Zjarret në vendin tonë prej javës po bëjnë kërdinë duke djegur bimësinë nga veriu në jug. Shumica e këtyre vatrave ishin të qëllimshme dhe për disa prej tyre janë gjetur edhe autorët. Dy persona janë arrestuar pasi i kanë vënë flakën dy fshatrave në Vlorë e Sarandë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se është arrestuar Gëzim Meçe, 41 vjeç. Meçe i ka vënë flakën fshatit Tragjas të Vlorës dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe 1500 metër katrorë dhe 20 rrënjë ulliri.
Ndërkaq në pranga ka rënë edhe Shpëtim Lukaj, 23 vjeç i cili i ka vënë flakën fshatit Shelegar në Sarandë. Ndaj dy të rinjve rëndon akuza për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Kujtojmë që deri më tani për zjarrvënie janë arrestuar 7 persona, përfshirë dy autorët e ditës së sotme, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Për zjarrin në Gjorgos të Fierit janë arrestuar dy kushërinjtë Arben Muskaj, 49 vjeç dhe Zarif Muskaj, 41 vjeç, të cilët i vunë zjarrin pyllit për të hapur kullota për bagëtitë.
Ndërkohë një 49-vjeçar Artur Beqiri në Durrës është arrestuar sepse i kishte vënë flakën një sipërfaqe toke me kallamishte, në një kodër të Spitallës. Si pasojë e flakës u dogj një sipërfaqe prej 4 mijë metër katror. Një 47-vjeçar Ekrem Onuzini u arrestua pasi akuzohet se i ka vënë zjarrin malit të Gjallicës në Kukës. Për zjarrin në Belsh, u vu në pranga Nexhip Hortja, i cili po digjte mbeturinat por i doli zjarri jashtë kontrollit. Edhe në Librazhd Riza Duka u shpall në kërkim po për të njëjtën akuzë.
Një grua është proceduar penalisht si zjarrvënëse në Ishull të Shëngjinit. Ajo ndezi zjarr në oborrin e banesës, por flakët u përhapën duke djegur sipërfaqe me barishte e kullota.
"Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë, në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, proceduan penalisht shtetasen Z. T., banuese në Ishull Shëngjin. Kjo shtetase ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së saj dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me barishte dhe kullota.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme", thuhet në njoftimin e policisë.