Ekonomi

Ekonomia u rrit me 3.51% në tremujorin e dytë të 2025-ës! Ibrahimaj: Plan 3-vjeçar për reduktimin e parasë 'cash' dhe luftën kundër informalitetit

30 Shtator, 11:16| Përditesimi: 30 Shtator, 15:12

  • Share

Rritja ekonomike e Shqipërisë ka arritur në 3.51% për 3-mujorin e dytë të 2025-s, më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të dhënat u ndanë nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila në një konferencë për shtyp prezantoi pasqyrën më të fundit mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe drejtimet e reja të politikave ekonomike.

Konsumi i familjeve u rrit me 3.88%, ndërsa ai i administratës publike me 12.44%, i mbështetur nga rritja e pagave dhe investimet në burime njerëzore.

“Rritja ekonomike 3.51% është më e lartë se mesatarja e BE që ishte 1.5%, por edhe në raport me vendet e Ballkanit perëndimor që ishte në 2.2%. Konsumi i familjeve u rrit me 3.88% në tremujorin e dytë të vitit. Konsumi i administratës publike u rrit me 12.44% i mbështetur nga rritja e pagave dhe rritjet e investimeve në burime njerëzore”, tha Ibrahimaj.

Investimet e huaja direkte arritën në 759 milionë euro, me Italinë dhe Holandën si vendet me fluksin më të madh.

“Investimet e huaja direkte arritën në 759 milionë euro, duke u rritur me 8 mln euro në krahasim me vitin e kaluar. Italia dhe Holanda kanë fluksin më të madh të investimeve. Sektorët kryesorë të investimeve janë pasurive të paluajtshme, aktivitetet financiare dhe industria nxjerrëse. 50% e fitimeve të investimeve të huaja, ri-investohen në vend”, theksoi Ibrahimaj.

Në fokus do të jetë bujqësia, e cila ka shënuar rritje, ndryshe nga peshkimi dhe blegtoria që janë në rënie.

“Bujqësia është rritur, por peshkimi dhe blegtoria janë në rënie në këtë tremujor. Ndaj bujqësia do të jetë në vëmendje të këtij katërvjeçari”, u shpreh ministrja.

Ndërsa industria ka pësuar një ulje prej 1.79%, sektori i ndërtimit ka pasur kërkesë të lartë dhe pritet të vazhdojë në rritje.

“Industria është në rënie me 1.79%, e ndikuar kryesisht nga industria nxjerrëse. Sektori i ndërtimit ka pasur kërkesë të lartë. Sektori i ndërtimit edhe në katërvjeçarin e ardhshëm do të vijojë të jetë në rritje”, theksoi ministrja.

Qeveria do të zbatojë një plan trevjeçar për reduktimin e parasë ‘cash’ në ekonomi, si pjesë e luftës kundër informalitetit dhe përmirësimit të klimës së investimeve. E pyetur nga gazetarët mbi raportin e DASH që ngre shqetësim korrupsionin dhe pengesat që hasin investitorët e huaj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se është një plan 3-vjeçar që synon luftën ndaj ekonomisë informale, forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe përmirësimin e klimës së investimeve në vend.

“Në raportin e DASH është e nënvizuar dhe e shprehur që modernizimi i shërbimeve qeveritare ka pasur efekt pozitiv në luftën kundër korrupsionit. Në 4-vjecarin e ardhshëm, dhe sa i takon parasë jashtë sistemit bankar dhe reduktimit të informalitetit ne do kemi plan agresiv masash për reduktimin e cash në ekonomi, është plan 3-vjeçar i përgatitur nga qeveria që do miratohet në bashkëpunim me aktorët në treg, Bankën e Shqipërisë, sektorin bankar dhe të gjithë ata aktorë që janë pjesë dhe mund të japin kontribut në reduktimin e parasë cash në ekonomi”, tha Ibrahimaj.

Vetëm në periudhën janar-gusht janë hapur mbi 21 mijë biznese të reja, ndërsa qarkullimi i bizneseve është rritur me 4%. Ibrahimaj theksoi gjithashtu se paga minimale tashmë është rritur në 50 mijë lekë, ndërsa për 18 muajt e parë tatimet dhe sigurimet do të mbulohen nga qeveria.

Ora 11:26
Ibrahimaj: Pensionet do të indeksohen me 2.5%, masa pasqyron rritjen e çmimeve për shportën e pensionistëve

 

Ashtu siç Report Tv e raportoi ekskluzivisht një ditë më parë, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se norma e indeksimit të pensioneve do të jetë 2.5%. Masa pasqyron rritjen e çmimeve për shportën e mallrave të konsumit për pensionistët dhe tejkalon normën e inflacionit për periudhën korrik 2024 – gusht 2025.

“Është një normë që pasqyron rritjen e  çmimeve për shportën e pensionistëve, është pak më e lartë se norma mesatare e indeksit të konsumit për periudhën korrik 2024-gusht 2025. Nuk duhet të kategorizohet si një rritje e pensioneve, është një rregullim sa i takon çmimeve dhe është një politikë që ne e kemi ndjekur çdo vit, pasi duhet të garantojmë se rritja e çmimeve nuk ndikon në masën e përfitimit të pensioneve”, tha Ibrahimaj.

Zbatimi do të nisë nga 1 tetori dhe nga ky indeksim do të përfitojnë mbi 753 mijë pensionistë. Pensionet urbane të pleqërisë shtohen me afro 490 lekë në muaj, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2024-ës ishte 19,609 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 296 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,878 lekë, dhe me këtë indeksim shkon në 12,174 lekë.

Indeksimi këtë vit është më i ulët se vjet që ishte 4.1%, dhe shkak për këtë është rënia e inflacionit në raport me periudhën 2023-2024.

Ora 11:25
Ibrahimaj: Plan 3-vjeçar për reduktimin e parasë ‘cash’ dhe luftën kundër informalitetit

 

Qeveria do të zbatojë një plan trevjeçar për reduktimin e parasë ‘cash’ në ekonomi, si pjesë e luftës kundër informalitetit dhe përmirësimit të klimës së investimeve. E pyetur nga gazetarët mbi raportin e DASH që ngre shqetësim korrupsionin dhe pengesat që hasin investitorët e huaj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se është një plan 3-vjeçar i përgatitur nga qeveria dhe që do miratohet në bashkëpunim me aktorët e tjerë, Bankën e Shqipërisë dhe sektorin bankar.

“Në raportin e DASH është e nënvizuar dhe e shprehur që modernizimi i shërbimeve qeveritare ka pasur efekt pozitiv në luftën kundër korrupsionit. Në 4-vjecarin e ardhshëm, dhe sa i takon parasë jashtë sistemit bankar dhe reduktimit të informalitetit ne do kemi plan agresiv masash për reduktimin e cash në ekonomi, është plan 3-vjeçar i përgatitur nga qeveria që do miratohet në bashkëpunim me aktorët në treg, Bankën e Shqipërisë, sektorin bankar dhe të gjithë ata aktorë që janë pjesë dhe mund të japin kontribut në reduktimin e parasë cash në ekonomi”, tha Ibrahimaj.

Sipas Ibrahimajt, masat do të synojnë luftën ndaj ekonomisë informale, forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe përmirësimin e klimës së investimeve në vend.

“Ky plan përfshin një seri masash që do të zbatohen gjatë tre viteve të ardhshme me synimin për të luftuar ekonominë informale, për të rritur konkurrueshmërinë e bizneseve dhe për të përmirësuar klimën e investimeve në vend. Reduktimi i parasë “cash” është një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të ekonomisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Dalja e Shqipërisë nga lista gri nga MONEYVAL para dy vitesh ishte një arritje, por tani na nevojitet një qasje më e strukturuar dhe afatgjatë për të garantuar besimin e investitorëve dhe për të ulur kostot financiare për bizneset që operojnë me tregjet ndërkombëtare. Shqipëria gjithashtu është bërë pjesë e sistemit SEPA (Zona e Pagesave në Euro), çka pritet të sjellë ulje të mëtejshme të kostove të transaksioneve financiare”, pohoi Ibrahimaj.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rruga e Dibres: 30/09/2025 15:41

    Re reduktimit te parase "cash"...... Shteti duhet te filloje nga "Vetja" dhe menjehere ! Si dhe ku ? Qarkulluesit me te medhenj te parase "cash" jane OSHE dhe Ujesjellesi,te cilet nuk pranojne pagesa me electr me karte Bankare ! Por ne fund te dites "ngarkojne" parate ne "furgon" dhe i cojne ne Banke,ne vend qe qarkullimi te behet permes Bankes !!! Ka dhe plot te tjera ! Rruga e Dibres

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?