Ish-kryeministri Romano Prodi ka kërkuar ndjesë pasi i tërhoqi flokët gazetares Lavinia Orefici, pas një pyetje që ajo i bëri.
“Mendoj se ka ardhur koha për të sqaruar disa gjëra për atë që ndodhi të shtunën gjatë prezantimit të librit tim më të fundit. Duke parë pamjet, kuptova se e kisha bërë mekanikisht atë gjest në një kontekst tjetër. Bëra një gabim dhe më vjen keq. Kjo histori më jep mundësinë për një reflektim. Mendoj se është e drejta e secilit, pavarësisht se çfarë roli ka luajtur në jetë, të pretendojë historinë dhe nderin e vet dhe të mos pranojë, si një fat të pashmangshëm, shfrytëzimin e gjerë, madje edhe talljen, falë fuqisë së internetit”, tha ai.
Të shtunën, gazetarja i kërkoi ish-Presidentit të Komisionit Evropian një koment mbi një pasazh në Manifestin e Ventotenes për bashkimin e Europës, në lidhje me pronën private. Prodi u shfaq i bezdisur nga pyetja dhe në një video të publikuar më vonë në La7, duket kur politikani i tërheq flokët gazetares.
Lavinia Orefici tha se u ndje e poshtëruar si gazetare dhe si grua nga gjesti I papërshtatshëm.
“Presidenti Prodi, përveç se u përgjigj me një ton agresiv dhe frikësues, më kapi një tufë flokësh dhe i tërhoqi. Ishte tronditëse për mua”, deklaroi ajo.
Komente
