Ashtu siç Report Tv e raportoi ekskluzivisht një ditë më parë, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se norma e indeksimit të pensioneve do të jetë 2.5%. Masa pasqyron rritjen e çmimeve për shportën e mallrave të konsumit për pensionistët dhe tejkalon normën e inflacionit për periudhën korrik 2024 – gusht 2025.
“Është një normë që pasqyron rritjen e çmimeve për shportën e pensionistëve, është pak më e lartë se norma mesatare e indeksit të konsumit për periudhën korrik 2024-gusht 2025. Nuk duhet të kategorizohet si një rritje e pensioneve, është një rregullim sa i takon çmimeve dhe është një politikë që ne e kemi ndjekur çdo vit, pasi duhet të garantojmë se rritja e çmimeve nuk ndikon në masën e përfitimit të pensioneve”, tha Ibrahimaj.
Zbatimi do të nisë nga 1 tetori dhe nga ky indeksim do të përfitojnë mbi 753 mijë pensionistë. Pensionet urbane të pleqërisë shtohen me afro 490 lekë në muaj, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2024-ës ishte 19,609 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 296 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,878 lekë, dhe me këtë indeksim shkon në 12,174 lekë.
Indeksimi këtë vit është më i ulët se vjet që ishte 4.1%, dhe shkak për këtë është rënia e inflacionit në raport me periudhën 2023-2024.
Lajmi kryesor:
Ekonomia u rrit me 3.51% në tremujorin e dytë të 2025-ës! Ibrahimaj: Plan 3-vjeçar për reduktimin e parasë 'cash' dhe luftën kundër informalitetit
SI.E./I.M/ReportTv.al
