëve; të Laertit, Sajmirit, të të gjithëve”, shpjegoi Tafani para trupës gjykuese.

Për vrasjen e Bashaliut, i penduari tha se e qëlloi me 6 plumba pistolete TT, dy herë në gjoks dhe katër në kurriz. Armën e kishte blerë 1 mln lekë, teksa mbante edhe një pistoletë të dytë rezervë.

Tafani rrëfeu edhe atentatin e muajit prill 2022 në Lushnjë, ku qëlloi 8 herë me "Zastava" shënjestrën Kujtim Meta me urdhër të Laert Haxhiut, sepse sipas rrëfimit të mëparshëm të tij, ishte mik i Aldo Bares dhe Besmir Hidës, tregtarit të makinave që ishte vrarë më 2019 po në atentat. Hida ishte daja i Zamir Latifit, që u ekzekutua në "Masakrën e Lushnjës" më 2017, për të cilën u akuzuan Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili.

Çfarë ndodhi seancën e kaluar dhe dosja e organizatës kriminale

Seancën e kaluar Tafani rrëfeu disa krime në seri dhe motivet e tyre.

Në paraburgim, Tafani tregon se u njoh me disa djem nga Lushnja, pas një ngjarjeje ku u plagos Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Tafani rrëfeu me detaje për vrasjen e parë, atë të Çajup Selimit. Plani ishte që Ligor Romaçka do e ndihmonte të largohej, por nuk ndodhi. Pasi vrasja u krye, hodhi armën në Vjosë dhe u nis për në Tiranë për të takuar Laertin. Një tjetër rrëfim tronditës u bë nga Tafani, kësaj here për vrasjen e kushëririt të Laert Haxhiut, Fridman Xhaferrit në Korçë. Artan Tafani foli edhe për tentativën për të vrarë avokatin Adriatik Doga, i cili sipas tij ishte kushëri i Haxhiut. Sipas dëshmisë, Laerti dyshonte se avokati po ndihmonte kundërshtarët e tij dhe për këtë arsye kishte vendosur ta eliminonte.

Për këtë dosje SPAK ka marrë të pandehur 9 persona që akuzohen për ngjarje kriminale në disa qytete të vendit. Artan Tafani u arrestua në shtator të 2023 pasi grabiti me armë një pikë këmbimi valutor në zonën e Astirit dhe më pas mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë duke zbardhur krimet e bandës së Laert Haxhiun, mes të cilave 4 vrasje në Shqipëri dhe 2 të tjera në Greqi. Mes rrëfimit ishte dhe planifikimi i Haxhiut për të vrarë persona të drejtësisë, përfshirë prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe atë të Lushnjës, Merita Selimi.

Ora 13:08
Tafani tregon atentatin ndaj mikut të Aldo Bares: Laerti më urdhëroi të vrisja Kujtim Metën, më tregoi foton e tij! E qëllova 8 herë, por...

Kujtim Meta, i plagosur më 2022 dhe lokali ku ndodhi atentati

I penduari Artan Tafani ka kaluar në një tjetër rrëfim për ngjarjet kriminale. Ai tregoi se si u tentua ekzekutimi i Kujtim metës në Lushnjë, në muajin prill të vitit 2022. Shkak ishte inati që Laert Haxhiu kishte, sepse Meta mbështeste Aldo Baren.

Madje Haxhiu sipas tij u bë nervoz kur një nga grupi, Dorjan Shurdhi, u tërhoq pasi kishte frikë mos e kapnin kamerat. Pasi e shahu, Laerti sipas tij urdhëroi atë. Tafani shpjegoi se e qëlloi me 8 plumba Metën teksa pinte kafe në lokal, por nuk arriti ta vriste dot, edhe pse mori dy plumba në bark, pasi u përpoq menjëherë të largohej.

“Tentuam sërish të vrisnim Kujtim Metën dhe në vezhgim po e mbante Dorian Shurdhi. Por  Dorian Shurdhi nuk deshte ta vrisnim, sepse kishte frikë se identifikohej nga kamerat e sigurisë. Unë me Laertin flisja në telefon dhe i tregoja për situatën dhe ai filloi të shante Dorianin dhe këmbëngulte që të bëhej vrasja. Më pas Laerti më dha informacion se Kujtimi ishte afër një lokali dhe më tha shko afrohu se e ke aty. Isha me një kapele në kokë dhe një pistoletë tip “Zastava” me silenciator. Shkova tek dera e lokalit, Kujtimi ishte duke pirë kafe i vetëm, unë Kujtimin e kisha parë nga Facebook, ma kishte treguar Laerti dhe e njoha. Sapo e pashë nxora armën dhe e godita drejt dhe ai hidhet nga karrigia dhe përpiqet të ikë, unë e qëllova prapë, i qëllova me 8 fishekë.

I penduari i bandës së Laert Haxhiut, Artan Tafani ka dhënë deklarime para hetuesve edhe më parë, për atentatin ku u plagos Kujtim Meta në Lushnjë, më 2022. Tafani ka rrëfyer se Laert Haxhiu kërkoi vrasjen e këtij personi të cilin e kishte inat, pasi njihej si mbështetës i Aldo Bares. “Laerti kërkoi ta vrisnim sepse nuk duronte dot faktin ta shihte duke lëvizur nëpër Lushnje. Unë e qëllova tetë herë, por ai shpëtoi”, mësohet të jetë shprehur Marjus Tafani.

Kujtim Meta, nuk kishte precedent penalë, por sipas policisë, kishte miqësi me Besmir Hidën, tregtar makinash, i cili ishte vrarë më parë më 1 tetor të vitit 2019 në Lushnjë. Hida ishte daja i Zamir Latifit të vrarë në vitin 2017 në ngjarjen e njohur si ‘masakra e Lushnjes’, për të cilën akuzohen Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. 

Ora 12:54
Tafani: Pas vrasjes së Bashaliut, dilnim për dreka e darka me Laertin, udhëtonim nga Saranda në Tropojë! Makinat që na pëlqenin, i grabisnim duke u hequr si policë
Laert Haxhiu dhe Artan Tafani

Artan Tafani i shpjegoi trupës gjykuese të GJKKO-së se çfarë bëri pas ekzekutimit të Albi Bashaliut në vitin 2021 në Peqin.

Ai tregoi se pas krimit nisën të udhëtonin sa në Sarandë në Tropojë me Laert Haxhiun, të dilnin për darka dhe dreka, e deri tek grabitja e makinave që u pëlqenin, duke u hequr si efektivë policie.

“Pas vrasjes së Bashaliut qëndorja gjithmonë nën shoqërinë e Laert Haxhiut. Shkonim në Sarandë, në Valbonë, dilnim nëpër restorante për dreka dhe për darka. Gjatë kësaj kohe Laert Haxhiu na thotë që duhet të grabisim një makinë, dolëm për të parë në Elbasan, Durrës, Tiranë dhe Rrogozhinë. Ku të shikonim makinë që na pëlqente, ndalonim dhe e merrnim, dy herë e kemi bërë”, tha ai.

Më pas shpjegoi se si e kryen një prej grabitjeve duke u hequr si policë, madje atij iu desh të mbante armën në dorë dhe të godiste fizikisht shoferin kur kundërshtoi, pasi e kuptoi që nuk ishin efektivë.

Një makinë e morëm afër “Palma Novës”, një tip “Benz”, që na pëlqeu. I thamë “Ndal, policia!”: Ishte një çift që po rrinin mbrapa. Unë u prezontova si polic, i thashë keni parkuar keq dhe duhet të dilni nga makina. Ai çuni e kuptoi që ne do i merrnim makinën dhe na tha sa lekë doni, pasi e kuptoi që ne nuk ishim policia. Unë kisha pistoletën në dorë dhe e kapa nga krahu, i thashë dil jashtë. E godita një herë atë…”

Ora 12:32
Rrëfimi i Tafanit: Bashaliun e qëllova 6 herë, dy plumba në gjoks dhe katër në kurriz! Armën TT e bleva 1 mln lekë te...

Viktima Albi Bashaliu dhe vendi ku u dogj makina pas krimit

Prokurori i dosjes, Behar Dibra, i kërkoi shpjegime të hollësishme për rrjedhën e ngjarjes kriminale, kurse Artan Tafani tregoi detaje nga atentati ndaj Albi Bashaliut në Peqin, në fshatin Gjocaj, në vitin 2021.

“U rikthyem me makinën e viktimës, Lulzimi ndezi “Benzin” dhe më priste. “Audi” nuk ndezi dhe e dogjëm në vendngjarje, e dogjëm se kështu e mendova unë, kishim në makinë dy bidona benzinë. Djegia e Audit në vendngjarje nuk kishte e menduar, do e digjnim ku lashë Benzin”, shpjegoi ai.

I penduari tregoi edhe se si bleu armën e krimit dhe më pas qëlloi me 6 plumba viktimën Bashaliu, duke shpjeguar edhe skemën e atentatit.

“Për vrasjen blemë një pistoletë tip “TT” 1 milion lekë tek Bledar Berberi. Kishim edhe një armë tjetër me fishekë shumë të vegjël, që nuk u përdor në vrasje. Fishekët e TT i mbaruam, në momentin që doli pronari i lokalit, nxora këtë armën e vogël, thjesht për ta trembur. Në drejtim të Albi Bashaliut qëllova 6 herë. Mbaj mend që 2 herë e qëllova në gjoks dhe 4 herë në kurriz”, dëshmoi Tafani.

Ora 12:18
Tafani: 'Lili' është krahu i djathtë i Sajmir Taullahut, ai mbante financat e grupeve! Pas vrasjes u larguam me makinën e viktimës, e dogjëm!

Tafani rrëfeu edhe dinamikën para dhe pas atentatit ndaj Bashaliut, duke rrëfyer edhe detajin befasues se pas krimit u larguan nga vendngjarja me makinën e viktimës, që e dogjën më pas.

“Për vrasjen përdorëm dy makina. Një “Audi” të bardhë dhe një “Mercedes Benz”. Makinën Mercedes e lamë tek një dyqan që shiste lule në autostradë. Në Gjocaj, ku kishte edhe banesën viktima, shkuam me Audin e bardhë. Pas vrasjes, shkuam me makinën e viktimës tek makina tip “Benz” dhe ikëm për në Tiranë. Makinën e viktimës e dogjëm, ndërsa gjatë rrugës çmontova edhe armën”.

Por kush ishte Lorenc lala, që thirrej edhe “Lili”?

“Lili është krahu i djathtë Sajmir Taullahut (një tjetër personazh i botës së krimit në Lushnjë, rival i Aldo Bares). Lili mbante lekët e të gjithëve; të Laertit, Sajmirit, të të gjithëve”, shpjegoi Tafani para trupës gjykuese.

Teksa më tej vijoi me dinamikën plotësuese të ngjarjes, deri edhe detajin se ku u gjetën targat.

“Audi” i bardhë drejtohej nga Lulzimi, ndërsa un kisha “Benz”, derisa kemi arritur në Rrogozhinë. Më pas mora Audin, Benzin e lam që ta kishim kur të ktheheshim. Lulzimi kaloi pasagjer, unë shofer, parkuam 10 metra nga vendi ku ndodhi ngjarja, viktima ka arrdhur rreth orës 8 të mëngjesit. Audi ishte te garazhdi i Elisjano Abedinit, targat i ka marrë Lulzimi diku, targat në Tiranë, të vjedhura”, shpjegoi ai.

Ora 12:00
Tafani: Albi Bashaliu u vra me kërkesë të “Lilit” dhe Enrikos, Laerti ua bëri si nder! Për motivin më thanë se...

1749037887_artantafani.jpg

Seanca e dëgjimit të dëhsmisë së të penduarit Artan tafani në GJKKO ka vijuar më tej edhe me një moment pyetje-përgjigjesh sqaruese për dinamikën, personat e përfshirë, porositësit, financuesit, urdhëruesit dhe takimet për vrasjen e Albi Bashaliut në Peqin, në vitin 2021.

Prokurori Dibra kërkoi sqarime, kurse i penduari tha se Laerti e kërkoi si nder ‘kokën’ e Bashaliut për mikun e tij Lorenc Lala, që thirrej ‘Lili’ dhe ky i fundit e donte për dy vëllezërit Xhahysa, të cilët pretendonin se Bashaliu u kishte vrarë babanë, pra me motiv hakmarrjen. Një prej tyre e takoi në qytetin e Rrogozhinës, që më pas i tregoi edhe banesën e viktimës.

Prokuror Behar Dibra e pyeti të penduarin:

“Si ju ka prezantuar Laert Haxhiu viktimën Albi Bashaliu para vrasjes?”

Tafani u përgjigj:

“Pasi ka komunikuar me Lorenc Lalën, na e ka shpjeguar edhe ne që do i bënim nder “Lilit” (Lorencit)”.

Prokurori kërkoi sqarime:

“Mund të na e sqarosh kush janë cunat e vrarë?”

Tafani vijoi:

“Di që ishin dy çuna qe ishin vëllezër, Enriko Xhahysa dhe një tjetër. Më tha që më kanë vrarë babanë. Pasi ka folur Laerti me Lilin, pasi na ka çu një video Enriko, një makinë e cila ishte e viktimës. Pas videos kam takuar të zotin e hallit, pra Enrikon, në qendër të Rrogozhinës më priste Enriko që të më tregonte shtëpinë e viktimës. Enriko kishte veshur një bluzë gri me kapuç, hyri në makinë u shtrri. U nisëm për në fshat më tregoi lokalin, shtëpinë, pak më lart kishte shtëpinë Enriko. Nuk kam pasur takime të tjera”.

Prokurori bëri një pyetje tjetër:

“Është përmendur emri i Laertit?”

Tafani e mohoi:

“Emri i Laertit nuk është përmendur, Enriko më ka thenë që jam nipi i Lilit, që është Lorenc Lala”.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • dANE: 12/06/2025 09:24

    keta jane kerma familjarisht

    Përgjigju
  • Iris: 12/06/2025 02:54

    A nuk ishte ky Qamil Haxhiu qe bente be e rrufe'para gazetareve per pafajesine e te birit,Laertit?! Po tani qe doli qe ishte korrier i te birit e ka shpene pagesat per vrasjet,parate e gjakut,si cilesohet ky veprim i tij nga Kodi Penal e drejtesia?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?