I riu humbi jetën nga zjarri në Komisariatin e Kamzës, vëllai i Arben Micit: Ishte me probleme mendore, s'e mbante më Psikiatria, morëm policinë që ta çonim në spitalin e burgut

28 Mars 2022, 12:14| Përditesimi: 28 Mars 2022, 15:20

  • Share

Xhevahir Mici, vëllai i 26-vjeçarit Arben Mici i cili humbi jetën si pasojë e zjarrit në Komisariatin e Kamzës, ka thënë se i vëllai kishte probleme të shëndetit mendor.

Në një intervistë për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema, vëllai i viktimës shprehet se Spitali Psikiatrik nuk e mbante më të riun dhe se thirrën policinë për ta marrë, me qëllimin për ta dërguar në spitalin e burgut.

Ai akuzon institucionet për neglizhencë, teksa thekson se ende nga policia nuk ka marrë shpjegime se si ndodhi ngjarja.

"Erdhi polici ana tha që ka vdekur vëllai. Si ka vdekur? Ne e çuam për t'u shëruar, jo për ta marrë të vdekur. Donim ta çonim në spital të burgut pasi nuk e mbajti spitali psikiatrik. Ai ishte me ilaçe. Atë natë nuk ishte mirë dhe deshëm ta kalonim në spital, ata e dërguan në Komisariatin e Kamzës si të ishte njeri normal dhe i kanë prerë urdhër arrest ndalimi, e kanë bërë të dhunshëm. Ai ishte në gjendje depresioni, bërtiste, thoshte 'dëgjoj zëra'. Kishte tre vite që ishte në këtë gjendje. Policia nuk na ka dhënë asnjë sqarim. E kam marrë në morg të vdekur. Unë kërkoj drejtësi, dua shpjegim si ndodhi? Kjo është neglizhencë e shtetit, ai po të ishte kaluar në spital do ishte gjallë, pse e futën në Komisariat? Ne i kishim bërë letrat gati për ta dërguar në spitalin e burgut sepse te spitali psikiatrik nuk e mbanin më. Ata e arrestuan si një njeri normal, nuk mbahet ai aty në bodrum, pro në vende të veçanta", tha ai.

Arben Mici humbi jetën mbrëmjen e 26 marsit, si pasojë  e zjarrit që përfshiu Komisariatin e Kamzës. Paraprakisht dyshohet se zjarri u vu nga vetë ai, plan i thurur me të arrestuarin tjetër, Dilaveri Idrizin me qëllimin për t'u arratisur. Megjithatë, në një deklarimet e tij, Idrizi ka thënë se ka qenë i riu që ka ndezur zjarrin, teksa nuk përjashtohet as pista që ai ta ketë bërë këtë veprim në gjendje të rënduar psikologjike. I riu edhe më parë ka tentuar vetëvrasje.

Për këtë ngjarje u vunë në pranga  dy oficerë policie, Fatmir Isufi dhe Hajredin Boja, që kishin për detyrë të siguronin dhomat e paraburgimit, ndërsa u proceduan edhe inspektorët Lutfi Muça, Mark Marashi, e komisar Ylli Çallaku. Të gjithë akuzohen për mosrespektim të rregullave të sigurisë në paraburgimin e komisariatit dhe shpërdorim detyra. Sipas hetimeve, në mungesë të kontrollit, ata kanë lejuar mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse nga Arben Mici dhe Dilaver Idrizi. 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Xhixhi: 28/03/2022 13:48

    Problem i madh ky qe psikiatria nuk mban te semuret e dhunshem si eshte edhe rasti I Denisit qe rreh femrat.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?