Qeveria do të zbatojë një plan trevjeçar për reduktimin e parasë ‘cash’ në ekonomi, si pjesë e luftës kundër informalitetit dhe përmirësimit të klimës së investimeve. E pyetur nga gazetarët mbi raportin e DASH që ngre shqetësim korrupsionin dhe pengesat që hasin investitorët e huaj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se është një plan 3-vjeçar i përgatitur nga qeveria dhe që do miratohet në bashkëpunim me aktorët e tjerë, Bankën e Shqipërisë dhe sektorin bankar.
“Në raportin e DASH është e nënvizuar dhe e shprehur që modernizimi i shërbimeve qeveritare ka pasur efekt pozitiv në luftën kundër korrupsionit. Në 4-vjecarin e ardhshëm, dhe sa i takon parasë jashtë sistemit bankar dhe reduktimit të informalitetit ne do kemi plan agresiv masash për reduktimin e cash në ekonomi, është plan 3-vjeçar i përgatitur nga qeveria që do miratohet në bashkëpunim me aktorët në treg, Bankën e Shqipërisë, sektorin bankar dhe të gjithë ata aktorë që janë pjesë dhe mund të japin kontribut në reduktimin e parasë cash në ekonomi”, tha Ibrahimaj.
Sipas Ibrahimajt, masat do të synojnë luftën ndaj ekonomisë informale, forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe përmirësimin e klimës së investimeve në vend.
“Ky plan përfshin një seri masash që do të zbatohen gjatë tre viteve të ardhshme me synimin për të luftuar ekonominë informale, për të rritur konkurrueshmërinë e bizneseve dhe për të përmirësuar klimën e investimeve në vend. Reduktimi i parasë “cash” është një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të ekonomisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Dalja e Shqipërisë nga lista gri nga MONEYVAL para dy vitesh ishte një arritje, por tani na nevojitet një qasje më e strukturuar dhe afatgjatë për të garantuar besimin e investitorëve dhe për të ulur kostot financiare për bizneset që operojnë me tregjet ndërkombëtare. Shqipëria gjithashtu është bërë pjesë e sistemit SEPA (Zona e Pagesave në Euro), çka pritet të sjellë ulje të mëtejshme të kostove të transaksioneve financiare”, pohoi Ibrahimaj.
Lajmi kryesor:
Ekonomia u rrit me 3.51% në tremujorin e dytë të 2025-ës! Ibrahimaj: Plan 3-vjeçar për reduktimin e parasë 'cash' dhe luftën kundër informalitetit
SI.E./I.M/ReportTv.al
