Interi ia doli të merrte fitoren e parë në Champions League për sezonin e ri. Në "Meazza" kampionët në fuqi të Italisë mposhtën 4-0 Crvena zvezdan dhe Taremi shkëlqeu me dy asiste dhe një gol. Pas ndeshjes trajneri Simone Inzaghi vlerësoi djemtë që drejton për këtë sukses.
"Taremi e prishi “agjërimin” e golit dhe ishte më i miri në fushë. Pothuajse një startues i përsëritur?
Lajm i shkëlqyeshëm nga ai, por jo vetëm nga ai. Unë futa në fushë djem që kishin luajtur më pak, por nuk kisha asnjë dyshim për ta. Arnautovic ishte gjithashtu i mirë, ashtu si edhe lojtarët që hynë gjatë lojës.
Marotta kujtoi se Interi është palë e dëmtuar në këtë aferë (të ultrasve), ndaj po e izolon skuadrën në nivel psikologjik…
Presidenti Marotta foli për këtë para ndeshjes, ne bëmë një paraqitje të shkëlqyer. Skuadra u paraqit mirë në fushë, e dinim që do të gjenim një kundërshtar që do të mbrohej me shumë forca. Bëmë mirë që qëndruam të qetë, sepse kur mbërriti goli i dytë gjithçka ishte më e thjeshtë.
Të gjithë sulmuesit në fushë shënuan. Gola të shumtë e të dobishëm për golaverazhin pozitiv, rotacion që funksionoi. Cila ishte gjëja më e mirë në këtë ndeshje?
Përgjigjia e skuadrës, të gjithë prisnin fitoren ndaj Crvena zvezdës, por nuk ishte diçka e mirëqenë. Këto janë ndeshje të pabesa, duhej t’i jepnim vazhdimësi paraqitjes sonë të mirë në Manchester. Është një rrugëtim i gjatë, plot me vështirësi.
Dhimbja e Lautaros në fund…
E pashë në minutat e fundit që po prekte kofshën, më tha se nuk duhet të ketë asnjë problem.
A bënë të njëjtat lëvizje Taremi dhe Arnautovic në pjesën e parë?
Të mos harrojmë se ishte hera e parë që luanin bashkë, më kishin bindur gjithë këto ditë. Janë dy lojtarë të fortë, të rëndësishëm për Interin, që luajtën një ndeshje të shkëlqyer. Jam i lumtur për ta, sepse kishin luajtur më pak. Lajm i shkëlqyer, duhet të vazhdojmë kështu. Jemi të kënaqur", tha ai.