Policia e Lezhës ka reaguar pasi 25-vjeçari Romario Brunga u gjet i vdekur me një plumb brenda në makinë në Balldre. Policia thotë se brenda në makinë është gjetur edhe një armë zjarri, ndërsa mjeti nuk ka dëmtime.
"Në rrugën e vjetër të Balldrenit është gjetur i pajetë brenda në automjetin e tij, shtetasi Romario Brunga, rreth 25 vjeç. Nga veprimet e para të kryera në vendngjarje nga grupi hetimor, është gjetur brenda në automjet një armë zjarri, tip pistoletë, dhe një gëzhojë.
Po nga veprimet e para, rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme nga armë zjarri, ndërsa viktima ka vetëm një plagë të shkaktuar nga armë zjarri. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me vetëvrasje apo me vrasje.
Në lidhje me këtë ngjarje do të ketë informacion më të plotë pas përfundimit të veprimeve të para hetimore", njofton policia.
Lajmi kryesor:
Lezhë/ 25-vjeçari gjendet i vrarë me një plumb brenda në makinë, nuk dihen rrethanat! Në mjet edhe arma, ja pistat e hetimit (EMRI+VIDEO)
SI.E./ReportTv.al