“Nata kaloi e qetë” për Papën Françesku, i cili është shtruar në spitalin Gemelli që prej 14 shkurtit. Rezultatet e analizave të kryera ditët e fundit kanë konfirmuar se Ati i Shenjtë ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Si zakonisht, edhe sot, zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, u dha lajmet e përditësuara gazetarëve të shumtë të mbledhur në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Pushim absolut
“Papa pushoi, sot u zgjua, hëngri mëngjesin dhe iu kushtua leximit të disa gazetave, siç bën rregullisht”, deklaroi Bruni, duke shpjeguar se do të jepen më vonë informacione të mëtejshme mjekësore. Tani për tani, Papa merr frymë vetë, u nënvizua në Sallën e Shtypit dhe po ndjek këshillën për “pushim absolut” dhënë nga personeli mjekësor, që po e trajton prej katër ditësh.
Ndryshimet në veprimtaritë e ardhshme
Përsa u përket veprimtarive të parashikuara në ditët e ardhshme, Papa Françesku, natyrisht, nuk do të mbajë audiencën e përgjithshme të ditës së nesërme në Vatikan, si edhe janë anuluar të gjitha impenjimet e tij, të shtunën, më 22 shkurt. Mesha e Jubileut të Diakonëve, të cilën Ati i Shenjtë do ta kremtonte të dielën, në Bazilikën e Shën Pjetrit, do të kryesohet nga pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin, imzot Rino Fisichella, gjithnjë në orën 9.00.
Telefonata në Gaza
Ndërkohë – siç u konfirmua edhe nga një komunikim i mbrëmshëm – Papa vazhdon terapinë e parashikuar nga mjekët. E vazhdon t’i telefonojë edhe famullisë së Familjes Shenjte në Gaza, siç pohoi famullitari, atë Gabriel Romanelli, i cili mbrëmë njoftoi për një video-telefonatë tjetër të Papës, me “zë të fortë dhe të qartë”.
Vizatime dhe mesazhe nga fëmijët
Françesku po merr edhe qindra mesazhe, që i urojnë shërim të shpejtë, vizatime dhe pusulla. Disa prej tyre vijnë nga fëmijët e shtruar në Poliklinikën Gemelli, veçanërisht nga ata në pavijonin e onkologjisë, fqinjët e tij në katin e dhjetë, të cilëve Papa u ka bërë gjithnjë një vizitë gjatë qëndrimeve të tij të mëparshme në spital./ Vatican News
Komente
