Beqir Selamaj dhe momenti i vendosjes së tritolit

Kronikë

I vuri tritol lokalit ‘The Boss’ në Lungomare, Gjykata e Vlorës lë në burg 28-vjeçarin! Selamaj zgjedh heshtjen (VENDIMI)

16 Dhjetor 2024, 15:38| Përditesimi: 16 Dhjetor 2024, 16:04

  • Share

Vlorë- Gjykata e Vlorës la në paraburgim të arrestuarin Beqir Selamaj, 28-vjeçarin e akuzuar për vendosjen e eksplozivit në lokalin “The Boss” në Vlorë, një javë më parë, në zonën e Lungomares, pranë Ujit të Ftohtë.

Në seancë me dyer të mbyllura, gjyqtarja e masave, Dorina Stroka, pranoi kërkesën e prokurorisë, duke vendosur “arrest me burg” për të riun.

Provat e paraqitura nga policia dhe prokuroria, përfshirë pamjet filmike, kanë qenë të mjaftueshme në aktet e dosjes, duke provuar paraprakisht se ai ka qenë personi që vendosi një sasi lënde plasëse të llojit tritol, në ambientet e jashtme të lokalit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Gazetari i Report TV, Armand Xhelili, informon se sipas burimeve nga grupi hetimor, 28-vjeçari ka qëndruar i heshtur përballë policisë dhe prokurorisë, duke mos dhënë detaje për persona të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Selamaj u arrestua më 12 Dhjetor nga policia vendore. Autori Beqir Selamaj alias Beqir Murati nuk rezulton i panjohur për autoritetet, pasi në vitin 2018 është arrestuar si pjesë e një grupi që kryenin vjedhje në qytetin e Vlorës.

Shpërthimi i fuqishëm u dëgjua rreth orës 6:00 më 8 dhjetor 2024. Fatmirësisht shkaktoi vetëm dëme materiale. Nga pamjet e ndara nga policia dukej 28-vjeçari i maskuar teksa i vendosi tritolin lokalit 'The Boss' dhe më pas largohet nga vendngjarja me biçikletë.

Lokali, funksiononte si bar, restorant e piceri, në Lungomare ishte në pronësi të familjes së Bledar Birçajt i cili u ekzekutua me breshëri plumbash në 10 maj të vitit 2021, në makinën e tij, në lagjen ‘Hajro Çakërri’ të qytetit.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?